Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

IMT shemb 12 banesa tek “5 Maji”, katër banorë shoqërohen në komisariat

Në orët e para të mëngjesit forcat e policisë kanë rrethuar zonën tek “5 Maji” ku ishte parashikuar aksioni i radhës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Banorët për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre, rezistuan me forma të ndryshme. Disa gra formuan një kordon për të mos lejuar shembjen e shtëpive të tyre, të tjerë u konfliktuan me policinë. Policia hodhi gazlotsjellës në disa nga banesat ku rezistenca ishte më e fortë.

Foto nga aksioni i shembjes tek lagjia “5 Maji”, Citizens Channel 22 Shkurt 2022

Pesë banorë u shoqëruan në komisariat, pasi tentuan të mbronin banesat e tyre. Gjin Nikolli, Laureta Nikolli, Agim Marku, Andi Marku dhe Mirash Marku u dërguan në rajonin numër 4.  

“Ne ishim në tarracë dhe unë po filmoja në fakt dhe na hodhën gaz lotsjellës, zbritëm menjëherë se gati nuk po mbusheshim dot me frymë dhe bashkë me tim shoq u afruam dhe hapëm të gjithë portën”, tregon për Citizens Channel Alisa Cerri, shtëpia e së cilës u shemb sot. Banesa e saj ishte në proces legalizimi. 

Alsida Cerri, banore e “5 Majit”

Alsida tregon se bashkëshortin e saj e shoqëruan në komisariat dhe se prej orësh nuk ka asnjë kontakt me të.

“Futuni, hajdeni prisheni i thamë dhe ajo çka im shoq ju kërkoi në fakt i tha nëse, ju afrua shefit të komisariatit, i tha si ka mundësi që sot vajza ime ka ditëlindjen dhe ju vini më prishni shpinë por nuk i dha asnjë shpjegim, thjesht e shoqëruan në komisariat dhe ai u bë një orë e gjysmë a dy orë që është në komisariat dhe unë nuk kam asnjë lloj kontakti me të sepse nuk përgjigjet në telefon”, shton Alsida. 

Nga 12 banesa që u shembën ditën e sotme më 22 shkurt, asnjëri nuk e kishte firmosur kontratën e shpronësimit. Katër nga shtëpitë që u shembën ishin të legalizuara së bashku me tokën, tre prej pronarëve kishin vetëm shtëpinë të legalizuar por jo tokën dhe pjesa tjetër ishin në proces legalizimi.  Në këtë zonë pritet të shemben 400 banesa, si pjesë projektit Tirana Riverside.

Klaudia Gjini banore e 5 Majit, shprehet se e vetmja zgjidhje që ju ka mbetur është largimi jashtë vendit. 

Klaudia Gjini, banore e “5 Majit”

“Ne do rrimë te tezja do rrimë, pastaj do largohemi nga ky vend, do ikim për Itali. Po do ikim se ca do bëjmë më këtu ne, s’ja vlen më. Nuk do rrimë me shpi me qira, me firmos nuk do firmosim, do largohemi”, tha ajo për Citizens Channel.

Fatmira Sejdini, një tjetër banore e 5 Majit tregon vështirësitë që ka kaluar për të ndërtuar shtëpinë.

Fatmira Sejdini, banore e “5 Majit”

Kemi vuajt nga sistemi, kemi qenë edhe të përndjekur, sido me qenë, na kanë interrnuar nga vendi jonë e na kanë çu direkt në shpi, në kohë të Enverit, 78. Këtë gjë nuk e kemi përjetu dhe na vjen shumë keq se shpiat i kemi bë me djersë, me borxhe, me mundim të madh që ti gëzojnë fëmijët tonë, ne sot s’jemi në gjendje më të bëjmë shtëpia të tjera”, u shpreh ajo për Citizens.

Mark Deda, shtëpia e së cilit është shembur në datën 19 tregon se sot i kanë shembur banesën e vëllait të tij. 

“Këtu siç mund ta shihni dhe me sytë tuaj është një masakër që po ndodh, këtu do shembet gjithë lagja”, tha ai.

Sipas banorëve pallatet e inauguruara nga Bashkia Tiranë për të pastrehët e tërmetit janë ende bosh, edhe pse të përfunduara.

“Pallatet janë bosh, pallatet që i ka ndërtu për tërmetin janë bosh , as ato nuk I ka fut Brenda në pallate, gjitha bosh janë, asnjë nuk ka brenda aty në pallate”, tha për Citizens Channel Liljana Mema banorë e lagjes “5 Maji”.

Shembja e banesave mes mungesës së informacionit dhe sheljeve ligjore

Në një podcast, Citizens Channel solli zërat e dy banorëve të 5 Majit, shtëpitë e të cilëve u shembën ditën e sotme. 

“Ndoshta është edhe absurde ta thuash, por jemi informuar nëpërmjet rrjeteve sociale, që në zonën 5 Maji ose njësia nr. 8 dhe njësia nr. 4 do të ketë zhvillim të zonës për arsye të rindërtimit ose post tërmeti me akt normative nr. 9”, tregonte Bekimi, banor i zonës.

Ndërsa Gjin Nikolli shprehej se nuk është kundër rindërtimit të zonës dhe akomodimit të pastrehëve por nuk është dakord me mënyrën sesi po trajtohen banorët dhe po zhvillohet i gjithë procesi.

Avokatja Dorina Asllanaj argumenton se kontrata është e njëanshme dhe në disfavor të qytetarëve.

“Kontratat që ju janë propozuar banorëve janë dorëzuar në shtëpitë e tyre nga punonjësit e bashkisë, pra në mungesë të një noteri. Noteri duhet të jetë aty për të verifikuar ligjshmërinë e të gjithë procesit, në këtë rast nuk ka ndodhur ”, thekson ajo.

Jo vetëm nga ana ligjore por edhe nga ana urbanistike sipas ekspertëve procesi i rindërtimit në zonën e 5 majit ka një sërë ngërçesh.

Banorët po stigmatizohen, përveçse shohin përditë që shtëpitë e tyre po prishen, ata dëgjojnë edhe gjuhën, retorikën përçarëse të drejtuesve të bashkisë, kryetarit të bashkisë i cili i quan shpellarë, përdor një gjuhë që nxit një ndarje krahinore. Ndihet vërtet sikur po bëhet një xhentrifikim, sikur po bëhet një spastrim”, pohon arkitektja Dorina Pllumbi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *