Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dita e tetë e protestës: “24 orë në shesh për uljen e çmimeve”

Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot u mbajt protesta e tetë e qytetarëve kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të shportës. Qytetarët u grumbulluan fillimisht në sheshin Skëndërbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Ndryshe nga herët e tjera protestuesit sot lajmëruan se do të qëndrojnë në shesh 24 orë deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.

Adriatik Lapaj tha se qytetarët për ta shtyrë qeverinë që të realizojë edhe disa kërkesa të tjera do të shtojnë dozën e qëndresës.

“Është menduar 24 orë, nuk është menduar pa limit për të marrë reflektim dhe reagim”, theksoi Lapaj për Citizens Channel.

Aktivisti Andi Tepelena gjatë fjalës së tij rikujtoi edhe një herë kërkesat kryesore të protestuesve.

“Kemi kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e alternuar të barrës fiskale mbi çmimin e karburantit; pezullimin e TVSH- së për produktet e shportës bazë, zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët; paketë reale ndihmëse për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik; hetim dhe mbikëqyrje të koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve”, listoi Andi Tepelena.

Pse dolën sot qytetarët në shesh

Emarilda Leti

“Është e pamundur të jetosh me 40, 50 mijë lekë rrogë kur qiratë kanë shkuar 400 euro dhe një shishe vaji e blen me katër mijë lekë”, u shpreh Emarilda Leti.

Aktivistja Edlira Çepani tha se duke u bashkuar përtej ndasive mund të bëjmë ndryshimin, duke dalë për veten në këtë shesh.

Edlira Cepani

“Unë kam një ëndërr, që ato zyra që na drejtojnë sot, të zihen nesër nga shqiptarët që e meritojnë dhe jo nga ata që duan të na zhvasin”, tha Edlira.

Aktivistja Rezarta Çaushaj ndau me qytetarët përditshmërinë e mëngjesit duke treguar se çohet përditë në orën 7 nga Manza e Durrësit dhe detyrohet të çojë fëmijët në kopësht me makinë pasi nuk ka transport publik.

“Do doja të isha një qytetare evropiane, të ngrihesha në mëngjes dhe të merrja metron, e për 5 minuta të më çonte në punë, pa u ngjeshur si sardele, pa humbur kohë nga jeta ime përditë“, u shpreh Rezarta.

Ndërkohë që zhvillohej protesta kryeministri Edi Rama në një mbledhje me fermerët theksoi se nuk do ta ulë çmimin e naftës do të ofrohen 500 milionë lekë plus për naftën pa taksa.

“Kush goditet nga taksat e naftës? Goditën ata që kanë vetura. Ata që kanë vetura kanë më shumë lekë se ata që s’kanë. Ne po subvencionojmë çmimin e biletës që të mos rritet çmimi. Goditen fermerët. Kjo është e vërtetë. Dhe prandaj kemi një fond që fermerët të marrin një sasi nafte që të mos kenë probleme,” – u shpreh Rama.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *