Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rritja e naftës dëmtoi transportin publik, paralajmërohet pezullim i shërbimit

Shoqata e Transportit në Tiranë paralajmëron ndërprerje të shërbimit të transportit publik me datë një mars, në rast se qeveria shqiptare nuk merr parasysh katër kërkesa, që do t’u lehtësonin atyre kostot ekonomike, të intensifikuara pas rritjes së çmimit të naftës.

Kjo rritje, pohon Rixhin Qoshja nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, u pamundëson atyre vijimin e ofrimit të shërbimit në kushtet aktuale.

Katër kërkesat drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Belinda Ballukut, Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë janë këto:

  1. Rimbursimi i TVSH-së.
  2. Heqja e akcizës 37 lekë/litër.
  3. Heqja e taksës taksës së qarkullimit në karburant 27 lekë/lirër.
  4. Rimbursim nga ministritë përkatëse sa i përket kategorive të individëve (Invalidë pune, të verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë, studentët) që marrin shërbimin e transportit publik me çmim të reduktuar ose falas.

Prej fillimit të pandemisë, thotë Qoshja për Citizens Channel, përdoruesit e transportit publik janë reduktuar me 55%, krahasuar me vitin 2019, ndërsa kostot janë rritur, përfshirë edhe paga e punonjësve.

Aktualisht, ne punojmë me 60% të flotës, krahasuar me vitin 2019. Nafta dhe derivatet, të gjitha furnizimet që bëhen, janë rritur me afro 30%”, – shpjegon në vijim ai.

Çmimi i naftës shënoi rritje sërish në muajin shkurt të këtij viti, duke shënuar vlerën maksimale 199 lekë për litër.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u pyet më herët nga gazetarët nëse qeveria do të ndërhyjë në kufizimin e rritjes së çmimit, por ajo u shpreh se Shqipëria ka një ekonomi tregu të lirë dhe se nuk mund të ndërhyjnë.

Për sa kohë fenomeni vazhdon të jetë i njëjti dhe nuk ka asnjë marrje mase apo ndihmë kundrejt këtyre subjekteve, mosofrimi i shërbimit do të vazhdojë deri në momentin që këto kërkesa do të realizohen me veprime”, – thuhen në deklaratën e shoqatës.

Problematikat e vazhdueshme të transportit publik

Në datën 12 mars 2020, pas shfaqjes së rasteve të para me Covid-19 në Shqipëri, transporti publik ishte një ndër sektorët i cili u pezullua, si mënyrë për të parandaluar rritjen e rasteve më koronavirus.

Prej atij muaji, ndonëse masat u lehtësuan dhe rifilloi aktiviteti ekonomik, transporti publik qëndroi i mbyllur deri në muajin korrik, 2020. Punonjësit dhe përfaqësuesit e këtij sektori u shprehën se po përballen me vështirësi të shtuara ekonomike si pasoje e reduktimit me 50% të përdoruesve të autobusëve dhe kërkuan ndihmë në përballimin e kostove.

Njëjtë si më sipër, ata kërkuan heqjen e akcizës, zbritjen e TVSH-së nga 20% në 0%, rimbursimin e kategorive të përdoruesve të cilët përfitojnë shërbimin falas.

Reduktimi i pasagjerëve bëri që në verën e shkuar abonoja e përgjithshme të shitet nën kosto, 600 lekë, duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të këtij sektori.

Gjatë muajve qershor-korrik-gusht 2021, Bashkia Tiranë vendosi që të pezullojë abonetë me qëllim bërjen e një studim mbi transportin publik, të cilat u goditën nga pandemia.

Fill pas lajmit se Bashkia Tiranë do të hiqte abonetë, Organizata Politike u angazhua në nënshkrimin e një peticioni i cili kërkonte risjelljen e abonesë në treg. Një grup aktivistësh protestuan përpara Bashkisë Tiranë për kthimin e saj.

Në 21 qershor u dorëzua peticioni i nënshkruar nga 11 mijë qytetarë pranë Bashkisë. Në korrik, aboneja e përgjithshme u kthye në treg.

Në fund të muajin dhjetor të vitin 2021, Bashkia Tiranë miratoi një shumë prej një milion eurosh që do të shërbente si subvencion për ofruesit e shërbimit të transportit publik, bazuar në kilometrat e përshkuara gjatë muajve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *