Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Diskutim: Gratë në shkencë dhe ndikimi i pandemisë në barazinë gjinore

Pjesëmarrja e vajzave dhe grave në shkencë dhe ndikimi i pandemisë në uljen e barazisë gjinore ishte tema që mblodhi në një tryezë diskutimi përfaqësues diplomatikë, gra dhe burra të përfshirë në fusha të ndryshme të shkencës si dhe përfaqësues te medias dhe shoqërisë civile.

Tryeza e thirrur nga Rrjeti i Grave Shqiptare në STEM dhe Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim (SCiDEV) u zhvillua më 11 shkurt, ditë e njohur ndërkombëtarisht për vajzat dhe gratë në shkencë në të gjithë botën, shpallur nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Për Blerjana Bino, drejtuese e SCiDEV, kjo datë shënon edhe themelimin e rrjetit në Shqipëri.

Blejrana Bino, SCiDEV

“Për ne në SCiDEV është një ditë shumë e rëndësishme sepse shënon një vit që nga koha kur themeluam zyrtarisht rrejtin e grave shqiptare në STEM, pas më shumë se 8 muajsh analiza, vlerësime, takime me partnerë dhe diskutime me vajza dhe gra në STEM dhe se si ti qasemi më mirë”.

Ndërsa shton më tej se qëllimi kryesor në këtë rrugëtim është promovimi dhe përfaqësimi i grave pjesëmarrësve në STEM, sidomos në kushtet kur pasojat e pandemisë janë negative për barazinë gjinore.

“Jemi përpjekur të punojmë me aktorë të ndryshëm, nga fusha e akademisë, shoqërisë civile dhe medias dhe po ashtu donatorë për të shtyrë më tutje axhendën e promovimit, përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së grave në STEM. Dhe sot kjo ka një fokus të veçantë te pandemia COVID-19 që na preku të gjithëve dhe se si barazia gjinore dhe çekuilibri i krijuar nga pandemia ka prekur gratë dhe rolet e tyre në shkencë dhe veçanërisht në STEM”,-përfundon Bino.

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Hastad u shpreh në fjalën e saj se pasojat negative që la pas COVID-19, duhet të adresohen nga vendimmarrësit.

“COVID-19 kishte një rol negativ për gratë në shkencë dhe veçanërisht për ato në hapat e parë të karrierës, duke kontribuar në zgjerimin e boshllëkut ekzistues në shkencë dhe nxjerrjen në shesh të pabarazive gjinore në sistemin shkencor. Dhe kjo duhet te adresohet nga politikat dhe vendimmarrësit”.

Ndërsa theksoi rolin e madh që gratë kanë pasur në luftën kundër COVID-19.

“Gratë kanë dhënë një kontribut të madh globalisht për të trajtuar COVID-19. Gratë përbëjnë 70% të punonjësve të shëndetit në botë. Por ato janë shpesh të nën përfaqësuara në vendimmarrje. Pra ato janë aty të ndihmojnë, por nuk marrin vendime. Shpërthimi i COVID-19 ka demonstruar rolin e rëndësishëm të studiueseve gra në faza të ndryshme për të luftuar COVID-19. Nga avancimi i njohurive mbi virusin, për të zhvilluar  teknika për testim dhe së fundmi për të krijuar vaksinën kundër virusit”,-u shpreh ambasadorja Hastad.

Radia Perlman, Susan Kare, Sarah Gilbert, Katalin Karikó dhe Motra Kenneth Keller ishin disa nga vajzat dhe gratë në shkencë që ambasadori i Hollandës në Shqipëri, Reinout Vos përmendi gjatë diskutimit dhe duartrokiti kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.

Orkidea Xhaferraj, bashkë themeluese e Rrjetit të Grave Shqiptare në STEM gjatë moderimit të diskutimit theksoi rëndësinë e të qenurit pjesë e STEM.

“STEM është shumë i rëndësishëm jo domosdoshmërisht për të hyrë në një karrierë STEM, por është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e aftësive njohëse. Është aftësia e jetës që fëmijët dhe gjithsecili, duhet të kenë kur të rriten pavarësisht nga karriera që ata zgjedhin”.

“COVID-19 përforcoi problemet me të cilat përballen gratë shkencëtare”

Përmes ndërhyrjeve online në diskutim, disa kërkuese shkencore prezantuan qasjen e tyre dhe disa gjetje rreth ndikimit të pandemisë në pozitën e grave në shkencë.

Kërkuesja shkencore, Marsela Dauti theksoi se sot pas dy vite e gjysmë pandemi janë adresuar një sërë problemesh.

“Nëse ju shikoni listën e problemeve me të cilat përballen gratë në shkencë, panorama është mjaft e zbehtë. Femrat kryesisht kanë punë të përkohshme ose pa punë. Rrjeti i tyre profesional, sidomos krahasuar me kolegët e tyre meshkuj është më i dobët. Paga e pabarabartë, veçanërisht për postet e larta është një problem global për gratë në shkencë. Seksizmi dhe diskriminimi, ngacmimi seksual në vendin e punës janë një problem i madh me të cilin përballen gratë dhe që zakonisht nuk diskutohet”,-renditi Dauti.

Ndërsa theksoi se gratë në shkencë kanë më shumë gjasa të bëjnë punë që nuk njihet dhe nuk paguhet.

Ornela Ademi nga Agjencia Mjekësore Evropiane nënvizoi në prezantimin e saj rritjen e pabarazisë gjinore në përkujdesjen ndaj familjes si rrjedhojë e pandemisë.

Gratë po mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të barrës në shtëpi, duke pasur parasysh mbylljen e shkollave dhe institucioneve të kujdesit për fëmijët dhe pabarazitë gjinore në punën e papaguar. Në mbarë botën ne e dimë se vetëm 33% janë gra dhe atyre u jepet më pak fonde për kërkime se sa burrat dhe kanë më pak gjasa të promovohen”.

Megjithatë, ajo theksoi se gratë patën një rol thelbësor, ndërsa mbajtën edhe role kryesore në luftën kundër COVID-19.

Genta Qirjako, përfaqësuese e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri u shpreh se gratë që punojnë në sektorin e shëndetësisë janë të shumta në numër, megjithatë, shumë pak prej tyre janë angazhuar në kërkim shkencor.

“Numri i grave të angazhuara në kërkim shkencor, sidomos në kërkimin shkencor në shëndetin publik është shumë i ulët në Shqipëri. Për fat të keq e shoh këtë edhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku kemi shumë gra që punojnë aty por shumë pak prej tyre janë të përfshira në kërkimin shkencor. Kjo është një çështje që duhet adresuar”.

Çfarë është STEM?

STEM është fjala umbrellë që grupon bashkë disa disiplina akdemike sikurse shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika, duke i grupuar sw bashku. Megjithatë nuk përjashton edhe shkenca të tjera sikurse psikologjia, sociologjia, ekonomia dhe shkencat politike. Ky term zakonisht përdoret për të trajtuar një politikë arsimore ose zgjedhje të kurrikulës në shkolla.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *