Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dëbime dhe shembje banesash në lagjen 5 Maji

“Na kanë fikur dritat që në orën 4 edhe neve që nuk do na shembin shtëpitë akoma”, ishte mesazhi që banorët e lagjes “5 Maji” u komunikonin aktivistëve në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Dhjetëra forca të policisë bashkiake të rendit zbritën në këtë lagje pa zbardhur dita, për t’i ardhur në ndihmë aksionit të Inspektoratit të Mbrojtjes të Territorit (IMT)  për të shembur shtëpitë private të banorëve.

Liza Marku, një grua në moshë u tërhoq me forcë nga shtëpia e saj 3 katëshe, duke shënuar rastin e parë të përplasjeve mes banorëve dhe policisë.

Djemtë e saj u shoqëruan në komisariat, pasi bënë rezistencë, ndërsa Liza qëndroi përgjatë gjithë ditës në gardhin e krijuar nga forcat policore.

Liza Marku, banore e “5 Majit”

“Kam qenë qut, kam pas qenë tërë natën jashtë tuj u dridh. Jam me ilaçe, sdi ku më kanë shkuar ilaçet që i marr për zemrën. Zemra u plastë të tanëve o zot, zemra u plastë të tanëve”,-shprehet Liza për Citizens Channel.

Pyetjes se ku do ta kalojë natën, tanimë që shtëpia nisi t’i shembet, ajo i përgjigjet: “Kurrkund, në qiell të hapur. Ma dhuro shtëpinë mua thotë, ma dhuro shpinë mua. Si me të fal unë shpinë me bo palate ti, more qen bir qeni. Të bësh shpinë ti në vendin tem”.

Rrobat e Lizës dhe 14 familjarëve të saj janë grumbulluar para shtëpisë, e cila tanimë iu dorëzua fadromës së IMT-së, pa pasur mundësi të transportoheshin më herët.

Na kanë njoftuar tre katër ditë më parë, na thanë në 10, këto kanë ardhur në 8. Këto janë mafie, këto thonë vijnë në 10 këto vijnë në 5 të natës”,-përfundon Liza.

Lagjja 5 Maji e fotografuar nga lart – Foto: Citizens Channel

Ndue Marku, komshi me familjen e Lizës e sheh të tepruar praninë e forcave të shumtë të policisë.

“Sot erdhën 500 policë, për turp të zotit. Me një fjalë ishin më tepër policë sesa banorë. E vetmja gjë që sot kam menduar ka qenë kjo që sot nuk duhet protestë. Këtu realisht duhet një reagim alla ’97”,-u shpreh Ndue Marku.

Ai nuk e justifikon dot dhunën e ushtruar sot nga policia karshi banorëve.

Ndue Marku, banor i lagjes “5 Maji”

“Të prishin shtëpiat, me banorë brenda, me placka brenda. Për më tepër që është ushtruar edhe dhunë të gjitha formave, dhunë fizike, psikologjike”,- shprehet me indinjatë Marku.

Duke qenë me shtëpinë pranë atyre që u shembën sot, Marku pret që të jetë ai i radhës, edhe pse nuk ka ende dijeni nga bashkia mbi procesin.

“Nuk na kanë thënë po këto janë shumë të parashikueshëm. Në aspektin, i bëjnë vjedhjet. Nuk është hera e parë që e bëjnë dhe e di që 5, 5,5..Kështu që nuk e di në cilën 5-ce do futem, por di që do futem edhe unë te një 5-ce. Të garantoj, nuk do protestoj asnjë ditë dhe nuk do kërkoj më gjë asnjë ditë, nuk pres nga ky shtet fare. Nuk pres as të më japë shtëpi, as të më japi hakun, as të merret me mua. Ka katër mua që kërkojmë të flasim”,-rrëfen Ndue Marku.

Teksa janë dëshmitarë të shembjes së shtëpive përreth, edhe banorë të tjerë të lagjes “5 maji” lëvizin me shqetësim rreh banesave të tyre, oborret e të cilave të shndërruara së fundmi në kantiere ndërtimi me ndërtesat e reja që do të zëne vend.

Në portën e Bardhyl Xhafës një kryq i kuq është shënjuar për të treguar miratimin për shembje. Megjithatë, së fundmi poshtë portës qëndron një “JO”, gjë e cila ka çuar në konfuzion Bardhylin.

Bardhyl Xhafa, banor i lagjes “5 Maji”

“Një shpi po, një shpi jo. S’po di se s’po na japin zgjidhje. As informacion, asnjë letër, asnjë gjë, fare, fare, fare. Je fazë e dytë më thonë mua. S’kemi mbaruar akoma me fazën e parë. Po bëj një vit që po rri me prit. Gjysmat e rrobave i kam çuar në vend tjetër, gjysmat i kam këtu. Rri si roje mos më vijnë, pa më dhënë një informacion, si, ku të iki?”,-u shpreh Bardhyl Xhafa.

Forcat policore me skafandra, të rreshtuara njëra pas tjetrës diktonin duke qëndruar banesën që kishte radhën për tu shembur. Ndjekur kjo nga fadroma dhe kordonë policorë që tentonin të mbanin larg median, sipas tyre për efekt të sigurisë.

Veliaj: “Jo më hapësira që të zaptohen nga të fortët”

Kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u shpreh sot se nuk do të tërhiqet nga projekti për ndërtimin e lagjes së re të “5 Majit”.

Në një takim në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë, Veliaj u shpreh se nuk do lejojë që hapësirat të zaptohen nga të fortit.

“Ne nuk mund të kemi sot hapësira, qoftë edhe tek Bregu i Lumit, që të zaptohen nga të fortët që thonë: Nuk dua të bëhet rruga, nuk dua të bëhen pallatet për tërmetin, sepse i kam zënë unë”.

Ndërsa u shpreh me keqardhje për mediat, për personat që ajo iu drejtoi mikrofonin si hapësirë për tu shprehur.

“Për gjithë kolegët e medias, nëse bëni një kërkim në Google me fjalët ‘Vëllezërit Marku/OFL’, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policisë, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut? Koha kur laçi, i forti, zaptuesi, krimineli, trafikanti bënte ligjin në këtë qytet, ka mbaruar. Nuk ekziston më”, -theksoi Veliaj.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen për transparencën e cunguar 

Avokati i Popullit ka reaguar për situatën në lagjen “5 maji” të krijuar sot, por edhe më herët që nga nisja e zbatimit të vendimit për shpronësim.

Sipas Avokatit, në grup banorësh të njësisë nr.8 dhe njësisë nr.4 kanë ngritur me shqetësim prishjen e banesave të tyre, duke treguar mungesën e transparencës me aktet e dala nga Bashkia Tiranë.

“Konkretisht Akt-Marrëveshja për shkëmbim/dhurim të pronës e cila është e pa detajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila është pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës”,-thuhet në komunikimin e Avokatit.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen për mos transparencën mbi disa klauzola të vendimit të Bashkisë Tiranë, të cilat nuk ofrojnë garanci  për qytetarët.

“Gjithashtu Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar”,-thuhet në komunikim.

Shndërrimi i “5 Majit” në “Tirana Riverside” pa transparencë për banorët

Zona e quajtur “5 Maji” është një zonë informale, e cila për shkak të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit 2019 u dha për rindërtim. Megjithatë projektit “Tirana Riverside”, i cili do të marrë jetë në zonën e “5 Majit” është planifikuar më herët se ngjarja e tërmetit.

Nga ky projekt preken 222 pronarë dhe priten të ndërtohen 3500 apartamente të reja.

Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji, ku Bashkia Tiranë u caktua si zbatuese e projektit. Ndërsa më 13 maj 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor (PDV) për këtë zonë, i cili shfaqet ende në proces hartimi në faqen e AKPT.

Një pjesë  madhe e banorëve të lagjes “5 Maji” ishin në proces legalizimi të shtëpive të tyre. Proces ky i cili ka ndaluar.

Lidhur me strehimin e banorëve pas shembjes së shtëpive, bashkia Tiranë ka ofruar kontrata bashkëpunimi me banorët si aktmarrëveshje për dëmshpërblim të pronës.

Mirëpo banorët shprehen se është e paqartë se ku do të strehohen pas shembjes së shtëpisë së tyre, për sa kohë do t’ju duhet të jetojnë me qira, a do munden ta fitojnë bonusin e qirasë dhe sa do të jetë dëmshpërblimi për investimin që kanë kryer në truallin e tyre.

Mungesa e transparencës dhe konsultimit mbi projektin, ka bërë që shumë banorë të mos nënshkruajnë akt-marrëveshjen me Bashkinë Tiranë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *