Aksion simbolik: Banorët tentojnë të ndalojnë rrjedhjen e lumit përmes digës

Banorët e Zall-Gjoçajt sfiduan temperaturat e acarta ditën e shtunë, për t’i dhënë një mesazh institucioneve shtetërore.

Prej datës 10 nëntor, 2021, Gjykata e Apelit ka vendosur që firma private “Seka Hydropower” nuk mund të prodhojë energji përmes hidrocentralit “Zais”, i ngritur në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”, duke i pezulluar licencën.

Megjithatë, firma private, sikurse në rastin e hidrocentraleve në Valbonë, ka vendosur të sfidojë gjykatën, duke mos zbatuar vendimin.

Ditën e shtunë, pas lajmërimit për protestë, koncensionari lëshoi një rrjedhë të vogël uji në lumë, teksa në murin e digës,ku banorët protestojnë prej 3 vitesh, ishte shkruar: “HECI ka ndërtuar për banorët 50 km rrugë automobilistike dhe katër ura, 14 km linjë elektrike dhe 8 km linjë ujë të pijshëm”.

Shënimet në digën e ngritur në Zall-Gjoçaj, banorët në protestë

Krahas të mirave që firma koncensionare pretendon se i ka sjellë komunitetit, banorët dhanë fjalën e tyre, duke vendosur karshi parullën: I paligjshëm!

Banorët varin banderolen “I paligjshëm” afër digës në Zall-Gjoçaj

Ata kanë një tjetër këndvështrim mbi “përfitimet” që HEC-i u ka sjellë.

Ja, para disa ditësh, kanë ardh e mbush ujë me bidona, nga Melthi këtu, ku ujin këto e kanë pas në derë të shtëpisë. Asnjë pikë uji nuk është në lumë”, – thotë i revoltuar gjatë fjalës së tij në protestën e së shtunës Adem Xhokola.

Adem Xhokola, protestues/ Foto: Natasha Paja

Zemërimin e drejtojnë kah institucionit shtetëror, Entit Rregullator të Energjisë, i cili ndonëse humbi në gjykatë kundër komunitetit, vijon të lejojë  prodhimin e energjisë përmes ujit të lumit Flim.

Të gjendur në këtë situatë, banorët vunë për pak minuta drejtësi vetë dhe arritën që ujin ta kthejnë në rrjedhën e tij natyrale, duke tentuar bllokimin e digës. Aktivistët u ngjitën te diga dhe vendosën një plastmas, më qëllim ndalimin e rrjedhjes së ujit në atë që e quajnë digë të paligjshme.

Banorëve u jepet e drejta që kur të ndërpret ujin dikush, të venë dhe ta hapin vetë ujin. Kur ERE fle gjumë, ka dy muaj që ka dalë vendimi i gjykatës i formës së prerë. Është i paligjshëm, është skemë krimi!”, – buçet zëri i aktivistit Dhimitër Kolecit.

Dhimitër Koleci, protestues/ Foto: Natasha Paja

Aktivistët e Zall-Gjoçaj shprehen të bindur në qëndrimin e tyre; ata nuk kanë ujë për t’i dhënë firmës private.

Nuk ka për t’u marrë uji. Ne këtë vendim e kemi pas edhe pa vendim gjykate, jo tani që kemi gjykatën”, – thotë Sali Koleci gjatë protestës.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Dorina Koleci, e cila e di që banorët qëndrojnë në anën e drejtë të historisë.

Zhurma e çekiçit tregoi që e vërteta nuk humb, që njeriu i drejtë është si uji i kulluar, që ecën e ecën dhe mund të gjejë rrugë të gërryejë edhe malet”, – pohon Dorina Koleci.

Dorina Koleci, protestuese

Komuniteti vs institucionet: Një tjetër padi për Entin Regullator

Juristja Aurora Leka tregon se tashmë banorët po përgatiten për padinë e pestë.

Në gjykimin tonë, Enti Rregullator i Energjisë e ka në dorë zbatimin e vendimit sepse ai është institucioni që ka lëshuar një licencë për kompaninë, e cila tashmë nuk është e vlefshme për shkak të një vendimi të formës së prerë”, – sqaron juristja Aurora Leka për Citizens Channel.

Ata i janë drejtuar Entit me një kërkesë për zbatimin e vendimit.

Ende nuk kemi marrë përgjigje prej tij, kështu që me gjasë, për pak ditë ne do t’i drejtohemi Prokurorisë për kallëzimin e radhës penal për moszbatim të vendimit të gjykatës”, – përfundon Leka.

Gazetarët e “Nyje” i janë drejtuar me një kërkesë për informacion ERE-s ku e kanë pyetur nëse e kanë marrë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe çfarë hapash do të ndjekin në vijim ata.

Enti Rregullator i Energjisë, në kthim-përgjigje pohon se janë njohur me vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ju vëmë në dijeni se ERE do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore të nevojshme me qëllim mbrojtjen ligjore të vendimmarrjes së bordit të ERE-s në të gjithë shkallët e gjyqësorit“, – shkruhet më tej në përgjigjen ndaj Nyjes.

“Hiqni HEC-in, jo parkun!”

Një tjetër kërkesë e aktivistëve dhe banorëve është që të mos kalojë projektligji që synon rishikimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Sa i përket Zall-Gjoçaj, kjo zonë është planifikuar të hiqet nga lista e zonave të mbrojtura.

Banderolë e mbajtur gjatë protestës të së shtunës

Ndonëse në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, parku me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri, pak vite më pas, Zall-Gjoçaj propozohet të lihet jashtë.

Në vitin 2019, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, pohoi në një intervistë për Klan Plus se Zall-Gjoçaj është zonë që mbart vlera të mëdha natyrore, duke e quajtur “relikë të historisë së natyrës”.

Lexo edhe:

Rivlerësimi i zonave të mbrojtura, ambientalistët druhen se parqet do të kthehen në kantiere ndërtimi

Për këtë arsye, agjencia jonë, në bashkëpunim me ministrinë, propozoi që të bëhet parku më i madh, duke u bashkuar me Lurën, që sot quhet ‘Lurë-Mali i Dejës’”, – u shpreh në vitin 2019 Dedej.

Aktivistja e grupit ATA, Diana Malaj, në mbyllje të protestës të ditës së shtunë u shpreh se aksionet për pastrimin e mbeturinave në Shqipëri mund të fillojnë me digën në Zall-Gjoçaj.

Ta dijë Kumbaroja e Ministrisë së Mjedisit, e cila po tenton me mbledhë mbeturina, që mbeturina e parë që duhet me u heq është ky HEC-i këtu, edhe HEC-i tjetër që po ndërtohet dhe të gjitha HEC-et në Shqipëri“, – tha Malaj

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu