Laureta Nikolli gjate protestes para parlamentit, 3 shkurt 2022

Laureta Nikolli, banore e zonës së “5 Majit” është gjobitur sot me një milion e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë lekë, nga Inspektoriati i Mbrotjes së Territorit. Edhe pse banesa është planifikuar të rrëzohet me 22 shkurt si pjesë e zbatimit të projektit Tirana Riverside, pronarja e godinës është penalizuar për ndërtimin pa leje.

“Janë konstatuar dhe 12 shtëpi të tjera pa leje, ndërkohë vetëm unë jam gjobitur”, pohon Laureta për Citizens Channel.

Vendimi i IMT Tiranë për prishjen e objektit

Laureta Nikolli ishte një nga tre banoret që mori pjesë në takimin me Kryeministrin Rama dhe nënkryetarin e Bashkisë Arbjan Mazniku në datën 10 shkurt. Nikolli realizoi një video gjatë takimit, ku denoncoi se kërkesat e banorëve nuk u dëgjuan.

“Nëse synimi i atyre është që të tërhiqem, unë do të vazhdoj protestat, nuk do të bëj mbrapa, madje më shumë do veproj, mesa të mundem”, thekson Nikolli.

“Në bazë të procesverbalit nr. 3369, datë 10\02\2022 inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pasi ushtruan një kontroll në subjektin juridik të Laureta Nikollit kanë konstatuar kundërvajtjen administrative “Objekt me rikonstruksion druri, me sipërfaqe 40 metra katrorë i cili përbën pengesë për zbatimin e projektit “Për zonën e re për zhvillim në njësinë administrative 4 dhe 8, zona 5 Maji, pa lejen përkatëse”, citohet në fletën e gjobës.

Gjoba e vendosur nga IMT TIranë në 15 Shkurt 2022

Kalvari i regjistrimit të pronës përfundon me gjobë

Nikolli tregon se kur fillimisht është interesuar për ta legalizuar banesën, kërkesa nuk është pranuar me arsyetimin se godina është e lëvizshme, prej druri, nuk ka çati dhe bazë betoni. Me publikimin e projektit të rindërtimit ajo ka aplikuar, por i është komunikuar se banesa e saj nuk ekziston në hartë.

Shtëpia e Laureta Nikollit në lagjen “5 Maji”

“I kam kërkuar që të vijnë në zonë edhe ta konstatojnë si godinë, më kanë thënë nuk bëhet. Në letërnjoftimin e gjobës e kanë vënë 40 metra katrorë te shkresa. Po tani ku dhe si e kanë konstatuar?”, shprehet Nikolli.

Avokatja Dorina Asllanaj sqaron për Citizens Channel se pas refuzimit të vendimi për legalizim, duhet t’i jepet mundësi banores për ankimim në gjykatë. Sipas saj gjoba si sanksion është për vepra që nuk kanë aplikuar për legalizim ose s’kanë respektuar afatin.

“Gjobat e IKMT qëndrojnë te 50 mijë lekëshi, minimumi i gjobave të parashikuara, ligji parashikon ose në vlerën e ndërtimit ose jo më pak se 50 mijë lekë. Këta kanë llogaritur koston e ndërtimit (12 milionë e tetëqind e dyzetë e pesë mijë lekë). Si ka mundësi që nuk është objekt për tu legalizuar me një kosto të tillë ndërtimi?” pohon Asllanaj.

Ajo shprehet se në raste gjobe vëniesh të tilla, si p.sh. edhe në Bulevardin e Ri, Gjykata Administrative i ka shfuqizuar këto gjobitje si të paligjshme.

“Duhet t’i jepet koha njerëzve që të reagojnë, të ndërmarrin veprimet e duhura, për më tepër ti je duke ja prishur dhe duke i vendosur gjobë, ti në çdo rast do t’ja prishësh. Po gjobën pse ja ke vënë?”, shton Asllanaj.

Laureta Nikolli është banuese në godinën në fjalë që prej 2017 së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mitur.

“Po bëjnë presion! Nuk është se e zbuluan sot që është pa leje, po e përdorin në formë presioni për ti shpërqendruar banorët”, thekson Nebih Bushaj, aktivist i grupimit “E drejta mbi qytetin”.

Në një hartë të publikuar nga Bushaj në zonë identifikohen 12 godina pa leje në zonën e 5 Majit.

Harta e Objekteve që oreken nga projekti “Tirana Riverside” – Foto: Nebih Bushaj | E drejta mbi qytetin.

 

“Kemi vënë re në hartën e kadastrës që mungojnë rreth 12 godina, që i kemi shtuar ne sipas hartës satelitore”,  konfirmon ai.

Banorët e 5 Majit që prej datës 27 janar kanë protestuar çdo të enjte para parlamentit për ti dhënë zë kërkesave të tyre. Shembjet e shtëpive nga Bashkia Tiranë kanë nisur që në tetor të 2021 ndërsa shembjet e radhës janë planifikuar më 22 shkurt.

“Edhe pse e kam ditur paraprakisht që me 22 do me prishet shtëpia, vetëm sot kam marrë shkresën zyrtare për shembjen. Shtëpinë nuk e kam liruar, aty janë plaçkat brenda”, përfundon Laureta Nikolli.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu