Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Zëra nga qelitë e protestës“ – Podkast nga Citizens Channel

Gentjan Tufa, Gjyljana Bakalli, Arben Kola dhe Megi Mustafaraj janë katër nga dhjetëra protestuesit që u arrestuan nga policia gjatë tetë ditëve të protestës për uljen e çmimeve.

Protesta nisi më 9 Mars duke bërë bashkë grupe të ndryshme interesi si taksistë, fermerë, studentë etj, që të gjithë të prekur nga rritja e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës.

“Isha e vendosur në trotuar, shquaj pak më tutje një civil dhe i flas sepse ai po i jepte urdhra policëve dhe i them nëse ju jeni ndonjë drejtor, ju duhet të vini me uniformë, të keni dhe mjetet e identifikimit që jeni punonjës policie, përndryshe nuk keni të drejtë ti jepni udhëra policëve. Aty ai bashkë me disa policë të tjerë më kapën nga duart“,  tregon Gjyljana Bakalli për Citizens Channel.

Dëgjo podcastin: 

 

Gjyljana, aktiviste dhe juriste në qendrën “Drejtësi Sociale” thotë se në momentin kur u paraqit në komisariatin nr. 3  kishte shenja mavijosje në duar që tregonin qartazi dhunën policore.

“Një nga problemet kryesore që shohim në protesta është që të shoqërojnë civil, që është e paligjshme, kjo kthehet edhe në vetëmbrojtje. Këta civil shkojnë bëjnë kallëzime për kundërshtim të forcave të rendit me dhunë“, shpjegon avokati Redon Meksi.

Meksi i cilëson të paligjshme arrestimet dhe ndalimet gjatë protestave të cilat i ka ankimuar këto vendime edhe pse janë lënë me detyrim paraqitje.

“Tubimi është një liri kushtetuese, mjafton një njoftim i thjeshtë, por edhe në rast që nuk ka njoftim, sanksionet janë parashikuar në ligjin për tubimet. Ose duhet të hiqen ato sanksione ose duhet të ndryshohet në kodin penal, një nga të dyja sepse nuk mund të dënohesh për të njëjtin veprim me dy vepra të ndryshme“, vijon ai.

Policia nuk ka kursyer as gazetarët në detyrë duke ndaluar edhe reporteren e Rruga Press, Megi Mustafraj.

Megi Mustafaraj

“Nuk e mohoj që aty kam qenë si protestuese, por kam qenë edhe duke bërë detyrën time, si gazetare, por nuk donin t’ja dinin për imunitetin ndaj detyrës sime“, shprehet Mustafaraj.

Duke cekur edhe perspektivë gjinore të protestës Megi analizon se pjesën zaptuese të turmës e zinin burrat për nga pjesëmarrja në tubim.

“Më ka ardhur keq që ka pasur pak vajza në protestë, vajzat janë një forcë shumë e madhe por nuk po vinë mjaftueshëm në protestë, edhe pse ne i përkasim këtij vendi po aq sa burrat“, thekson ajo.

Aktivistët Arben Kola dhe Gentjan Tufa kanë kaluar 72 orë në qelinë e paraburgimit.

Gentjan Tufa

“Një nga gjërat që më ka mbetur shumë merak është se nuk ju bashkova dot protestës së madhe të së shtunës. Ne i shërbejmë më tepër protestës duke qenë atje, duke qenë protestues dhe jo duke qenë në burg“, tha 20 vjeçari Tufa.

Ndërsa sipas Arben Kolës protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe e paqësore nëse do ta krahasonim me vende të tjera perëndimore si Franca ku zakonisht protestuesit janë më të dhunshëm.

Ndërsa protestat janë paralajmëruar të vijojnë, aktivistët tregojnë se do t’i rikthehen shesheve, pavarësisht ndalimit, arrestimeve dhe procedimeve penale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *