Ky podkast sjell zëra nga qytetarët e Ukrainës të cilët që nga e enjtja ndodhen nën sulmin e ushtrisë ruse por gjithashtu edhe zëra nga qytetarët rusë që po protestojnë masivisht në sheshe kundër luftës së nisur nga qeveria e tyre.

Dëgjo podkastin e plotë:

“Për momentin ka luftime që po vazhdojnë dhe në dy ditët e fundit ka qenë e tmerrshme situata këtu, sepse ushtria ruse po vret edhe qytetarë, po bombardon shtëpia, shkolla, kopshte fëmijësh”, ka rrëfyer për Citizens Channel Tkachenko Vitali, 39 vjeçari nga Kharkiv.

Fillimisht  Rusia i ka justifikuar sulmet me mbrojtjen e Donbassit, rajon qe sipas Kremlinit ka shpallur pavarësinë nga Ukraina, por në vijimësi janë sulmuar masivisht qytete krysore si Kharkiv, Odessa por edhe kryeqyteti Kiev.

Vendet në mbarë botën kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, kështu Rusia u përjashtua nga sistemi ndërkombëtar financiar Swift; qytetarët rusë kanë filluar të tërheqin paratë nga bankat pas uljes së kursit të rublave. Rusia është përjashtuar nga aktivitete ndërkombëtare të sportit dhe kulturës si Festivali Europian i Këngës, të gjitha kompeticionet e UEFA etj.

“Kjo nuk është një luftë vetëm për Ukrainën, kundër Ukrainës, kjo është një luftë kundër gjithë botës sepse nëse ky totalitarizëm fiton do të jetë fundi për të gjithë botën”, rrëfen Andrii Popov nga Kievi.

Rezistenca e ukrainasve ndaj pushtimit rus

Sipas shifrave zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri më tani janë larguar rreth 900 mijë ukrainas nga vendi i tyre. Bashkimi Evropian i ka hapur kufijtë e vendeve evropiane për të pritur refugjatët e luftës duke i dhënë një leje qëndrimi tre vjeçare.

“Ne të gjithë jemi gati, ne nuk do ti japim asnjë centimetër këtij agresori, jemi të gjithë gati. Çfarëdo që të ndodhi ne do të qëndrojmë deri në fund, kaq di të them”, ka theksuar Andrii Popov.

Popov tregon së tashmë e ka shënuar emrin në listat për t’ju bashkuar frontit të luftës por është në pritje të thirrjes nga baza ushtarake.

Qytetarë të tjerë kanë filluar të mobilizohen individualisht apo edhe në grupe duke krijuar kokteil molotovi për tu mbrojtur nga sulmet ushtarake ruse.

“Dje kemi mbledhur rreth 30 shishe, 1 litër ose 1,5 janë me te përshtatshmet, ne i miksuam me karburante, vaj, açeton dhe disa lloje plastikash, copa rrobash, mbushëm rreth gjysmë shishe secilën. Kur dikush vjen me nje tank apo makineri ti mund ta ndezësh atë”, shpjegon Tkachenko Vitali.

Vitali tregon se ai së bashku me të dashurën e tij, djalin 10 vjeçar, kushërinjtë dhe tezet e tij po fshihen nëntokë dhe ai ngjitet lart në apartament vetëm për të përgatitur ushqimin.

“Ne përdorim Facebookun, Instagramin, shumë njerëz bëjnë postime, ju lutem shkoni në këtë rrugë, nëse dikush mund të ndihmojë këtë fëmijë, këtë gjyshin, shkoni te ai spital atje për të dhënë ndihmë, të gjithë jemi në bashkëpunim me njëri tjetrin”, shton Vitali.

Olena Podobied është 36 vjeçe, pas bombardimeve te para ajo zgjodhi te largohej nga Kievi për tu fshehur në një strehë më të sigurt, rreth 300 kilometra larg zonës ku po ndodhin bombardimet.

“Është diçka e pabesueshme të marësh kaq fuqi nga mbështetja dhe ndihma që të gjithë po ofrojnë. Vetëm kur shikon këtë mund të marësh forcë për të vazhduar përpara dhe sigurisht presidenti ynë dhe shpëtimtarët tanë që po kujdesen për ne në vazhdimësi në kufi dhe në terren”, pohon Olena.

5000 të rinj rus të arrestuar se protestuan kundër luftës

Julia, një e re nga Shën Peterburgu me motrën e saj u arrestuan pasi dolën në sheshin qendror të qytetit për të kundërshtuar pushtimin rus.

“Nga një burim i sigurt jam informuar se ka më shumë se 5 mijë persona që janë arrestuar deri më tani nga protestat në rrugë”, konfirmon ajo.

Julia rrëfen se protesta u zhvillua në mënyrë shumë paqësore, nuk pati asnjë reagim apo agresion ndaj forcave policore, por pas 20 minutash ajo u arrestua.

“Mu duk sikur isha në një ekskursion, në një tur me autobus sepse ata përdorin këto mjetet specifike të transportit policor, tek autobusi jonë ishin diku te 40 persona”, tregon ajo.

Julia është e pasigurt nëse do dal sërish për të protestuar në shesh, pasi nga arrestimi i parë ajo mori një gjobë prej 10 mijë rublash dhe nëse arrestohet sërish mund të rrezikoj burg deri në 30 ditë dhe nuk është e sigurt nëse është e aftë për ta përballuar këtë psikologjikisht.

“Kjo është çmenduri, nuk i jap dot shpjegim si Putin vazhdon të ketë kaq mbështetje, por mendoj se pas kësaj definitivisht do ketë më pak njerëz që e mbështesin, shpresoj të paktën”, shton ajo.

Qytetarët ukrainas bëjnë thirrje që qytetarët rus të mos bien pre e propagandës së Putinit.

“Ne kemi të gjithë njerëz në Rusi, vëllezërit, motrat tanë që jetojnë në Rusi, edhe shumë prej tyre në ditët e para nuk mund ta besonin sepse ata kanë edhe shumë lajme të rrema, propagandë, bla bla, por së fundmi ata kanë filluar ti hapin sytë sepse të gjithë njerëzit tani përdorin internet dhe e kuptojnë se çfarë po ndodh”, shpjegon Tkachenko Vitali.

Olena Podobied pohon se nuk janë vetëm ukrainasit që po vdesin, por edhe ushtarët rus.

“Rusët duhet të jenë më mendje hapur, të dëgjojnë më shumë se vetëm Putinin, të shohin atë që shohin edhe të tjerët sepse ka dhe shumë familje që p.sh. dëgjojnë vetëm një histori ose besojnë vetëm nga një pike vështrim dhe nuk shohin nga të gjitha aspektet”, përfundon Olena.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu