Banese ne Lagjen Kala Berat. Foto Media Amfora

Shqipëria numëron rreth 1300 banesa të shpallura monumente kulture, por pjesa më e madhe e tyre janë lënë në mëshirë të fatit dhe projektet e restaurimit kanë mbetur në letër. Pronarët e tyre ankohen për mirëmbajtjen dhe neglizhencën e institucioneve të kulturës.

DIBËR | TIRANË | DURRËS | ELBASAN | BERAT | GJIROKASTËR | Amfora.al

Në kullën 3-katëshe të Sulejman Kullës në Ishëm, ballkonet prej druri janë rrënuar dhe çatia me tjegulla është rrëzuar krejtësisht. Lagështira po kalb dyshemetë nga kati në kat, ndërsa muret prej guri janë në rrezik shembje.

E ndërtuar nga ustallarë dibranë, kulla me frëngji daton mes shekujve XVIII-XIX dhe është Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej 8 janarit 1977. Ajo i mbijetoi shekujve, por jo tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit 2019.

Pas tërmetit, ekspertët mbërritën në fshatin Kullas në Ishëm dhe pasi shkrepën disa foto, premtuan se godina kishte shpresë që të riparohej. Por dy vjet më vonë, asnjë ndërhyrje nuk është planifikuar.

“Do më vinte fort, fort keq nëse do prishej. Tepër,” thotë Beqir Kulla, një nga pronarët trashëgimtarë të godinës, ndërsa sytë i mbushen me lot.

“Mos e rregulloni për mua, por për brezin e ri. Është kujtimi i jetës, i fshatit,” shtoi ai.

Kulla historike në Ishëm është vetëm një prej qindra godinave monumentale në Shqipëri që po rrezikojnë të zhduken për shkak të neglizhencës së institucioneve.

Foto: Kulla e Sulejman Kullës në Ishëm, Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto Media Amfora

Mbi 60 pronarë banesash që gëzojnë statusin e monumenteve të kulturës ndanë përmes një pyetësori me median Amfora vështirësitë e tyre për ruajtur godinat historike si dhe mungesën e përkrahjes nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Në 12 qarqet e Shqipërisë numërohen rreth 1309 objekte banimi të kategorizuara si monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Ato janë të ndara sipas tipologjive në kulla, vila, banesa kolektive dhe shtëpi muze.

Në gjashtë vitet e fundit, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore apo aktorë të tjerë kanë hartuar 1163 projekte restaurimi – por pjesa më e madhe e tyre ka mbetur në letër.

Edhe në rastet kur janë miratuar fondet për restaurim, puna e kryer i ka lënë të pakënaqur pronarët e këtyre ndërtesave dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore.

“Nga i gjithë stoku i monumenteve të kulturës, ai i banesave dhe i vilave janë në gjendje tej mase të keqe, pasi u janë lënë banorëve të kujdesen”, tha arkitektja Doriana Musai për Median Amfora.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) u përgjigj se ndërhyrja e fundit restauruese në kullën e Sulejman Kullës në Ishëm nga ana e shtetit, i përket vitit 1987.

“Më shkoi jeta duke rregulluar gurët”

Rreth 150 kilometra në jug të Ishmit, Adian Kurti nga Gjirokastra po përballet gjithashtu me probleme.

Porta e shtëpisë së tij në Gjirokastër është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe ka të gdhendur vitin 1730, ndërsa godina e banimit është Monument Kulture i Kategorisë së Dytë.

“Më shkoi jeta duke rregulluar gurët”, tha Kurti për Median Amfora. “Kam shpenzuar rreth 30-35 mijë euro për të mirëmbajtur shtëpinë gjatë këtyre 30 viteve, për dritare, dysheme, tavanin, plus muret e jashtme, rrethimin, oborret”, shton ai.

Kurti thotë se e vetmja ndihmë që ka përfituar ka qenë për restaurimin e çatisë me anë të aplikimit në projektin “Rebato” të “Fondacionit Gjirokastra”, ku pagoi vetëm 30% të shumës, ndërsa 70% u pagua nga fondi i projektit.

Me lëvizjet e tokës në zonë, çatia e godinës dhe vetë objekti kanë shfaqur përsëri nevoja thelbësore restaurimi.

Restauratori Qazim Kërtusha thotë se pronarët e shtëpive monument kulture nuk duhet të jenë të vetmit që kujdesen për ruajtjen e vlerave, por duhet të mbështeten financiarisht nga institucionet.

“Më përpara shteti ndihmonte me kredi të butë, 30% pronari, 70% shteti. Shteti jepte një kredi të butë, pra ishte partner shteti dhe privati që e kishte”, tha Kërtusha.

Foto: Banesa në qytetin e Gjirokastrës. Foto Media Amfora

Ekspertët e trashëgimisë kulturore theksojnë se dobësimi i institucioneve të kulturës si dhe mungesa e bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij lokal janë disa nga faktorët që po sjellin degradimin e këtyre banesave.

Ata theksuan gjithashtu nevojën që këto institucione duhet t’i përdorin vetë fondet që gjenerojnë në dobi të restaurimeve.

“Duke u dobësuar Instituti i Trashëgimisë Kulturore, duke u shkëputur nga asetet e trashëgimisë, duke mos përfituar nga biletat, duke mos rritur buxhetet, nuk përfitojnë as banorët”, tha arkitekti dhe aktivisti Kreshnik Merxhani, në një takim të zhvilluar nga Media Amfora.

Ekspertët përmendën gjithashtu raste ku ndërhyrjet restauruese nuk kishin qenë cilësore.

“Vitet e fundit ka disa tentativa restaurimi, kryesisht në Gjirokastër, por që kanë rezultuar sipas ekspertëve të restaurimit shpeshherë me dëmtime të monumentit, ku është nisur për ta rikuperuar, por në fakt ka përfunduar duke e dëmtuar monumentin”, tha arkitektja Musai.

Banesa e Shefki Kutit në Shupenzë, Bulqizë. Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto: Media Amfora.

Mes projekteve të restaurimit që Media Amfora shqyrtoi, gjendet edhe projekti me numër 178, hartuar më datë 28 maj 2019, me titull, “Projekt ‘Restaurimi i banesës së Mustafa Shehut’, në fshatin Zerqan, Dibër, hartuar nga IMK [Instituti i Monumenteve të Kulturës]”.

Naim Shehu, mjek tashmë në pension, është trashëgimtari i vetëm që jeton në “Shtëpinë e Shehelerëve” në Zerqan, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që nga 8 janari i vitit 1977.

“Jetoj në një cep të shtëpisë se ka lëvizur nga tërmeti. I ndez dritën në mëngjes, ndez qirinjtë, pres njerëzit, i fik dritat në darkë, çdo mirëmbajtje vjen nga unë”, tha Naim Shehu për kujdesin ndaj banesës dhe teqesë që gjendet brenda rrethimit.

Restaurimin e fundit, godina e ka përfituar 15 vite më parë – edhe atë përgjysmë.

“Ata që kanë ardhur para 15 viteve nuk u treguan burra, e përlanë fondin, i bënë rregullimet përgjysmë dhe ikën”, tha Shehu, i zhgënjyer nga mbështetja institucionale.

Foto: Naim Shehu, në oborrin e Banesës së Mustafa Shehut, në fshatin Zerqan, Dibër, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto Media Amfora

Vilave në Tiranë iu vu rruspa

Ndërsa një pjesë e mirë e pronarëve të vilave që gëzojnë statusin e monumenteve të kulturës në Tiranë kanë zgjedhur të jetojnë dhe të kujdesen me sa munden për to, të tjerë e kanë humbur shpresën tek mbështetja institucionale dhe kanë bërë zgjedhje më të sigurta.

Lulëzimi i sektorit të ndërtimit dhe nevoja për banim në kryeqytet përpiu shumë prej vilave të ndërtuara në fillim vitet’ 20 dhe ’30. Ato ishin ligjërisht në mbrojtjen e shtetit, por në momentin e fundit ai duket se i braktisi.

Pasi u lanë për vite me radhë në degradim, rreth 40 objekte u hoqën nga lista e monumenteve të kulturës të kategorisë së dytë, me vendim të ministreve të kulturës gjatë periudhës 2015 – gusht 2021.

Nga analiza e vendimeve rezulton se propozimet për heqjen e tyre nga lista e mbrojtjes erdhën nga institucionet e kulturës dhe pronarët privatë. Pjesa më e madhe e tyre u shembën për t’i hapur rrugë pallateve shumëkatëshe.

Nga 40 objektet, 22 ishin godina të tipit “Vilë”, 16 ishin “Banesa” dhe 1 ishte “Shtëpi muze”. Pjesa më e madhe i përkisnin kryeqytetit, ku babëzia e ndërtimit i përpiu vilat në skutat më të largëta të rrugicave.

31 objekte që u hoqën nga lista si Monumente Kulture ishin në Tiranë, 5 në Shkodër, 2 në Gjirokastër, 1 në Berat dhe 1 në Elbasan. Ndërsa një studim i Medias “Citizens Channel” evidentoi se të paktën 16 vila i humbën kryeqytetit vitet e fundit.

Shumica e vendimeve të ministrave të kulturës ishin të paargumentuara, por në relacionet shoqëruese citoheshin si arsye humbja e vlerave të godinave në raport me peizazhin përreth, humbja e vlerave arkitektonike, interesi publik për projekte zhvillimore dhe arsye të ngjashme.

Foto: “Vila Destil” në Rrugën e Elbasanit, përpara se të hiqej nga lista e Monumenteve të Kulturës dhe të shembej. Foto Doriana Musai

Sipas arkitektes Musai, këto monumente nuk u morën në mbrojtje nga institucionet, që sipas ligjit kanë detyrimin që t’i monitorojnë dhe restaurojnë.

“Shumë prej tyre i kemi humbur, disa janë shembur, disa kanë dalë nga kategoria e mbrojtjes, disa të tjera janë në tentativë që të shemben dhe të zhvillohen si pallate”, tha Musai.

Ndryshe nga shumë të tjerë, Gazmend Bakiu dhe të afërmit e tij i ruajtën me fanatizëm dy godinat në Rrugën e Kavajës në Tiranë, që gëzojnë statusin Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, duke i shndërruar në aktivitete biznesi.

Njëra prej godinave përdorej dikur për banim nga funksionarët e Partisë Komuniste, ndërsa godina tjetër që shërben si kafene ka qenë gjykatë, ku janë dhënë edhe dënime me vdekje.

“Ne nuk donim të shembnim atë çfarë na kishin lënë trashëgim gjyshërit tanë”, përfundoi Bakiu për Median Amfora.

*Ky artikull u publikua fillimisht në median Amfora

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu