Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta, kërkesat e qytetarëve përballë paketës së qeverisë

Qytetarët po protestojnë sot për të tetën ditë kundër rritjes së çmimeve, të cilat i konsiderojnë abuzive. Protesta nisi si një reagim kundër rritjes së çmimit të naftës, që më pas u reflektua edhe në rritjen e çmimeve të ushqimeve. 

Aktivsitët kanë përpiluar disa kërkesa drejtuar qeverisë, ndërkohë që kjo e fundit ka publikuar një paketë masash.

“Paketa e rezistencës sociale” që ka ofruar qeveria si zgjidhje përmban:

  1. 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve
  2. Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës 300 lekë/muaj për tre muaj
  3. 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët me nafta pa taksa
  4. 500 milionë lekë mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetës dhe ndërqytetës
  5. Nga muaji prill, zero taksë për pagat deri në 40 mijë lekë, përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë, ulje e taksës mbi pagat nga 150-200 mijë lekë
  6. Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
  7. +28 miliardë lekë financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël

Çfarë kërkojnë qytetarët?

Aktivistët e shoqërisë civile kanë përpiluar 6 kërkesa, për të cilat i kanë lënë afat qeverisë deri ditën e sotme 19 mars për t’i plotësuar. Ata lajmëruan se do të qëndrojnë 24 orë përballë Kryeministrisë deri në plotësimin e këtyre kërkesave.

Ata kërkojnë nga qeveria: 

  1. Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit
  2. Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë
  3. Përcaktimi dhe ngritja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun
  4. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve
  5. Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidë dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktimin e minimumit jetik
  6. Hetim e mbikqyrje e koncensioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve

I pyetur në lidhje me paketën e qeverisë se sa i zgjidh ajo kërkesat që ata kanë parashtruar, aktivisti Migen Qiraxhi shprehet se “paketa  e rezistencës është një rifaqosje e buxhetit të 2022”. Ai argumenton se qeveria ka risjellë pikat e buxhetit të 2022 dhe i ka shitur ato si paketë. 

Migen Qiraxhi, aktivist Qëndresa Qytetare

Do të thotë disa parashikime që janë bërë për pagat dhe indeksimet që do hynin në korrik janë spostuar për t’u marrë që tani. Edhe në një farë mënyrë është bërë një rifaqosje dhe kjo nuk është mjaftueshëm”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj shprehet se për herë të parë ka kaluar në axhendën e qytetarëve përmes imponimit qytetar, por thekson se masat nuk janë të mjaftueshme.

Nga qëndrimi që qeveria s’ka lidhje me tregjet kaluan në krijimin e një bordi për përcaktimin e çmimit të naftës, kaluam te një paketë sociale të rezistencës, kaluam te një bord për ushqimet e shportës”, u shpreh Lapaj për Citizens Channel.

Adriatik Lapaj, aktivist

Por sipas aktivistit masat ende nuk e bëjnë Shqipërinë konkurruese me vendet e rajonit.

Janë ende pa u trajtuar kërkesat për pezullim të përkohshëm të taksës së qarkullimit, karbonit apo koncesioneve mbi naftën deri më 31 maj siç e ka Maqedonia e Veriut që të stabilizohen tregjet e naftës”, tha ai teksa shtoi se ende nuk janë marrë masa për ngritjen e një grupi pune për raportimin çdo tre muaj në Kuvend për sektorët që kanë dominancë 25% të tregut dhe masa të tjera për subvencionimin dhe financimin e buqësisë. 

Maqedonia e ka çuar zero TVSH-në për ushqimet, ne kemi kërkuar që zero të bëhet për periudhën e zgjatjes së kësaj situate pastaj të shkoj deri në 10%. Është e padrejtë që të tatohet me TVSH 20% dhe buka e gojës dhe mercedezi që është gjë luksi”, tha Lapaj.

Ndërkohë një listë prej 7 kërkesash ka përpiluar dhe Organizata Politike si zgjidhje për krizën. 

Ata kërkojnë nga qeveria:

  1. Minimum jetik 18’000 lekë në muaj për person.
  2. Pagë minimale 43,000 lekë në muaj.
  3. Indeksim i të gjitha pagave deri në 100’000 lekë në muaj.
  4. Themelim i një agjencie kombëtare të pavarur të kontrollit dhe përcaktimit të tavanit të çmimeve të naftës dhe produkteve të shportës.
  5. Hetim i pavarur i oligopolit të sektorit të hidrokarbureve dhe veçanërisht i falimentimit dhe shkatërrimit të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh.
  6. Taksë 1% mbi pasuritë (asetet) që kalojnë pragun e 1.000.000 eurove.
  7. Tatim fitimi dhe dividendi prej 20% mbi korporatat e mëdha dhe oligarkët.

Organizata Politike i konsideron masat e qeverisë si “paturpësisht të pamjaftueshme për të përballuar pasojat e krizës ekonomike që ka kapluar shoqërinë”.

Aktivisti i Organizatës Politike, Redi Muçi i tha Citizens Channel se “ne po kërkojmë ndërhyrjen e shtetit për shtresat në nevojë përmes miratimit të minimumit jetik, indeksimit të pagave dhe miratimit të një page minimale të dinjitetshme“.

Redi Muçi, aktivist Organizata Politike

Muçi u shpreh se Organizata Politike e konsideron “të domosdoshëm hetimin e pavarur për thyerjen e oligopolit të industrisë hidrokarbure dhe vendosjen para përgjegjësisë të atyre që e çuan deri në shkatërrim uzinën e përpunimit të naftës”.

Paketën e qeverisë Organizata Politike e konsideron “si një tjetër tentativë të dështuar të qeverisë Rama për të shuar protestat, njësoj siç ndodhi me protestën e studentëve dhe famëkeqin “pakt për universitetin””.

Mbi pikat e ofruara nga qeveria, Muçi shprehet se së pari indeksimi i pensioneve është i domosdoshëm, “por ai duhet të shoqërohet edhe me indeksimin e pagave dhe me përcaktimin e një minimumi jetik prej 18.000 lekësh në muaj”.

“Kompensim për çmimet e shportës nënkupton se çmimet do të rriten, por një pjesë e vogël do kompensohet, pra çmimi i naftës – shkaktari i rritjes së çmimeve të shportës – nuk do të preket. Edi Rama thotë se kjo skemë mbulon 576.000 vetë, por sipas Bankës Botërore, 1/3 e shqiptarëve (pra më shumë se 900.000 vetë) jetojnë në kufirin e varfërisë me më pak se 5 dollarë në ditë”, argumenton Muçi mbi pikën e dytë të paketës qeveritare.

Ndërsa për fermerët ai shprehet se “nafta është minimumi i pamjaftueshëm që mund të bëjë një qeveri në një vend ku bujqësia kontribuon në 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson 41% të forcës punëtore”. Ndërsa për pikën e katërt për linjat urbane ai e cilëson retorikën e qeverisë si “populizëm banal”.

Sipas aktivistit “mbështetja është për pronarët e linjave të urbaneve – partnerët e Erion Veliajt – që shantazhojnë qytetarët me rritjen e çmimit të biletës në 80 lekë”.

Zgjidhja, sipas tij do ishte hapja e konkurrencës për operatorë të transportit që e ofrojnë shërbimin “me një cilësi shumë herë më të mirë dhe me çmime të përballueshme për qytetarët”.

Mbi pikën e pestë ai shprehet se ulja e propozuar e taksave është e pamjaftueshme për përballimin e krizës. “Vende të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë ulur akcizën dhe TVSH-në mbi naftën. Kjo ulje taksash për të varfrit do duhet të shoqërohet detyrimisht me rritjen e taksave mbi oligarkët për balancimin e buxhetit të shtetit”.

Mbi pagën minimale të propozuar nga qeveria 32 mijë lekë, Muçi shprehet se “paga minimale duhet të shkojë të paktën 43.000 lekë në muaj, si dhe të forcohet kontrolli i Inspektoriatit të Punës mbi abuzimet nga ana e pronarëve që detyrojnë punëtorët që të kthejnë mbrapsht në dorë 1/3 e pagës minimale që marrin”.

Së fundmi aktivisti shprehet se “mburoja ndaj rritjes së çmimit të energjisë nuk është asgjë më shumë se një spekulim i Edi Ramës për të zhvendosur vëmendjen e pakënaqësisë popullore”.

Ekspertët: Zgjidhja është eleminimi i monopoleve apo oligopoleve në treg

Ekonomisti Klajdi Bregu e gjykon paketën e qeverisë si e “bërë thjesht për të thënë që qeveria po bën diçka por në fakt nuk zgjidh shumicën e problemeve që ne kishim dhe që janë bërë edhe më të mëdhaja me rritjen e çmimeve kohët e fundit”.

Sipas Bregut vetëm dy nga shtatë pikat e paketës të rezistencës janë të paparashikuara në buxhetin që qeveria kishte miratuar në 2022, “pikat e tjera ose janë afruar nga korriku në prill ose kanë qënë pjesë e buxhetit. E treta, dhe më e rëndësishmja, kjo paketë nuk zgjidh problemet e vërteta që ne kemi”. 

Mbi rritjen e çmimeve, ekonomisti Klajdi Bregu shprehet se kanë ndikuar tregjet ndërkombëtare “ku çmimet e produkteve të ndryshme janë rritur ndjeshëm si pasojë e luftës në Ukrainë por jo vetëm”. 

Dhe së dyti ai shprehet se rritja ka të bëjë me monopolizimet.

Klajdi Bregu, ekonomist

Si në tregun e naftës apo ashtu edhe në shumë tregje të tjera, tregu është i përqëndruar vetëm në disa importues të cilët kanë fuqi të madhe në treg dhe ndikojnë në çmime duke i mbajtur ato më të larta se ku do ishin nëse kishim më shumë konkurencë”, tha Bregu për Citizens Channel.

Si zgjidhje ai propozon eleminimin e këtyre monopoleve apo oligopoleve në treg por shton se “këto monopolizime janë krijuar pikërisht me ndihmën e qeverisë dhe për këtë arsye mendoj se ata nuk do të reagonin, për t’i zgjidhur këto probleme”. Bregu sheh si zgjidhje të këtij problemi institucionet e drejtësisë.

Ne si fillim duhet të kërkojmë ndalimin e vjedhjeve që bëhen nëpërmjet tenderave, PPP-ve dhe mënyrave të tjera. Nëse kjo bëhet atëhere do të kishte hapësirë edhe për ulje taksash që mund të ndihmonte nëse tregu hapej ashtu dhe lejohej konkurrenca e lirë”, u shpreh për Citizens Channel Klajdi Bregu.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *