Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e shtyu shpalljen e vendimit për pyllin e Laknasit për në datën 16 mars. Në seancën e sotme, u lexuan konkluzionet dhe gjykata shqyrtoi shpjegimet përfundimtare, ku të gjitha palët përmblodhën atë çfarë është zhvilluar gjatë hetimit gjyqësor, aktet e ekspertizës dhe pretendimet e tyre. 

Avokatja Dorina Asllani Ndreka u shpreh se nga një analizë e asaj çfarë ndodhi sot gjykatës i janë dhënë mjaftueshëm argumente ligjore. 

Dorina Asllani Ndreka, avokate

“Ata nuk mbyllin dot sytë përpara fakteve që këtu ka më shumë se 50-60% sipërfaqje të pranuar prej tyre me vështirësi, të mbuluar nga pemë, kështu që jemi përpara një pylli që Bashkia Kamëz ka kaluar kompetencat e saj, duke marrë kompetencat e Këshillit Kombëtar të Ujit, duke  e shkelur ligjin e ndikimit në mjedis”,- u shpreh Ndreka.

Ajo mendon se drejtësia do i jap të drejtë, pasi sipas saj kanë parashtruar të gjitha argumentet. 

Ambientalisti Lavdosh Ferruni, pas përfundimit të seancës u shpreh se skandali në pyllin e Laknasit është më i dukshmi.

“Unë dua të them që ky në eksperiencën tonë disa vjecarë është një nga skandalet më evidente dhe do të thoja që skandali më i madh është që, ky vendim i Këshillit Bashkiak të Kamzës mbështetet në ligjin për turizmin dhe nëpërmjet kësaj reference ligjore pretendohet të ndërtohet një kompleks therrtoreje dhe stalla baktish”,- tha Ferruni.

Ai shpjegoi se nga leximi që i ka bërë ligjit për turizmin, nuk ka parë “që të ketë atraksion turistik me thertore në ligj”. 

Lavdosh Ferruni, ambientalist

“Gjykata e Lartë është shprehur në favor të palës paditëse, pra ky pyll nuk mund të pritet, ka një masë sigurie që ai pyll nuk mund të pritet. Besojmë që të gjitha sëbashku do i japin gjykatës argumentin që të rrëzojë ëktë vendim të Këshillit Bashkiak dhe ai pyll të jetë aty në mbrojtje të komunitetit të Laknasit”, -tha më tej ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Sazan Guri, ambientalist ndan mendimin se drejtësia do e gjykojë si duhet çështjen duke i dhënë të drejtë palës paditëse që janë banorët e Laknasit. 

“Unë besoj ende tëk drejtësia pavarësisht se ka shumë raste ku komunitetet janë ndërgjegjësuar për të ngritur cështje në mënyrë komunitar n uk i kanë fituar dhe është e dhimbshme. Gjithë ky pyll me matjet tona 70% do të kthehet në zonë fabrike dhe banimi”,- u shpreh Guri.

Ai tha se gjykimi sot ka të bëjë me faktin që fabrika ose shoqëria ka marrë një leje ta para dy viteve që se ka vënë në punë akoma, “ndërkohë që ajo përballet me ligjet e reja që kanë dalë në 2019-2020”. 

Ai sqaroi se ligji të thotë që “do jesh 1000 metër larg lumenjve, kjo është 40 metër larg, do jesh 1000 metër larg banorëve kjo është tre metër larg, do jesh 2000 metër larg zonave pyjore që kjo është brenda në pyll”

Banorët: “Besojmë te drejtësia, do e mbrojmë më çdo kusht!”

Banorët e Laknasit, të cilët prej tre vitesh presin dyerve të gjykatava mbi një vendim përfundimtar që do e ndaloj shkatërrimin e pyllit, shprehen se kanë besim tek drejtësia.

Gjyzja, banore e Laknasit i tha Citizens Channel se pyllin do e mbrojë me çdo kusht. Edhe pse procedurat burokratike kanë zgjatur me vite, ata nuk e kanë humbur shpresën.

Gjyze, banore e Laknasit

“Ne kemi besim tek drejtësia dhe pyllin do embrojmë me çdo kusht. Kemi tre vite që shkojmë nalt e poshtë, por ne nuk do ta lejojmë atë të na pres pyllin. I kemi mbjell pemët vet për të na pastru ajrin për fëmijët tanë”,- i tha Citizens Channel Gjyzja. 

Edhe Haki Tatoshi, banor i Laknasit ndan të njejtin qëndrim, dhë thotë se nuk e ka humbur besimin tek organet e drejtësisë, por thekson se pretendimi i palës kundërshtare se ata janë banor të ardhur vitet e fundit nuk qëndron.

“Ndryshe nga çfarë flitet nga pala kundërshtare, ne jena banorë autokton, sikur baba im sot të ishte gjallë do ishte mbi 100 vjeç, kështu që jena mbi 100 vite banor të asaj zone”. 

Haki Tatoshi, banor i Laknasit

Tatoshi u shpreh se banorët e kanë mbajtur dhe përkujdesur pyllin “kryesisht për të mbrojt ajrin, për të mbrojt erozionin”. 

“Ne jena mundu të gjithë si lagje dhe nuk i kena pre, blejmë dru për tu ngrof dhe pyllin nuk e presim. Tani unë kam besim tek drejtësia, duke iu referuar edhe fakteve që kanë dhënë specialistët”, tha për Citizens Channel Tatoshi.

“Ekzistenca e pyllit të Laknasit”

Në shkurt të këtij viti, në seancën gjyqësore u provua ekzistenca e pyllit në Laknas në vend të statusit “zallishte” të pretenduar më parë.

Grupi i ekspertëve, dorëzoi pranë gjykatës një akt-ekspertizë ku konfirmohej ekzistenca e pyllit, me 22% të hapësirës me pemë.

Më herët, bashkia Kamëz i dha leje kompanisë “Bio Product” për të ndërtuar një biznes agroturizmi, duke përfshirë edhe një thertore. Sipas lejes së dhënë nga bashkia, “Plepat e Brukës” konsiderohen si zallishte.

Për banorët dhe ekspertët mjedisor, toka është pyll, për të cilin këta banorë kanë kontribuar duke e mirëmbajtur dhe duke mbjellë pemë. Në nëntor të vitit 2021, Gjykata e ndaloi kompaninë “Bio Product” që të ndërtojë në pyllin e Laknasit, duke vendosur kështu në favor të banorëve. Por kompani e ankimoi vendimin duke e rikthyer çështjen.

Protesta e banorëve për të mbrojtur “Plepat e Brukës” ka nisur që në vitin 2019. Ata protestojnë kundër vendimit të bashkisë Kamëz për të dhënë me qira një sipërfaqe prej 12.400 m2 të hapësirës së gjelbër të ndodhur përbri shtëpive të tyre, kompanisë “Bio-Products” për të ndërtuar një agroturizëm që përfshin edhe nëj thertore.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu