Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protestat kundër rritjes së çmimeve, dhunë policore dhe arrestime

Protesta e djeshme kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve jetike u shoqërua me arrestime dhe përplasje me policinë. Pas përfundimit të protestës përballë Kryeministrisë, një pjesë e madhe e protestuesve vendosën që të bllokonin rrugët duke bërë që makinat të ndalonin dhe disa prej shoferëve t’i bashkoheshin protestës. Në momentin e bllokimit të rrugës ka nisur përplasja fizike me policinë, arrestimet dhe dhuna.

Sipas njoftimit të policisë, janë arrestuar 16 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë.

Njëri prej të arrestuarve, që më pas u la i lirë është Enriko Peçuli aktivsit i Organizatës Politike. 

Në një reagim për Citizens Channel, Enriko tregon momentin e arrestimit ku shprehet se policët kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Kur po qëndronim në trotuar, afër Ministrisë së Financave, policë civilë filluan duke arrestuar disa të rinj. Kishte nga ata që thjesht po kalonin rrugën dhe u arrestuan. Mua më kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.3 me dhunë. Sapo kisha ardhur aty dhe pa u bërë 60 sekonda të plota, 4 policë më kapën dhe më shtynë me forcë në makinë”, tha Enriko teksa shton se ka “disa shenja të lehta në qafë dhe në momentin që më kanë futur në makinë, njëri prej tyre, i cili ishte shumë i dhunshëm dhe i frustruar, më ka goditur me shkelm në ije

Enriko Peçuli aktivist i OP-së gjatë momentit të arrestimit, Foto: Isa Myzyraj

Pas shoqërimit i kanë komunikuar se nuk do të arrestohej dhe e kanë liruar, ndërkohë që tregon se shokun e tij që u arrestua bashkë me të do e mbajnë 72 orë. Për arrestimin e aktivsitëve, Enriko shprehet se “për shkak se jemi persona të identifikuar nga oficerët e policisë, ne po na bëhet e pamundur pjesëmarrja paqësore në çdo protestë”.

Mirela Ruko, aktiviste e Organizatës Politike tregon se është dhunuar nga policët por ata nuk kanë dashur ta arrestojnë. 

Vajzat ishin të përfshira, kanë qenë duke mbajtur personat që ata donin t’i arrestonin. Por nuk e di pse policia nuk arreston vajza, mendoj se është fakti që nuk ka froca policore gra dhe vajza që mund të arrestojnë, ndryshe arrestimi quhet i parregullt”, tha Mirela në një reagim për Citizens Channel. Ajo tregoi se është hedhur përtokë me dhunë nga policët.

Mirela Ruko aktiviste e OP-së në momentin kur kapet me forcë nga policia, Foto: Isa Myzyraj

Ndërsa për arrestimet e dy aktivistëve të tjerë, u shpreh se protestuesit po qëndronin në mënyrë paqësore aty dhe policia i ka arrestuar pa asnjë shpjegim.

Në fillim policia nuk ka qenë e pranishme, dhe nuk ka pasur ndërhyrje. Pasi u bë dhe bllokimi i rrugës në bulevard ka nisur dhe reagimi i policisë dhe ka pasur forca të shumta policore të cilët kanë zbythur protestuesit në trotuar”, u shpreh më tej Mirela e cila shton se “një tjetër gje që duhet të evidentohet është që policia përveçse ka arrestuar njerëz që po rinin në mënyrë paqësore aty, i ka mbajtur disa prej tyre dhe do qëndrojnë 72 orë dhe mund të dalin edhe në gjyq”. 

Në foto Mirela Ruko dhe Bislim Lakna (i arrestuar) gjatë konfliktimit me policinë

Ajo thekson se arrestimi i protestuesve me akuzën për protestë të paligjshme është i pavërtetë “sepse qytetarëve ua jep të drejtën ligji që të organizohen dhe të dalin në tubime”.

Mali Braçi gjithashtu aktivist i OP-së, u shpreh se protestuesit janë arrestuar në mënyrë të paligjshme pasi sipas tij “ishim duke qëndruar në mënyrë paqësore nuk po bënim as rezistencë dhe as po konfliktoheshim me policinë”.  Papritur policia filloi duke arrestuar njerëz, tha ai.

Foto e protestuesve gjatë konfliktimit me policinë, Foto: Isa Myzyraj

Qindra qytetarë u mblodhën dje përballë Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve jetike. Ata i kërkuan qeverisë heqjen e taksave dhe kontrollin e çmimit të naftës. Protestuesit ngritën zërin mbi problemet e tyre, duke theksuar vështirësitë që sjell rritja e çmimit të naftës tek ata. 

Në datën 5 Mars, nafta arriti një çmim prej 230 lekësh në disa nga pikat kryesore të karburanteve në vend. Që pas datës 5 ajo ka vijuar të rritet. Ditën e djeshme në disa pika të fotografuara çmimi i naftës ishte 270 lekë.  Qendra “Konsumatori Shqiptar” (QKSH) i ka dërguar një ankesë Autoritetet të Konkurrencës. Kryeministri Edi Rama reagoi të martën duke thënë se rritja e çmimit të naftës nuk varet nga qeveria.

Çmimet e produkteve të konsumit kanë pësuar rritje në vitin 2022. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve në janar është më i larti krahasuar me dy vitet paraardhëse.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *