Ulja e temperatura dhe reshjet e dëborës në zonat malore janë bërë pothuajse çdo vit shkak për mbylljen e shkollave. Të enjten ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi njoftoi se shkollat do të mbyllen për tre ditë nga e hëna deri të mërkurën për shkak të uljes së temperaturave. 

Ministria e Arsimit, foto Citizens Channel

Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”,-njoftoi ministrja. 

Vendimi i ministrisë u prit me kundërshtime nga prindërit dhe nga aktivistë të çështjeve arsimore.

Foto: Citizens Channel

Të hënën, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Qëndresa Qytetare (QQ) së bashku me prindër dhe qytetarë të tjerë të shqetësuar nga vendimi, protestuan përballë Ministrisë së Arsimit. Me ngrohëse në duar dhe pankarta që lexojnë “ngrohëse 3D” ata protestuan mbi kushtet në shkolla.

Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare

“Sigurisht që ne nuk jemi këtu për të thënë që temperaturat nuk janë të ulëta, sigurisht ne nuk jemi këtu për të thënë që nuk është ftohtë, absolutisht që ne nuk jemi këtu për të thënë që shqiptarët zbritën sot në këto troje dhe nuk e kanë parë të ftohtin, edhe sigurisht që ne dëshmojmë që temperaturat edhe në vitet në vijim sigurisht që do jenë të tilla dhe kemi parë edhe shumë temperatura më të ulëta. Por ajo që në fakt do duhet të kuptojmë është që kjo është një situatë për t’u menaxhuar nuk është një situatë për t’u pushuar”, –u shpreh për gazetarët Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.  

QQ ngriti si problem mungesën e investimeve në shkolla. Sipas të dhënave të mbledhura nga kjo organizatë, rezulton se 13 shkolla bëjnë mësim me dy turne, 21.000 nxënës mesojme në klasa kolektive. Ka rreth 2500 klasa kolektive në të gjithë Shqipërinë. Në bashkinë e Elbasanit, sipas këtyre të dhënave, nga 32 shkolla 9-vjeçare, vetëm katër kanë ngrohje qendrore, të tjerat ngrohje alternative.

Gevio Tabaku, aktivist i Qëndresës Qytetare tha se aksioni i tyre ishte një metaforë për të dërguar një mesazh tek ministria.

Gevio Tabaku, aktivist Qëndresa Qytetare

“Nëpërmjet një mesazhi, një metafore le të themi me dërgimin e ngohëseve përpara derës së ministrisë të jepnim mesazhin që në këtë ditë, sot ku temperaturat janë në minus Ministria e Arsimit, e cila ka dërguar fëmijët, nxënësit pra në shtëpi, do duhej që të ishte përgatitur me klasa të cilat janë të ngrohta dhe brenda standarteve të duhura që klasat duhet të jenë në vitin 2022”,- tha Tabaku për Citizens.

Komuniteti i prindërve, të cilët u bënë bashkë për kauzën e rikthimit të mësimit pa turne e ka kundërshtuar gjithashtu këtë vendim. Në një reagim për Citizens Channel, komuniteti i prindërve u shpreh se mbyllja e shkollave prej të ftohtit nuk është arsye e fortë.  

Mund të jetë vetëm për disa institucione në zona të thella malore të vendit që do ta vuanin këtë problematikë. Ndërsa sa i përket ngrohjes në shkolla, jo të gjitha institucionet arsimore e kanë këtë problem. Sepse ka shkolla që janë me kaldaja, sidomos në Tiranë. Ministrja Kushi ka bërë dhe inspektime në lidhje me ngrohjen në shkolla, si është e mundur që një javë më parë thoshte se edhe në shkollat e  Bulqizës ka ngrohje, ndërsa tani del me këtë vendim kaq të papritur? Është një dështim jo vetëm i Ministrisë së Arsimit por edhe i bashkive të vendit të cilat e kane detyrim sigurimin e ngrohjes në shkolla”, -u shprehën përfaqësuesit e komunitetit të prindërve.

Foto: Citizens Channel

“Ngrohja një problem i pazgjidhur prej vitesh”

Kjo nuk është hera e parë që MASR mbyll shkollat për shkak të uljes së temperaturave. 

Ndër vite problemi i ngrohjes është adresuar nga nxënësit në mënyra të ndryshme. Në Elbasan nxënësit e shkollës “Europa” bojkotuan një vit më parë mësimin për shkak të mungesës së ngrohjes. Ata bënë një protestë përpara ambienteve të shkollës ku mbanin në duar pankarta me mbishkrime si “Duam ngrohje”, “S’ka vota pa ngrohje” etj. Protesta të tilla të ngjashme ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit.  

Në qytete të ndryshme, jo vetëm ato malore ku temperaturat janë më të ulëta dhe ka reshje të shumta bore, prindërit dhe nxënësit kanë shfaqur si problem ngrohjen në shkolla. 

Foto: Citizens Channel

Në disa shkolla, nxënësit dhe mësuesit e kanë zgjidhur problemin e ngrohjes duke e siguruar vetë atë. Disa prej e kanë zgjidhur duke siguruar një sobë më dru në zonat malore, disa të tjerë me ngrohëse elektrike, e teksa ka dhe nga ata që zhvillojnë mësim me xhupa e me dorashka.

“Kemi blerë vetë një ngrohëse të madhe me ajër, por prapë është ftohtë, nuk e ngroh të gjithë klasën. Rrimë veshur në mësim, me xhupa, kapuçë”, është shprehur një nxënës për Faktoje.al.

Me uljen me pak gradë nën minus të temperaturave, ministria detyrohet të pezullojë mësimin pasi nuk siguron dot ngrohjen për nxënësit.

Përfaqësuesja e komunitetit të prindërve për nismën e mësimit pa turne, Ermelinda Hoxhaj e cilëson si fatkeqësi faktin që në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit shkollat janë mbyllur.

Ermelinda Hoxhaj, përfaqësuese e komunitetit të prindërve

“Është një fatkeqësi që sot është dita ndërkombëatre e arsimit dhe nxënësit tanë, fëemijët tanë ne sot i kemi në shtëpi dhe nuk janë në bankat e shkollës. Padiskutim që sot është ftohtë sepse jemi në mesin e dimrit dhe do bëjë ftohtë, është çudi po mos të bëj ftohtë dhe problematika është që ne kemi shtatë vitë të paktën për Tiranën që paguajmë një taksë për arsimin që është taksa e përkohshme e arsimit dhe këtë vit i bie që duhet të iki se u bënë shtatë vite, ndërkohë që nuk kemi sisteme ngrohje”,- tha Hoxhaj për Citizens Channel.

Në disa shkolla në kryeqytet ku janë vendosur ngrohjet, prindërit kanë ngritur si shqetësim faktin që ato nuk ndizen, gjë që i ka shtyrë sërish nxënësit që ta sigurojnë vetë ngrohjen.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i tha Citizens Channel se aksioni i tyre ishte për të ironizuar Ministrinë e Arsimit për keqmenaxhimin e situatës dhe të gjitha problematikave që janë krijuar nga ata që kanë menaxhuar arsimin.

Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

Në ditën Ndërkombëtare të Arsimit në vendosëm që të protestojmë në një mënyrë kreative, duke sjellë disa ngrohëse dhe duke ftuar të tjerët për të sjellë ngrohëse përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit për të ironizuar të gjithë keqmenaxhimin dhe të gjithë atë problematikë që është krijuar ndër vite nga ata që kanë menaxhuar shkollat, nga ata që kanë menaxhuar Ministrinë e Arsimit, dhe për t’i thënë që këto tre ditë nuk e zgjidhin çështjen e shkollave, këto tre ditë dimri nuk është tre ditë por është minimalisht tre muaj dhe si do të veprojë Ministria e Arsimit për t’i kërkuar llogari asaj për të mos e kthyer në buzëqeshje dhe të gëzuar këtë ditë pasi ashtu ka ndërmend dhe ashtu po e bën po e kthen në një ditë të gëzueshme”, u shpreh Xhemollari për Citizens.

“Shqipëria me varfëri arsimore të lartë”

Raporti i Bankës Botërore në 2021, tregoi se 63% e nxënësve në Shqipëri janë në varfëri mësimore. Investimet në fushën e asrimit janë të pakta, sipas këtij raporti 63 nxënës në 100 kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore. 

Ndër vite numri i nxënësve që regjistrohet në shkollë ka rënë. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin akademik 2020- 2021 në arsimin 9 vjeçar në fillore ka pasur 158,528 nxënës.  Ndërsa në vitin 2016-2017 ka pasur 174,836 nxënës. Arsyet për mos regjistrimin e nxënësve apo për braktisjen e saj janë të shumta, ku kryesisht janë sociale, ekonomike apo mungesa e infrastrukturës.

Nga kushtet në të cilat janë shkollat në shumë qytete të Shqipërisë, vërehet një mungesë investimi në sektorin e arsimit. Një monitorin në Bashkinë Shkodër mbi kushtet higjenosanitare në shkolla, tregon se vetëm 53% e shkollave plotësojnë standardet dhe kryesisht janë brenda qytetit. 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu