Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zëra nga “5 maji” – Podkast nga Citizens Channel

Ky podkast përcjell zërat e banorëve të lagjes “5 Maji”, që presin nga dita në ditë shembjen e shtëpive. Një seri vendimmarrjesh që nisin me Aktin Normativ pas tërmetit të vitit 2019, VKM-në që i jep Bashkisë Tiranë kompetenca zbatimi dhe Planit të Detyruar Vendor, miratuar nga KKT; shpejtuan shndërrimin e kësaj zone në projektin e paracaktuar prej kohësh me emrin “Tirana Riverside”.

Dëgjo podkastin e plotë:

 

“Ndoshta është edhe absurde ta thuash, por jemi informuar nëpërmjet rrjeteve sociale, që në zonën 5 Maji ose njësia nr. 8 dhe njësia nr. 4 do të ketë zhvillim të zonës për arsye të rindërtimit ose post tërmeti me akt normative nr. 9”, thotë Bekim Cerri, banor i zonës.

Fadromat e Institutit të Mbrojtjes së Territorit, shoqëruar me qindra forca policie, ndërhynë në 19 janar duke shembur edhe shtëpitë e banorëve që kanë refuzuar të firmosin marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës.

Bekim Cerri dhe Gjin Nikolli

“Kontrata e tyre që është kontratë premtimi. Kemi pyet noterë dhe avokatë dhe thonë që kjo kontratë është e paligjshme”, vijon Cerri.

Gjin Nikolli pohon se nuk është kundër rindërtimit të zonës dhe akomodimit të pastrehëve por nuk është dakord me mënyrën sesi po trajtohen banorët dhe po zhvillohet i gjithë procesi.

“Fut njerëz brenda që shumë mirë e bën, po jo ti fusin aty ku jemi ne dhe të dalim ne jashtë”, sqaron Nikolli.

Avokatja Dorina Asllanaj liston një sërë arsyesh pse kontrata është e njëanshme dhe në disfavor të qytetarëve.

“Kontratat që ju janë propozuar banorëve janë dorëzuar në shtëpitë e tyre nga punonjësit e bashkisë, pra në mungesë të një noteri. Noteri duhet të jetë aty për të verifikuar ligjshmërinë e të gjithë procesit, në këtë rast nuk ka ndodhur ”, thekson ajo.

Sipas avokates Asllanaj banorët nuk kanë mundësi të kërkojnë zgjidhjen e kontratës në rast se bashkia nuk respekton detyrimet e marra përsipër nëpërmjet kësaj kontrate.

“N.q.s. kontrata nuk ka afat atëherë banorët nuk kanë mundësi ti drejtohen gjykatës duke i kërkuar bashkisë përmbushjen e kësaj kontrate, nëse pas dy, tre, apo x vitesh kjo kontratë nuk përmbushet”, shpjegon ajo.

Asllanaj konfirmon se nga pikëpamja profesionale ajo kontratë është bërë me shpejtësi dhe e pasaktë ligjërisht.

“Bashkia nuk është një sipërmarrës, edhe sipërmarrësit nuk bëjnë kontrata kaq të pabarabarta. Bashkia është në shërbim të qytetarëve dhe në këtë rast sillet si korporatë që nuk pyesin kë kanë përpara”, përfundon Asllanaj.

Ekspertët: “Xhentrifikim dhe spastrim i zonës”

Jo vetëm nga ana ligjore por edhe nga ana urbanistike sipas ekspertëve procesi i rindërtimit në zonën e 5 majit ka një sërë ngërçesh.

“Banorët po stigmatizohen, përveçse shohin përditë që shtëpitë e tyre po prishen, ata dëgjojnë edhe gjuhën, retorikën përçarëse të drejtuesve të bashkisë, kryetarit të bashkisë i cili i quan shpellarë, përdor një gjuhë që nxit një ndarje krahinore. Ndihet vërtet sikur po bëhet një xhentrifikim, sikur po bëhet një spastrim”, pohon arkitektja Dorina Pllumbi.

Sipas saj projekti “Tirana Riverside” i Boerit është tipik propagandistik, rendera me gjelbërim por që realisht është një projekt me blloqe banimi, asgjë e jashtëzakonshme siç e kanë reklamuar.

“Kjo është një strategji që e shohim shpesh në Shqipëri, thirrja e star arkitektëve që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën shqiptare por veç kanë marrëdhënie të mira biznesi me pushtetarët  dhe paguhen mirë”, analizon Pllumbi.

Ky projekt ka ngjallur interes për tu studiuar jo vetëm nga specialistë të fushave por edhe nga studentë të arkitekturës dhe aktivistë. Një nga përfaqësuesit e një grupi rinor i cili është përditë në terren pohon se ka rënë në kontakt me ngjarjet nga planet e detyruara vendore të bashkisë që mbërrinin në fakultet.

“Historitë aty janë shumë prekëse, duhet ti vendosësh gur zemrës, që të vazhdosh të bësh punën aty përndryshe …” thotë Nebih Bushaj, student i arkitekturës.

Sipas tij parregullsitë e procesit nisin që me paqartësinë e banorëve, shqetësimet dhe stresin që ata përjetojnë, mospublikimi i planit të detyruar vendor, mungesa e tabelave të punimeve jashtë kantiereve, mungesa e konkursit dhe e diskursit me ekspertët etj.

“Ajo justifikohet nëpërmjet tërmetit, por dihet me saktësi se ka pasur plane të mëparshme për të ndërhyrë në atë zonë, që nga plani Grimshaw që cek komplet bregun e lumit në të dyja anët”, përfundon Bushaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *