Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Komiteti i Helsinkit konstaton shkelje dhe paligjshmëri në arrestimet e protestuesve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka konstatuar disa shkelje ligjore në arrestimin dhe shoqërimin e qytetarëve në protestat e datave 9 dhe 10 mars kundër rritjes së çmimeve.

Mes shkeljeve të konstatuara renditen: shoqërimi dhe arrestimi pa shkak i protestuesve, transferimi i të arrestuarve duke shkelur ligjin, shoqërimi i dy shtetasve të mitur, mungesa e kushteve higjeno-sanitare në komisariate dhe mungesa e hapësirave, parregullsitë procedurale në rastet e verifikuara, ushtrimi i dhunës etj.

Vëzhguesit e KShH se policia ka shënuar si shkak të shoqërimit në procedura “Protesta dhe/ose Bllokim rruge”.  Raporti thekson se kjo bie në kundërshtim me procedurat standarde të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Foto nga raporti i Këshillit Shqiptar të Medias

Në lidhje me shoqërimin ose arresimin në flagrancë të qytetarëve, raporti vërren se “bie ndesh dhe është në shkelje me garancitë e të së drejtës së tubimit, të parashikuar në nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 11 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Disa protestues janë tranferuar nga punonjësit e policisë së Komisariateve nr. 1, 2 dhe 3, në Tiranë pranë Komisariateve të Elbasanit, Kavajës apo dhe Kamz. Tranferimi për shkak të mungesës së hapësirave apo kushteve të kufizuara “vështirëson dokumentimin e saktë kronologjik”, sipas raportit si dhe “rrit premisat për abuzime dhe kufizim të lirisë”, sipas nenit 5 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Raporti ka gjetur mangësi gjithashtu në mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit “të cilat janë detyrime ligjore që garantojnë respektimin e të drejtave të protestuesve të shoqëruar dhe të ndaluar në ambientet e policisë dhe në mënyrë të veçantë, të drejtës për tubim dhe të drejtës për liri dhe siguri”.

KShH ka konstatur probleme edhe në kushtet higjeno-sanitare të komisariateve. Konkretisht pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatit të Policisë nr. 5 (Kamëz).

Ndër të tjera, raporti i KShH tërheq vëmendjen për mosrespektimin e ligjit sa i përket dokumentimit të dëmtimeve fizike dhe moskallëzimit në prokurori. 

Në ato raste kur shtetasit e arrestuar në flagrancë apo të ndaluar në ambientet e dhomave të sigurisë të Policisë së Shtetit pretendojnë se këto dëmtime janë krijuar nga ushtrimi i dhunës së punonjësve të policisë. Këto garanci janë të nevojshme, për të përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm dhe objektiv, se personi i është nënshtruar formave ushtrimit të dhunës, me elementë të trajtimit ç’njerëzor dhe degradues që ndalohen nga neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriu”, thuhet në raport.

Sipas Policisë, arrestimet e protestuesve janë kryer në zbatim të ligjit. Ata janë dyshuar për kryerjen e veprave penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, neni 274 “Prishja e qetësisë publike”, neni 293 “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe neni 236 “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Raporti përcjell se sipas përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, protesta në përgjithësi ka reflektuar një klimë të qetë dhe paqësore, me përjashtim të disa rasteve të qytetarëve që kanë reaguar në mënyrë të dhunshme. 

Gjatë protestave të mbajtura më dt. 9-10 Mars 2022, raportohet se nuk është regjistruar asnjë incident, që të ketë sjellë pasoja në shëndetin apo jetën e efektivëve prezentë të Policisë së Shtetit”, thekson raporti.

KShH përmend në raport edhe dokumentimin me video që është bërë nga media, të dhunës së ushtruar nga policia. Komiteti nënvizon se sipas medias janë prekur edhe vetë punonjësit e medias dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

“Punonjësi i policisë duhet gjithashtu të përdorë forcën në përputhje me parimin e proporcionalitetit duke paralajmëruar se do të përdorë forcën përpara përdorimit të saj”, thuhet në raport. Kjo nuk është reflektuar në rastin e arrestime në protestat kundër rritjes së çmieve, sipas raportit.

Nga pamjet filmike të bëra publike në media arrihet të provohen paralajmërimet e bëra nga ana e punonjësve të policisë duke u bërë thirrje qytetarëve për të liruar akset rrugore, por përdorimi i forcës duke marrë në konsideratë numrin e lartë të punonjësve të policisë dhe numrin më të ulë të protestuesve, nuk duket të ketë qënë proporcional, në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe përgjegjshmërisë”, është konstatuar nga KShH.

Citizens Channel ka raportuar dhe dokumentuar arrestimet dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve. 

Sipas reagimeve të protestuesve të arrestuar, ata dëshmuan se janë shoqëruar pa shkak nga policia. Nësë jeni dëshmitar/e i/e dhunës së ushtruar nga policia ju mund ta raportoni atë këtu

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *