Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kush jam”, një performancë teatrale mbi bullizmin

Performanca teatrale “Kush jam”, e shfaqur në Teatrin Eksperimental, solli në qendër të skenës historitë e katër nxënësve të bullizuar. Tre prej tyre rrëfyen pjesë nga përditshmëria, përmes një katrori prej hekuri ndërsa personazhi i katërt e kallëzoi atë përmes një karrigeje me rrota.

Kjo performancë nis me këtë dialog:

“Ansi: Ma shpif kjo klasa. Si s’gjen një gocë të bukur.

Helio: Po e bukur është edhe Ana.

Ansi: Po ik o plak se ajo është si mizë e ngrodhme.

Ana: Të paktën jam e bardhë, jo si ti!”

Ndërsa vijon me fraza talljeje për Anën, vajzën e varfër e cila ka vështirësi të përballojë kostot ekonomike të shkollimit.

Regjisorja Klaudia Piroli tregon për Citizens Channel se vepra është titulluar ashtu, pasi ne e gjejmë veten vazhdimisht duke pyetur veten se kush jemi, ashtu sikurse personazhet e mësipërme.

Aktorët e kësaj vepreje e kanë të vështirë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, pasi gjenden në një mjedis i cili jo vetëm nuk i lejon të zhvillohen, por i detyron ato të mbyllen në vete, simbolikisht të manifestuar përmes kutisë prej hekuri.

Kur futen brenda kubeve secili tregon atë ndjesinë e vet. Ça ndodh kur ne e bullizojmë njëri-tjetrin, si ndjehen këta njerëz kur bullizohen”, – shpjegon regjisorja.

—-

Kështu, brenda kutisë së vet, Ana tregon se mësuesit e tallin duke e quajtur “gomëngrënëse”. Ajo është një vajzë e varfër, familja e së cilës mbahet vetëm nga paga e nënës së saj, shumë poshtë pagës minimalë të diktuar nga ligji.

Anisa Hysa, aktore në performancën teatrale “Kush jam”/ Foto: David Hardy

Thuhet se nuk është faji i fëmijëve për mjerimin ku jetojmë. I kujt është atëherë? I nënës timë që punon tetë orë në ditë për 180 mijë lekë?”, – ngre Ana, në performancën teatrale “Kush jam”.

Ana nuk e ndjen shkollën një vend të sigurte ndaj dëshiron ta braktisë atë.

—-

Kur hyra për herë të parë në klasë, askush nuk u ul me mua, askush nuk u afrua dhe të gjithë thonin i vjen era”, – tregon Ansi, djali me ngjyrë, i cili përjeton bullizëm nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit.

Që nga ai moment, unë e mbaja shishen e parfumit me vete. Por a e dini kur boshatisej shishja ime e parfumit?”, – ngre pyetjen Ansi para publikut.

Sinan Lila, aktor në performancën teatrale “Kush jam”/ Foto: David Hardy

Në orën e fizkulturës. Më rrinin larg, i rrinin larg një gabeli të djersitur. Edhe gabel dhe i djersitur. Kombinim që të zë frymën si ai koshi i mbeturinave në trotuar”, – përgjigjet ai.

Ansi merr vesh se shoku i tij i klasës është gej. Në atë moment, ai shpreh dëshirën për ta rrahur. Dhe pas dëshirës për ta rrahur, ai thekson se do ta braktisë shkollën.

—-

Çfarë, çfarë je ti? E hoqi rripin, e shtrëngoi. E shtrëngoi rripin aq fort sa nuk mund të shihja”, – thotë në mes të skenës Heloi, me frymën e shuar. Ai rikujton një nga momentet e dhunës që përjeton në rrugë, nxitur nga urrejtja.

“Kur fola me psikologen më tha: ‘Duhet të jesh i kujdesshëm, nuk duhet ta kuptojë askush që je kështu’. Pësoi atë traumën e homofobëve”, – thotë në kutinë prej hekuri Helio.

Mateo Dervishaj, aktor në performancën teatrale “Kush jam”

Nuk e dini se të gjithë homofobët janë nga pak të traumatizuar?”, – ngre pyetjen ai, teksa i kërkon Ansit të heqë rripin dhe ta godasë sërish, ashtu sikurse kishte bërë më herët.

—-

Dhe së fundmi, Blerta shfaqet në mes të sallës me karrigen e saj me rrota. “Ikën, e braktisën shkollën. Ndjehem vetëm, siç jam ndjerë gjithmonë”.

Deljana Topulli, aktore në performancën teatrale “Kush jam”

Ajo tregon se vazhdimisht është hasur me shikime plot mëshire dhe me bullizëm.

Dhuna në shifra

Duke iu referuar skenës ku njëri prej personazheve godet djalin gej me rrip, regjisorja tregon se ky pasazh dhune, i sjellë në skenë, ishte i qëllimshëm.

Këtë duhet të bëjë teatri, ta sjellë atë situatën siç është, sepse ne shumë gjëra nuk i dimë. Ajo që ndodh aty në rrugë ne duhet ta sjellim aty, në skenë”, – shprehet Klaudia Piroli, e cila dëshiron që shoqëria të dijë se çfarë pasojash sjell tek individët urrejtja.

Personazhet e kësaj vepre, pohon në vijim regjisorja, nuk janë viktima, por janë njerëz të inatosur nga realiteti.

Krijimtaria e regjisores Piroli u frymëzua nga rezultatet e marra nga pyetësori i publikuar nga Aleanca LGBT, ku 196 nxënës dhe studentë të vitit akademik 2020-2021, iu përgjigjen pyetjeve që lidhen me dhunën dhe bullizmin në shkolla.

43% e të anketuarve i përkasin grupmoshës 14-18 vjeç, ndërsa 57% e tyre janë mbi 18 vjeç.

Sipas përgjigjeve të marra, pjesa dërrmuese e të anketuarve shprehen se kanë përjetuar bullizëm prej orientimit seksual të shprehur osë të supozuar. Nxënësit/studentët shprehen po ashtu se faktorë të tjerë si gjinia, pesha, pamja, shkaqet ekonomike i kanë përballur ata me dhunë.

Dhuna e vazhdueshme ka bërë që 30.7% e të anketuarve të mos shkojnë në shkollë sepse janë ndjehen të pasigurtë. 30.5% e tyre kanë ndërruar shkollën për këtë arsye.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *