Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Qytetarë dhe konviktorë”; aktivistët e konsiderojnë raciste gjuhën e përdorur nga Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në emisionin “Të Paekspozuarit”, bëri një krahasim mes qytetarëve dhe konviktorëve, duke theksuar një ndasi mes dy grupimeve, teksa diskutohej rreth audio-përgjimeve të bëra publike nga Federata Shqiptare e Futbollit pak ditë më parë, ku Veliaj dëgjohet të kërcënojë me ndjekje penale përfaqësuesit e FSHF-së.

Sipas Veliaj, qytetarët kanë ndryshim me konviktorët: “Kush i thotë vetes qytetar dhe jo konviktor, që vetëm rri dhe ha, jeton dhe shkon në tualet…”, – tha Veliaj dje në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Gjuha e tij, sipas aktivistëve të lëvizjes studentore “Për Universitetin”, është raciste dhe ndasore, ku studentët që strehohen në konvikte, paraqiten si inferiorë krahas qytetarëve të tjerë. Për këtë arsye, ato dje kanë realizuar një aksion me grafiti kryesisht pranë konvikteve në Tiranë dhe te Ministria e Arsimit.

“Ne si lëvizje e pamë që ishte e nevojshme, është e disata herë që Veliaj bën ndarje raciste, i ndan njerëzit ekonomikisht, ‘Ju keni lekë dhe jeni të denjë të jeni qytetarë, ndërsa u që vini nga rrethet jeni katundarë’”, – tha aktivisti Demian Mrishaj për Citizens Channel.

Në muret e konvikteve janë shkruar parullat: “Erion Veliaj: vrasës, hajdut dhe racist” dhe “Tiranën nuk e prishën katundarët, por Erion Veliaj me oligarkët”.

Përmes një komunikate në rrjetet zyrtare, lëvizja “Për Universitetin” tha se aksioni u zhvillua për të kremtruar ekzistencën e studentëve konviktorë, të rretheve që “punojnë e shkollohen, dhe njëkohësisht organizohen për një universitet përmbajtësor dhe shoqëri barazimtare”.

Aktivisti Mrishaj thekson se në popullatën e përgjithshme ka rënie të stereotipeve dhe miteve sa i përket studentëve që akomodohen në konvikte, ndryshe nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Do ishte shumë  e rëndësishme që ai të merret me vepra konkrete, me kushtet aktuale të konvikteve, sesa me ata që jetojnë në konvikte”, – përmbyll Mrishaj.

Si janë kushtet aktuale të konvikteve?

Citizens Channel mblodhi të dhëna nga thirrja e publikuar gjatë muajit tetor të vitit 2021, ku përmes mjetit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar) 64 studentë ndanë problematikat e strehimit në Tiranë. Studentët të cilët jetojnë në konvikte u shprehën se kushtet aktuale janë shumë të këqija dhe se mungon ngrohja, uji është me orare, mungon interneti dhe mensat publike.

Kushtet aktuale të konvikteve shpjegojnë edhe arsyen pse në konviktet e Qytet Studentit ka dhoma bosh. Sipas përgjigjeve zyrtare nga Bashkia Tiranë, janë 639 shtretër të lirë. Kapaciteti akomodues është 4384 studentë, ndërsa aktualisht këto konvikte banohen nga 3745 studentë.

Nga ana tjetër, kampusi universitar vijon të jetë një premtim i pambajtur. Prej vitit 2019, pas protestave të mëdha studentore, zotimet për “mega-biblioteka, mensa, terrenet sportive dhe hapësirat çlodhëse për studentët”, mbetën thjesht në retorikë.

Nga ana tjetër, agjenti i pasurive të paluajtshme, Klevis Oshafi, tha për Citizens Channel se studentët zgjedhin të marrin shtëpi në periferi të Tiranës, ndonëse çdo vit ka rritje eksponenciale të qirasë mujore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *