20 emra rrugësh në Tiranë janë zëvendësuar mbremjen e djeshme me 20 emra grash të vrara gjatë vitit 2021.

Aksioni simbolik i ndërmarrë nga aktivistet/ët e “Kolektivit Feminist” në Shqipëri erdhi si reagim ndaj femicidit të shtuar së fundmi në vend.

Emri i secilës grua të vrarë është shoqëruar me qytetin nga ato ishin dhe me motivin e vrasjes, gjë që tregon se vrasjet janë kryer brenda familjes, nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët dhe familjarë.


Në një shoqëri ku dhuna strukturore dhe patriarkale i shndërron gratë në viktima dhe burrat në kriminelë e ku krimi justifikohet e për të cilin vazhdimisht fajësohet viktima, reagimi masiv për një transformim rrënjësor është domosdoshmëri”,-thuhet në reagimin e Kolektivit Feminist.

Aktivistet/ët kanë kërkuar drejtësi nga institucionet përkatëse për çdo grua të vrarë dhe politika sociale parandaluese të dhunës në familje.

Mbi të gjitha, vrasja e grave dhe dhuna me bazë gjininë, nuk janë çështje private por shoqërore dhe politike. Për pasojë, adresimi i tyre meriton vëmendje gjithpërfshirëse dhe akte konkrete institucionale që garantojnë drejtësi për viktimat; mbrojtje, siguri e mirëqenie për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore”,-cilëson deklarata.

Emrave në listën e femicidit të viti që shkoi, iu shtua së fundmi edhe Gjyle Topalli, e vrarë disa ditë më parë në Vaun e Dejës nga ish-bashkëshorti.

  • Lumturie Bici, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Librazhd, 2021
  • Klarita Ismalaja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Krujë, 2021
  • Diana Vuka, 59 vjeç, vrarë nga i vëllai, Shkodër, 2021
  • Zhaneta Metani, përdhunuar, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë, 2021
  • Kristina Bardhi, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë 2021
  • Liljana Buzo, 54 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Elbasan, 2021
  • Dorina Alla, 39 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, në prani të fëmijëve, Itali, 2021
  • Fëllënza Shirja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Kavajë, 2021
  • Irvana Hyka, 28 vjeç, vrarë nga bashkëshorti në prani të fëmijëve teksa ishte shtatzënë, Fier, 2021
  • Luljeta Heshta, 47 vjeç, vrarë nga partneri, Itali, 2021
  • Sanije Bandula, 83 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Shkodër, 2021
  • Anisa Shehu, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021
  • Joana Peca, 27 vjeç, qëlluar nga bashkëshorti në prani të fëmijëve, Florida, SHBA, 2021
  • Sabrina Bengaj, 23 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Fier, 2021
  • Violeta Gurraj, 47 vjeç, vrarë në shtëpinë e saj nga bashkëshorti, Shkodër
  • Fëllënxë Rrasa, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Divjakë, 2021 Jawsackie Jaboah, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti shqiptar, Tiranë, 2021
  • Elinda Topalli, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Austri, 2021
  • Elona Ibrushi, 36 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021
  • Gjyle Topalli, 40 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Vau i Dejës, 2022

Çfarë është femicidi? 

Femicidi ose feminicidi është një term i krimit të urrejtjes, i përkufizuar gjerësisht si vrasje e qëllimshme e grave ose vajzave për shkak se ato janë femra. Vrasja e një gruaje nga një partner. Partneri kuptohet si bashkëshorti ose partneri i mëparshëm ose aktual, pavarësisht nëse dhunuesi ndan ose nuk ka të njëjtën banesë me viktimën.

Urdhrat e mbrojtjes në shifra 

Në Shqipëri çdokush që e sheh jetën të rrezikuar nga individë brenda familjes mund ta adresojë te autoritetet, garantuar kjo nga ligji “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, i vitit 2006. Ky ligj ka në vetvete një mekanizë që ofron mbrojtje të personave që kanë përjetuar dhunë përmes “Urdhrit të Mbrojtjes” dhe “Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”. Më 2018 ky ligj u pasua me disa ndryshime.

Urdhri për mbrojtje lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rastet kur personi i dhunshëm shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sipas ligjit.

Në Shqipëri numri i urdhrave të mbrojtjes të shqyrtuar nga gjykatat kanë qenë të larta. Numrin më të lartë dhe kryesor të kërkesave për udhër mbrojtjeje e mbajnë vazhat dhe gratë.

Për vitin 2019 pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë janë shqyrtuar 804 rastë për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, nga të cilat 390 janë pranuar, 302 janë pushuar dhe 111 janë rrëzuar përfshirë edhe një prej tyre të pajtuar. Shumica e këtyre kërkesave për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm kanë ardhur nga vajzat dhe gratë.

Gjatë atij viti janë shqyrtuar 150 çështje sa i përket “Urdhër Mbrojtjeje”, prej te cilave 68 janë pranuar, 49 janë pushuar dhe 33 janë pushuar.

Ndërsa për vitin 2020, janë shqyrtuar 144 çështje lidhur me kërkesën për “Urdhra Mbrojtjeje” nga të cilat 57 janë pranuar, 52 janë pushuar dhe 35 janë rrëzuar.

Po në të njëjtin vit, janë trajtuar 796 kërkesa për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, prej nga ku janë pranuar vetëm 442 kërkesa.

Përgjatë vitit 2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë shkuar 122 kërkesa për “Urdhër Mbrojtjeje”, prej të cilave 47 janë pranuar. Ndërsa kërkesat për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje” për 2021 kanë qenë 693 prej të cilave 339 janë pranuar.

Gjykata e rrethit Durrës përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021 ka dhëne 236 vendime për “Lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes”.

Gjykata e rrethit Vlorë deri në muaji nëntor 2021 ka dhënë 103 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 9 urdhra mbrojtjeje. Ndërsa sipas Drejtorisë Vendore të Policisë ne Durrës nga vitit 2015 deri më 2021 numri i kërkesave për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes është 3536.

Në Drejtorinë e Policisë së Fierit nga vitit 2015 deri më nëntor të vitit 2021 janë evidentuar 1299 kërkesa për udhër mbrojtjeje, ndërsas janë kryer 937 denoncime për dhunën në familje.

  1. Urdhri i mbrojtjes është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat
    mbrojtëse për viktimën, fëmijët dhe sipas rastit, masa për rehabilitimin e dhunuesit.
  2. Urdhri i menjëhershëm plotësohet nga Policia, lëshohet nga Gjykata dhe zgjat 20 ditë, deri në vendimin përfundimtar për ta zgjatur më tej ose për ta pushuar atë. Pas 20 ditësh, nëse kjo masë mbrojtëse zgjatet, bëhet urdhër mbrojtjeje dhe mund të shkojë deri në 1 vit. Gjatë kësaj kohe, viktimës i garantohet çdo muaj mbrojtja ligjore dhe ndihmesa monetare prej 3000 lekësh në muaj.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu