Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shpallja Park Natyror nuk e shpëton Vjosën nga rreziku i hidrocentraleve

Një Vendim i Këshillit të Ministrave e shpalli dje Luginën e lumit Vjosa Park Natyror. Vendimi u prit me shqetësim nga ambientalistët, të cilët përmes një sërë protestash dhe peticioni të firmosur nga mbi 49,000 qytetarë, kanë kërkuar që Vjosa të shpallet Park Kombëtar – duke marrë kategorinë II të mbrojtjes, ndërsa statusi i dhënë nga qeveria i jep asaj vetëm një mbrojtje të kategorisë IV.

Organizata mjedisore EcoAlbania e ka konsideruar të pamjaftueshme shpalljen e Vjosës si Park Natyror.

“Parku Natyror nuk është i njejtë me Parkun Kombëtar. Kategoria e Parkut Natyror nuk e mbron lumin Vjosa dhe degët e saj nga shaktërrimi dhe nuk ofron të njejtat mundësi për zhvillimin e eko-turizmit në zonë siç do të bënte Parku Kombëtar (kategoria II e zonave të mbrojtura)”, sqaron organizata.  

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania u shpreh se veprimi i qeverisë është “një përgjigje e cunguar ndaj kërkesës tonë të depozituar zyrtarisht një vit më parë, në shkurt 2021, ku propozohej shpallja e lumit Vjosa dhe degëve të saj Park Kombëtar”.

“Vendimi i djeshëm nuk na surprizon dhe në vetvete nuk përbën një angazhim serioz të qeverisë për të mbrojtur vlerat e biodiveristetit dhe trazhëgiminë natyrore të luginës së Vjosës”, tha Nika.

Olsi Nika, EcoAlbania

“Pse Parku Natyror nuk siguron mbrojtje të mjaftueshme?”

Aktivistët mjedisor dhe ekspertët e kanë vlerësuar si të pamjaftueshëm vendimin e qeverisë dhe shpjegojnë se, Parku Natyror nuk siguron mbrojtjen e plotë të gjithë ekosistemit ujor dhe biodiversitetit.

Sipas ligjit 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, Park Kombëtar (Kategoria II),  shpallen territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1 000 ha, “unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, që ruhen dhe menaxhohen për mbrojtjen e ekosistemeve, llojeve, për edukim dhe rekreacion (çlodhje e argëtim), që rregullojnë përdorimin e qëndrueshëm nga ana e njeriut të burimeve natyrore”. Lugina e lumit Vjosa zë një sipërfaqe prej rreth 8000 hektarësh tokë.

Ndërkohë sipas ligjit, Parku Natyror ose ndryshe “rezervat natyror i menaxhuar” shpallen:

“territoret, që përfaqësojnë zona me ndërhyrje aktive të njeriut për qëllime menaxhimi të llojeve dhe habitateve, në mënyrë që të garantohet ruajtja e habitateve dhe të plotësohen kërkesat specifike të llojeve me rëndësi rajonale e vendore, si dhe zonat që përdoren për qëllime studimore, edukative dhe Kulturore”.

Drejtori i EcoAlbania, Olsi Nika sqaron se: 

“Zona aktuale e mbrojtur nuk përfshin degët si Bënçë dhe Shushicë dhe do t’i linte të ekspozuara këto degë dhe pjesët kryesore të lumit, ndaj kërcënimeve si ndërtimi i hidrocentraleve, kërkimi për naftë dhe gaz natyror dhe zhvillimet shkatërruese të aeroportit dhe komplekseve të hoteleve. Për më tepër, kjo kategori mbrojtje nuk do të zhvillojë ekoturizmin dhe do të ketë pak ose aspak potencial ekonomik për vendasit”.

Ligji nuk e specifikon ndalimin e hidrocentraleve brenda Parkut Natyror por thekson se nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyre të rezervave ujore. Ligji 81/2017 – “Për zonat e mbrojtura”, neni 19, pika 3/a

“Në “Parkun natyror” nuk lejohet të zhvillohen aktivitetet e mëposhtme: a) ndryshimet e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore”.

Citizens ka raportuar më herët, rastin e lumit Luma në Kukës.  Brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik në Kukës, janë ndërtuar pesë hidrocentrale, të cilat kanë tharë shtratin e lumit Luma, duke e kthyer atë në një rrjedhë pa ujë, ku vendin e tij e kanë zënë gurët dhe inertet.

Jakup Allaraj, banori i Topojanit në Kukës, tregoi për Citizens se dëmet që ato kanë sjellë në mjedis janë të mëdha.

“Qeveria mbyll sytë përballë 50 mijë qytetarëve dhe organizatave mjedisore”

Qytetarët, aktivistët, ekspertët, banorë të zonës, si dhe organizata të huaja në mbrojtje të mjedisit kanë kryer një rezistencë të gjatë për të shpallur Vjosën Park Kombëtar.

draft raportin e shkruar nga takimi i 22 shkurtit të 2021, në paragrafin 42, Bashkimi Evropian i kërkoi autoriteteve shqiptare të shpallnin luginën e Vjosës Park Kombëtar.

“Pavarësisht zërit të organizatave mjedisore, ekspertëve, banorëve, njësive të qeverisjes lokale, personazheve të njohur dhe rreth 50 mijë qytetarëve, që kanë kërkuar shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar dhe krijimin e parkut të parë të një lumi të egër në Evropë, qeveria ka vendosur të finalizojë përmes vendimit të djeshëm një proces tërësisht të nxituar, të pa konsulturar dhe të pabazuar në njohur shkencore, atë të rishikimit të rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura”, thuhet në njoftimin e EcoAlbania. 

“Rama premtoi shpalljen e Vjosës Park Kombëtar”

Kryeministri Edi Rama, në një takim në Tepelenë në 2015 u shpreh se qeveria e tij po punon që të shpallë rrjedhën e lumit Vjosë “Park Kombëtar”.

Rama u shpreh se po punohej “që të frenohet barbarizimi i kësaj mrekullie natyrore përmes ndërtimit pakuptim të hidrocentrale pas hidrocentralesh”.

Pas reagimeve të ndërkombëtarëve, protestave e nismave ligjore nga qytetarët për të shpallur Vjosën Park Kombëtar, Rama premtoi sërish në 2020 se qeveria e tij po merrte hapa për ta realizuar këtë.

Por postimet e tij mbetën vetëm online, pasi nuk u konkretizuan ndonjëherë në letër apo në ndonjë nismë qeveritare. 

Më 3 Janar, Citizens raportoi se pavarësisht premtimeve të përsëritura elektorale, Lugina e Vjosës ende nuk gëzonte zyrtarisht mbrojtje ligjore, e cila do të mundësonte anulimin e digave të HEC-eve në rrjedhën e lirë prej rreth 200 kilometrash. 

Organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare kanë ngritur zërin për vlerat e mëdha që gëzon lumi i fundit i egër në Evropë dhe pohojnë se ajo duhet shpallur ‘Park Kombëtar’, kategori e cila ndalon në formë të prerë ndërtimin e HEC-eve.

Në prill të 2021, ish-Ministri i Mjedisit, përmes një deklarate kontradiktore dhe të paqartë, cilësoi një tjetër mbrojtje ligjore për Vjosën, ku u premtua kategoria e pestë “Peizazh i Mbrojtur”.

“Historiku i hidrocentraleve në Vjosë”

Citizens ka raportuar më herët mbi historikun e ndërtimin të hidrocentraleve në Vjosë. 

Duke iu referuar të dhënave të marra nga organizatat ndërkombëtarë, si: “Riverëatch”, “EuroNatur”, “Save the blue heart of Europe” dhe organizatën kombëtare “EcoAlbania”, në Vjosë janë planifikuar të ndërtoheshin 31 hidrocentrale.

Hidrocentrali i parë që u miratua të ndërtohet në lumin Vjosë ishte ai i Kalivaçit. Leja u dha në vitin 1997 por ndërtimet filluan në vitin 2007. Punimet u ndërprenë si pasojë e problemeve të likuidimit me kompaninë nënkontraktore.

Më pas, Qeveria Shqiptare anuloi kontratën e koncesionit në vitin 2017 dhe rihapi tenderin për përfundimit të digës në Kalivaç

Hidrocentrali i Poçemit është një tjetër projekt i shumëdiskutuar. Leja për ndërtimin e një dige iu dha kompanisë turke “Kovlu Energy” në vitin 2016, por pas kërkesash të shumta për informacion, u zbulua se firma private kishte kryer konsultime për këtë hidrocentral me banorë të Fierit.

HEC-et e tjera janë planifikuar të ndërtohen në Luginën e Shushicës, në Luginën e Drinos, në Luginën e Bënçës dhe në Langaricë.

776 shkencëtarëve nga 46 shtete të botës, në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë, nënshkruan peticionin ku kërkohet pushimi i projekteve që do të ngrenë diga në lumin e vetëm të egër në Evropë.

Ky peticion iu drejtua qeverisë shqiptare, përkatësisht Kryeministrit, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai mbetet një ndër peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në rang botëror.

Njëkohësisht, edhe komuniteti u angazhua në protesta të vazhdueshme dhe asnjë hidrocentral nuk është përfunduar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *