Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shfaqja”Unë jam vetë grua”, si dëshmi e mbijetesës së komuniteteve të margjinalizuara

Dje në mbrëmje në Teatrin Eksperimental u transmetua shfaqja ” Unë jam vetë grua”, në kuadër të FemFes (festivali për gruan shqiptare).

“Unë jam vetë grua” është një monodramë, me një aktor të vetëm interpretues, Adrian Morina dhe nën regjinë e Kushtrim Koliqit. Pjesa bazohet në fakte të vërteta rreth jetës së Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore, por gjatë sistemit demokratik u larguar nga vendi i saj, duke kërkuar azil në Suedi.

Ajo u bë e njohur për krijimin e Muzeut Gründerzeit në Berlin dhe u detyrua të shndërrohej në një bashkëpunëtore të Policisë Sekrete (Stasi) për ta ruajtur muzeun.

Kushtrim Koliqi

“Na ka pëlqyer shumë Charlotte sepse nuk është personazh bardhë e zi, është plot ngjyra dhe i ka dritëhijet e saj”, thotë regjisori Koliqi për Citizens Channel.

Edhe pse nuk i ka marrë ende komentet e publikut në Tiranë, ai shprehet i emocionuar nga mbështetja dhe duartrokitjet e gjata të sallës.

“Është një shfaqe e cila ka për të jetuar gjatë, kemi për qëllim ta sjellim sërish, ndoshta edhe pas shumë vitesh, sepse është një nënshkrim i joni jo vetëm artistik por edhe si angazhim social dhe politik”, thekson Koliqi.

Sipas tij kjo pjesë teatrale është përfaqësim i problematikave të shoqërisë së sotme, sidomos i grupimeve më të margjinalizuara.

“Jo vetëm për spektatorët lokal por edhe për shikues ndërkombëtarë ka qenë shokuese sepse është një temë e cila nuk flitet aq lirshëm edhe në vende që e kanë demokracinë e avancuar, jo më në vendet e rajonit që e kanë demokracinë edhe më të brishtë”, përfundon Kushtrim Koliqi.

Monodrama është krijuarme datën 4 dhjetor 2019 dhe u interpretua për herë të parë në Teatrin Dodona në Prishtinë. Për shkak të pandemisë shfaqja pati një periudhë bllokimi duke u rikthyer sërish tani në mars.

Adrian Morina

“Zgjedh gjithmonë të punoj me shfaqe të teatrit të angazhuar të cilat nuk sjellin vetëm estetikë në teatër, por më shumë kanë mision që ti flasin audiencës. Misioni i artit është për ti bërë njerëzit më të mirë, kjo shfaqje mua personalisht më ka ndryshuar, nuk jam Adriani përpara se ta realizoja këtë shfaqje me atë që jam sot”, shprehet protagonisti kryesor.

Morina tregon se e ka dashuruar pjesën që me lexim të parë por nuk e kishte menduar se do të ishte kaq impenjative puna për ta përcjellur siç duhet personazhin e Charlotte.

“Ne edhe sot vazhdojmë mos ti dimë me emra, nuk i dimë kush janë përfaqësuesit e shoqatave që përfaqësojnë këto komunitete, flet shumë për shoqërinë ku ne jetojmë”, përfundon Adrian Morina.

Anisa Vangjeli, një nga spektatoret thotë për Citizens Channel se kjo shfaqje ishte një nga pjesët më të fuqishme emocionale që ka ndjekur së fundmi.

“Interpretimi i Morinës ishte i fuqishëm, të bënte ta kuptoje dhe të futeshe në labirintet e botës së brendshme të Charlotte. Dua të di edhe më shumë për jetën e saj, tani që u njoha me të”, shton Vangjeli.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *