Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shushica, degë e lumit Vjosë, sërish nën kërcënimin e hidrocentraleve

Dritë Zahaj, banore në fshatin Brataj, Vlorë del në prag të derës, sapo merr vesh që në qendër të fshatit kanë ardhur disa gazetarë të cilët dëshirojnë të raportojnë rreth lumit Shushicë dhe katër projektet hidrike të planifikuara mbi atë lumë.

Shushica, pas Drinosit, është degëzim kryesor i lumit Vjosë, lumi i fundit i egër në Evropë. Prej disa vitesh, organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare kërkojnë që Vjosa dhe degëzimet e saj të marrin statusin “Park Kombëtar”, kategoria e II, që do ta shpëtonte Vjosën një herë e mirë nga hidrocentralet.

Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, qeveria shqiptare, në janar të këtij viti, i dha rrjedhës qëndrore të lumit një tjetër status, “Park Natyror”, duke lënë jashtë degëzimet e saj.

Në këtë rast, Shushica ndodhet para faktit të kryer që kompania “Shushica Hydropower” është drejt ezaurimit të të gjitha hapave ligjore për marrjen e lejes mjedisore për zhvillimin e “HEC Brataj”, “HEC Gjorm”, “HEC Kote” dhe “HEC Drashovica”.

Na u pre uji, na u pre jeta”, – shprehet Zahaj për Citizens Channel e cila rrëfen se e gjitha jeta e saj ka qenë e lidhur ngushtë me lumin. Të ishte për të, ajo do të zgjidhte reduktim të orarit të dritave, krahas tharjes të së gjithë rrjedhës.

Dritë Zahaj, banore, Brataj

Të keqen nëna jote”, – më drejtohet ajo me përkëdheli, “lumi e mban gjallë njeriun”. “Gjithë beharin ku vete njeriu? Vete në majë të çekut, mbledh lule mali dhe s’ka besë të kërcejë në fshat të vejë të bëjë not”.

Si zonja e moshuar Zahaj mendon edhe Ramiz Sulaj, i cili i kundërshton me ngulm katër hidrocentralet.

Këtij hidrocentrali ne i kemi thënë jo si fshat, se ne mbesim si peshku pa ujë. Thahet edhe nuk ka më frymëmarrje. Kështu që me forcë ta bëjnë, po nuk i lë fshati. Do i përzërë!” – pohon Sulaj për Citizens Channel.

Ramiz Sulaj, banor, Brataj

Kundërshtimet e tyre banorët i kanë manifestuar edhe në hapësirat publike. Në qendër të fshatit, në një godinë në dukje e braktisur, është vendosur tabela “Jo HEC-e në Shushicë”.

Tabelë e pozicionuar në fshatin Brahaj

Një tjetër dëgjesë publike për ndërtimin e HEC-eve në Shushicë

Meqë unë e kam shtëpinë në qendër të fshatit, shikoj një grumbull njerëzish përpara një lokali, më ca kamera që po futeshin brenda. Zbres nga kati i dytë, shkoj atje, më thonë që një firmë do bëjë një dëgjesë publike për shkak se kërkon të ndërtojë disa HEC-e mbi lumin Shushicë”, – rrëfen Sotir Zahoaliaj, banor i fshatit Brahaj, për Citizens Channel.

Ai i referohet dëgjesës publike të zhvilluar në vitin 2018 nga “Shushica Hydropower” po në fshatin Brahaj.

Zahoaliaj pohon se banorët, asokohe, i kanë kundërshtuar të gjithë njëzëri katër hidrocentralet, përveç njërit prej tyre; ai ishte dakord. Në vitin 2020, kompanisë private i mbaroi afati kohor për nisjen e punimeve në terren, kështu që i është nënshtruar sërish procedurave për marrjen e lejes mjedisore pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Përfaqësues të organizatës EcoAlbania, pohojnë se kompania “Shushica Hydropower” tashmë ka rinisur me procedurat ligjore, duke zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në muajin nëntor të vitit 2021 në fshatin Lepenicë.

Si numër total pjesëmarrësish ishin aty te 10-12 persona. Duhet të theksohet se vetëm tre banorë nga fshati Lepenicë ishin të pranishëm dhe vetëm ata kanë firmosur për dakordësinë e tyre për ndërtimin e HEC-eve”, – thotë për Citizens Channel Eni Prifti nga EcoAlbania.

Eni Prifti, EcoAlbania

Pjesëmarrësit e tjerë, pohon Prifti, ishin punonjës të firmës private, duke shkaktuar kështu konflikt interesi.

Përfaqësues të kompanisë “Shushica Hydropower”, të kontaktuar disa here nga Citizens Channel, refuzuan të japin një koment për këtë çështje.

Banorët po ashtu e akuzojnë kompaninë se ka manipuluar edhe më herët dëgjesa me publikun. Në vitin 2018, në dokumentet e siguruara, theksohet se komuniteti nuk kishte kundërshtime rreth zhvillimit të katër hidrocentraleve, ndërsa banorët pohojnë të kundërtën.

Nga të gjithë ata që morën pjesë, vetëm njëri ishte dakord, të gjithë të tjerët ishin komplet kundër. Na kërkuan një firmë që morën pjesë dhe pastaj, në materialet që bënë ata, i falsifikuan”, – shprehet Sotir Zahoaliaj.

Sotir Zahoaliaj, banor, Brataj

Atë firmën që hodhëm ne, që ne morëm pjesë në takim, e shkruajtën që ishim dakord”.

Dokument zyrtar për dëgjesat publike nga kompania “Shushica Hydropower” ne vitin 2018

Avokatjët Irena Dule dhe Dorian Matlija, po e ndjekin çështjen e Shushicës edhe në rrugë ligjore.

Ky është nga ato raste që banorët e zonës janë bërë pothuajse të gjithë bashkë kundër ndërtimit të HEC-eve. Për këtë arsye ata, bashkë me organizata mjedisore, kanë nisur edhe një betejë ligjore, deri tani në rrugë administrative dhe së shpejti edhe në rrugë gjyqësore”, – shprehet Dule për Citizens Channel.

Irena Dule, juriste

Duke iu kthyer pjesëmarrjes së pakët në dëgjesën e fundit publike, avokatja Irena Dule shpjegon se Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të informuar komunitetin dhe palët e interesuar që kjo dëgjesë po zhvillohet.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes a është ligjore dëgjesa publike me tre banorë, unë do të thoja që një e tillë nuk është fare dëgjesë”, – përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *