Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i Bankës Botërore kritikon modelin ekonomik të Shqipërisë

Rritja ekonomike e Shqipërisë kërkon një model ekonomik më të fortë dhe më të qëndrueshëm, thekson raporti i fundit i Bankës Botërore, i publikuar pak ditë më parë. 

“Modeli ekonomik i Shqipërisë kërkon investime më të mëdha në aftësitë e njerëzve, qëndrueshmërinë dhe financat publike”, theksohet në njoftimin për shtyp të  raportit, duke vënë gjithashtu në dukje nivelin e lartë të borxhit publik në Shqipëri.

Sipas Memorandumit të ri Ekonomik të Bankës Botërore (CEM) për Shqipërinë, vendi është ndikuar rëndë nga goditjet ekonomike që pasuan tërmetin e vitit 2019, edhe pandeminë COVID-19. 

“Pasi të qetësohet kriza e vazhdueshme shëndetësore, vendit do t’i duhet të ripërqendrohet në objektivat e tij ekonomike afatgjata, të cilat përfshijnë ndërtimin e një modeli të fortë dhe të qëndrueshëm rritjeje për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve, duke ndihmuar kështu në nxitjen e njerëzve me aftësi dhe talent për të qëndruar në Shqipëri”, thuhet në raport. 

Menaxheri i i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas deklaroi: 

“Përmes këtij raporti, ne kryejmë një analizë të re të sfidave të zhvillimit të Shqipërisë, përmbledhim progresin me zbatimin e reformave dhe ofrojmë rekomandime kyçe që mund të ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse”. 

Mbi investimin në njerëz dhe përmirësimin e aftësive, Banka Botërore thotë se Shqipëria duhet të zhvendosë fuqinë punëtore nga punët me kualifikim të ulët dhe të mesëm në ato me aftësi të larta. 

“Mbi Rritjen e produktivitetit dhe krijimit të mundësive më të mira të punës” raporti thekson se  PBB-ja për person të punësuar në Shqipëri do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti si firma mesatare e Ballkanit Perëndimor. 

Që firmat shqiptare të jenë më produktive, duhet të përmirësohet mjedisi i biznesit, të forcohet inovacioni dhe të thellohet integrimi i shqiptarëve në ekonominë globale”, shpjegon raporti i Bankës Botërore. 

“Ndërtimi i një modeli rritjeje më të qëndrueshme”

Raporti vlerëson se më shumë se 70% e mbetjeve në Shqipëri keqmenaxhohen, ndërkohë që tërmetet dhe përmbytjet shkaktojnë dëme që kushtojnë mesatarisht 147 milionë dollarë çdo vit. 

“Shqipëria duhet të ndërtojë një model ekonomik të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe më rezistent ndaj fatkeqësive natyrore”, thekson raporti. 

Shqipëria ka një inflacion në rritje, sipas të dhënave të INSTAT inflacioni është rritur me 3.7%, për një pjesë të madhe inflacioni është shumë më i lartë.

Kategoria “Ushqime dhe Pije Joalkolike”, në të dhënat e INSTAT është rritur me 6.7%. 

Sipas INSTAT kjo kateogri është 35% e shpenzimeve të qytetarëve shqiptatë.

Sipas ekonomistëve kjo përqindje mund të jetë e vërtetë për një familje mesatare, por për familjet e varfra është shumë me e lartë.

Albanian Economist vlerëson se familjet e varfra shpenzojnë mbi 50% të buxhetit të tyre në ushqime, dhe si pasojë janë më të prekura nga inflacioni për momentin. “Pra një familje e varfër, duke marrë parasysh të dhënat e INSTAT, ka shumë gjasa që inflacionin e ka mbi 5%”, shpjegon Albanian Economist.

“Borxhi Publik mbi mesataren e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”

Raporti i Bankës Botërore mbi “Forcimi i financave publike” vlerëson se borxhi publik i Shqipërisë është shumë mbi mesataren e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

“Për të garantuar qëndrueshmërinë e financave të vendit, normat e tatimit mbi të ardhurat personale duhet të jenë më të drejta, të ardhurat nga TVSH-ja të rriten dhe besueshmëria e politikës fiskale të përforcohet, veçanërisht nëpërmjet një angazhimi të qëndrueshëm politik ndaj rregullave fiskale”, thotë raporti.

Për vitin 2022, Borxhi Publik për frymë është parashikuar të arrijë vlerën 496,040 Lekë apo rreth 4,099 Euro, referuar të dhënave të Open Data

Open Data ka bërë një krahasim mbi të dhënat e 2020, krahasuar me pesë vite më parë, një qytetar Shqiptar do të paguajë rreth 117,343 Lekë më shumë, pra një rritje të Borxhit për frymë prej 31%.

Shqipëria dhe vendet e rajonit sipas Borxhit Publik 2020, grafik Open Data Albania

Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria renditet në vend të tretë pas Malit të Zi dhe Serbisë sa i përket borxhit publik. 

Sipas ODA, shtetet me koston më të ulët të borxhit publike, janë Kosova me rreth 925 Euro, Bosnjë dhe Hercegovina me rreth 1953 Euro dhe Maqedonia e Veriut me rreth 2676 Euro.

Grafik Open Data Albania

Pavarësisht rritjes ekonomike që ka pësuar Shqipëria, ekspertët analizojnë se niveli i varfërisë mbetet thuajse i njejtë me vitin 2008. Referuar të dhënave të Albanian Economist nga ekonomisti Klajdi Bregu, në vitin 2008 në Shqipëri 31% e popullsisë jetonte me më pak se pesë Euro në ditë, ndërkohë në vitin 2021 kjo shifër ishte 30.8 përqind. 

Ekonomisti Klajdi Bregu, sqaroi për Citizens Channel: “kjo ka ndodhur përpos faktit që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë është rritur me rreth 27 përqind nga vitin 2008 deri në vitin 2021”.

Sipas Bankës Botërore nga viti 2021  deri në  vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit.

Bregu i tha Citizens se është shumë shqetësues ritmi me të cilin varfëria ka rënë nga viti 2014 ku arriti vlerën më të lartë prej 37%.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *