Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjeti “SafeJournalists” i dërgon letër qeverisë për sulmin ndaj gazetarit Simon Shkreli

Rrjeti për Gazetarët e Sigurt “SafeJournalists”, i dërgoi të mërkurën një letër ministrit të brendshëm Bledar Çuçi dhe drejtorit të Policisë Gledis Nano për të adresuar shqetësimin për sulmin ndaj gazetarit Simon Shkreli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano njoftoi  se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të RENEA-s.

“Duke vlerësuar fort rolin e medias në informimin e publikut dhe duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve për të qenë bashkë në misionin për më shumë siguri, Policia e Shtetit dënon çdo akt dhe do të marrë masa për çdo kapërcim në ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit,” njoftoi  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Shkreli është gazetar lokal në Rozafa Tv dhe reporter i Abc News për Shkodrën. Ai u sulmua më 6 janar nga forcat RENEA, forcat speciale të policisë. Ato ishin duke kryer kontrollet në zonë, teksa Shkreli po kalonte me fëmijët e tij 8 dhe 4 vjeç. Sipas Shkrelit, ai vendosi mjetin identifikues të gazetari dhe nisi të filmonte. Gazetari tregon se në atë moment ai u sulmua fizikisht nga forcat RENEA.

“Një efektiv i veshur civil, me maskë antikovid dhe me një kapele sportive thirri ‘Hiqe at cellular’. Unë u ktheva dhe I thash, jam gazetar dhe i tregova badge. Në ato moment Drejtori i Policisë së Shkodrës Hamdi Fjora i cili ishte së bashku me Shefin e Komisariatit Shkodër Paulin Çupi më thirren dhe u afrova te makina e tyre. Drejtori më tha: Nuk të njohin se je gazetar, siç të njohim ne! Unë i thash, s’kanë pse më njohin sepse kam badge”, rrëfen Shkreli për Citizens.

Ai tregon se oficerët e policisë e kanë ofenduar me fjalë të rënda, dhe e gjithë skena ka ndodhur në prani të fëmijëve të tij.

“Dhe më tërhoqi badge-in e gazetarit që e kisha të varur në qafë. Dhe u futen në furgona dhe u larguan. E gjitha kjo ndodhi në sy të Drejtorit të policisë Shkodër dhe Shefit të Komisariatit. Unë mbeta aty së bashku me dy fëmijët e mi të cilët po qanin dhe më thonin: Mos shko babi në burg”, përmbyll Shkreli rrëfimin e tij në lidhje me momentin e ngjarjes.

Pas sulmit Shkreli i është drejtuar zyrës së SHÇBA-së në Shkodër. Ai i tha Citizens se aty e pritën dy oficer, Arben Dekovi dhe Mauricio Sheldija.

“Aty unë bëra një ankesë ndaj veprimeve të forcave RENEA. Dy oficeret ishin shumë bashkëpunues dhe shumë korrekt në raport me mua”, tha Shkreli.

Sa i përket reagimit nga ana e institucioneve shtetërore, gazetari shprehet se ka pasur një mungesë të denoncimit të rastit.

“Deri tani përveç reagimit në facebook të Policisë së Shtetit pasi ngjarja është bërë publike, ku thuhet se Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve dhe SHÇBA të nis hetimin për këtë ngjarje. Deri tani s’ka pasur asnjë reagim tjetër”, tha Shkreli. 

Simon Shkreli, gazetar

I pyetur nga Citizens se si e komenton gjendjen e gazetarëve në Shqipëri dhe se sa të sigurt ndjehen gazetarët për të raportuar, Shkreli u shpreh se “fatkeqësisht jemi në një gjëndje të rëndë për profesionin tonë”.

Ai ngre si shqetësim mungesën e një statusi ligjit për gazetarët.

“Nuk kemi status të rregulluar me ligj! Mungesa e rregullimit ligjor të statusit tonë do vëndoste disa rregulla të sjelljes edhe tek ne gazetarët dhe jo vetëm të tjerëve ndaj neve”, tha Shkreli.

Reagimi i organizatave për mbojtjen e gazetarëve

Organizata për mbojtjen e gazetarëve “Safe Journalist” ka reaguar për rastin, duke i dërguar edhe një letër Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit si dhe e ka denoncuar rastin.

Organizata përmes letrës ka shprehur shqetësimin për rastin e Shkrelit duke theksuar se sulme të tilla janë sulme ndaj demokracisë, interesit publik dhe ndaj cdo qytetari.

Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit.

Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të reagojnë ndaj këtij incidenti dhe shprehim solidariitetin e plotë në mbështetje të kolegut dhe drejtuesit të UGSH-së, dega Shkodër”, thuhet në reagim.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë  reagoi duke thënë : 

“Gazetari po filmonte me celular një aksion që po zhvillohej në hapësirë publike në qytetin e Shkodrës dhe është dhunuar verbalisht duke u ofenduar me fjalë fyese, në sy të dy fëmijëve të mitur, edhe pse ka paraqitur dokumentin e gazetarit”.

Gjatë vitit 2021 në Shqipëri u rregjistruan 14 raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes, referuar rasteve të denoncuara në Mapping Media Freedom.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *