Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: “Pse rritja ekonomike nuk e ul nivelin e varfërisë së shqiptarëve?”

Pavarësisht rritjes ekonomike që ka pësuar Shqipëria, niveli i varfërisë mbetet thuajse i njejtë me vitin 2008. Referuar të dhënave të Albanian Economist nga ekonomisti Klajdi Bregu, në vitin 2008 në Shqipëri 31% e popullsisë jetonte me më pak se pesë Euro në ditë, ndërkohë në vitin 2021 kjo shifër ishte 30.8 përqind. 

Ekonomisti Klajdi Bregu, sqaron për Citizens Channel: “kjo ka ndodhur përpos faktit që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë është rritur me rreth 27 përqind nga vitin 2008 deri në vitin 2021”.

Ai ngre një pyetje në lidhje me këto të  dhëna: “Nëse PBB për frymë është rritur me rreth 27 përqind ku ka shkuar kjo rritje?”

Përgjigja që jep ai është se, rritja ekonomike në Shqipëri “nuk është e drejtuar nga tregu por nga pushteti”.

Sipas ekspertit të ekonomisë, në situatën që ndodhet ekonomia e Shqipërisë, ata që janë më të varfër janë larg pushtetit dhe si pasojë nuk kanë përfituar aspak gjatë 13 viteve të fundit”.

“E dyta, rritja ekonomike në Shqipëri pas vitit 2008 ka qënë shumë e ulët krahasuar me potencialin që ne kemi, dhe kur rritja ekonomike është e ulët është e vështirë për shtresat në nevojë të përfitojnë. Ajo që duhet të vihet në dukje këtu është se kjo është e lidhur direkt me pikën e parë”, sqaron më tej Bregu. 

Bregu shton se ekonomisë së vendit i është bërë një deformim nga përdorimi i pushtetit dhe për këtë arsye është bllokuar zhvillimi ekonomik.  

“E treta, ajo që ndodh është që një pjesë e PBB-së së raportuar është fiktive. Për ta kuptuar këtë mjafton të shikojmë akuzat, me shumë gjasa të vërteta, për inceneratorin e Elbasanit, ku kontratat ishin fiktive, pra lekët paguheshin dhe nuk prodhohej asgjë. Në këtë rast ajo që ndodh është që shpenzimet raportohen dhe kjo përfshihet në PBB, por në realitet asgjë nuk është prodhuar. Pra, me shumë gjasa rritja e vërtetë është me e ulët se 27 përqind”, argumenton Bregu teksa flet mbi disnivelin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Klajdi Bregu- ekonomist

“Pse nuk ulet varfëria?”

Sipas Bankës Botërore nga viti 2021  deri në  vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit. 

Bregu i tha Citizens se është shumë shqetësues ritmi me të cilin varfëria ka rënë nga viti 2014 ku arriti vlerën më të lartë prej 37%. 

“Me këtë ritëm ne të do na duhen edhe 31 vite të tjera për ta eleminuar varfërinë. Fatkeqësisht duke parë parashikimet e rritjes ekonomike të qeverisë, të cilat me gjasa do të rezultojnë të ekzagjeruara, mund të themi që kjo situatë do të vazhdojë”, u shpreh Bregu.

Të dhënat e Bankës Botërore që tregojnë se varfëria do të bjerë vetëm me 1.5% në 2023, vërtetojnë sipas ekonomistit “trajektoren shumë të ngadaltë që rënia e varfërisë ka në Shqipëri”.

Ai propozon si zgjidhje për uljen e varfërisë, rritjen e PBB-së  me mbi pesë përqind dhe një drejtim të rritjes nga tregu jo nga pushteti. 

“Derisa të ndërtojmë një ekonomi të tillë, shumë pak ka për të ndryshuar për shtresat më të varfra të shoqërisë”, thotë ai.

“Shqipëria me varfërinë më të lartë në rajon”

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), tregoi se Shqipëria është vendi me varfërinë me të lartë në rajon.  

Në vitin 2020, në Shqipëri një e treta e popullsisë, pra 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% që ishte në 2019.  

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thuhet në raportin e FMN.

Sipas vlerësimit të FMN-së, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Ndërkohë që varfëria është në këto nivele, FMN parashikon që rritja e çmimeve do të vijojë. 

Në shtator 2021, sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit ishte 2.5%, më i larti që nga janari 2017. Sipas parashikimeve të FMN-së, për vitin 2022, inflacioni, pritet të arrijë në 2.3% dhe deri në vitin 2026 të shkojë në 3%, që është dhe objektivi i shënjestruar i Bankës së Shqipërisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *