Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Klosit refuzojnë zhvillimin e dëgjesës për dhënien e një tjetër përroi për hidrocentral

Javës së shkuar, banorët e pesë fshatrave të njësisë administrative Suç në Dibër, përzunë përfaqësues të firmës private “Idrolusa” Sh.p.k të cilët kishin ardhur për të zhvilluar dëgjesë publike me komunitetin rreth ndërtimit të dy hidrocentraleve (HEC) në përroin e Lusës.

Ne nuk i lamë me u ul me ba bashkëbisedim fare, se ne jemi fry me ta. Si kemi lanë me zbrit prej makine fare, u kemi thanë direkt me u kthy mbrapsht”, – thotë për Citizens Channel Ferik Topalli, pjesë e komunitetit që kundërshton me ngulm ndërtimin e këtyre HEC-eve.

Firmat që nuk i njohim fare, nuk e dimë se kush janë, me na marrë ne copën e bukës?! Ja sallatën, ja domaten… me na e marrë këtu në kopsht me na lanë me u tha?!”, – shprehet më tej Topalli.

Leja për ndërtimin e këtij hidrocentrali është dhënë në vitin 2017. Sipas përfaqësuesit të firmës “Idrolusa” sh.p.k, Sokol Muceku, kjo është dëgjesa e dytë publike që ata bëjnë më këtë komunitet.

Në dhjetor të vitit 2018, përfaqësues të firmës pretendojnë se kanë zhvilluar dëgjesën e parë publike në komunitet rreth këtyre dy hidrocentraleve. Sipas Mucekut, asokohe komuniteti ra dakord, por si rezultat i vonesave nga ministritë, punimet në terren nuk nisen dhe tashmë procedura e marrjes së lejes ka rinisur nga fillimi.

Mirëpo, banorët pohojnë të kundërtën: “Komuniteti nuk ka pranuar sepse në qoftë se e realizon atë, dalim jashtë loje. Ia fillojmë në mars e deri në nëntor duke vadit, se kshu asht kjo periudhë”, – pohon një tjetër banor, Rexhep Kuleni për Citizens Channel.

Kuleni shpreh shqetësimin e ndikimit që do të ketë përdorimin i ujit për qëllime hidrike në prodhimet bujqësore dhe në blegtori. “Si ta fusë nëpër tuba edhe zogjtë e malit s’kanë për të pas me pi ujë”, – thotë ai.

Në dokumentet zyrtare shkruhet se dy hidrocentralet nuk do të jenë në punë për afro pesë muaj, si pasojë e mungesës së ujit.

Sipas llogaritjeve të kryera, të dy HEC-et do të punojnë rreth 220 ditë në vit, ndërkohë që për rreth 145 ditë në vit ata nuk do të punojnë, kryesisht për pamjaftueshmëri të ujit dhe të humbjeve të energjisë në fërkim për shkak të tubacioneve të gjata”, – shkruhet në përmbledhjen joteknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).

Banorët të cilët refuzuan të zhvillojnë dëgjesën publike pohojnë se ata nuk kanë ujë të tepërt për hidrocentrale. “Përroi nuk po na përballon ne”, – nge shqetësimin Ferik Topalli.

Nga ana tjetër, administratori i firmës “Idrolusa” sh.p.k pretendon se nuk do të ketë ndikime negative te komuniteti që varet nga ky përrua.

Këto dy HEC-e nuk e prekin ujin e banorëve aspak sepse ndërtohet mbi veprat e marrjeve ku merret uji për vaditje. Do lëmë një rrjedhë ekologjike, do lemë edhe direkt ne veprat e marrjes, pasi e përdorim për HEC, ju shkon atyre i gjithë uji”, – thotë Sokol Muceku për Citizens Channel.

Në raportin joteknik të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis shpjegohet se uji do të merret në pjesën e sipërme të këtij përroi, në fillimet e veta dhe nuk do të ketë digë, por dy vepra marrjeje.

Sipas administratorit Muceku, uji i përrenjve anësore nuk do të përdoret për HEC-e. I pyetur rreth kundërshtimeve të banorëve, ai shprehet se ata janë të painformuar ose të keqinformuar rreth ndikimit në mjedis.

A do të ketë ndikime negative ndërtimi i dy hidrocentraleve?

“Lusë 1” dhe “Lusë 2” janë hidrocentrale të vegjël që do të kenë në total një kapacitet prodhues prej 6 megavatësh.

Sipas ekspertit të biologjisë ujore, Spase Shumka, këto hidrocentrale do të kenë ndikim në biodiversitet dhe mjedis. “Nga pikëpamja mjedisore dhe sociale, hidrocentralet janë problematike”, – pohon Shumka për Citizens Channel.

Ndërtimi i shumë HEC-eve në lumin Mat në Shqipëri, i cili ka një gjatësi prej 115 km ka bërë që ato pak rrjedha të lira të shërbejnë si “strehëza” për gjallesat, shpjegon më tej Sapse Shumka.

Matit i mbetet vetëm kjo degë, në pjesën nga Burreli e sipër, nuk ka degë tjetër. Është i vetmi përrua që mund të shërbejë si shpëtim për një seri gjallesash shtazore, bimore”. Sipas tij, formula që përdoret për të caktuar rrjedhën ekologjike që lihet është e pamjaftueshme pasi në të vërtetë nuk ka matje rreth prurjeve ndër vite.

Spase Shumka, ekspert i biologjisë ujore

Jemi në një vend ku nuk është se ka pasur stacion monitorimi të prurjeve të ujit. Ku do bazohen? Kush është rrjedha mesatare?’, – ngre pyetjen ai.

Një ndër speciet kryesore që do të preket nga ndërtimi i dy hidrocentralet është trofta.

Trofta kërkon shumë oksigjen. Që të sigurohet kjo sasi kërkon që uji të mos cenohet. Në periudhën e beharit, kur zvogëlohet sasia e ujit, atëherë temperatura rritet dhe oksigjeni zvogëlohet. Kjo specie do oksigjen mbi 9 miligram për litër, që nuk mund të sigurohet kur sasia e ujit është e vogël”.

Shumka përmend dhe specie të tjera që ndikon nga këto dy vepra marrjeje, si: barburiqi, gurnecka e Ohrit, gurneci i Shkodrës që e kanë jetën shumë të lidhur me përroin. Edhe speciet amfibe, zvarranike po ashtu preken, pohon ai.

Një tjetër ndikim, sipas ekspertit Spase Shumka, është zvogëlimi i ujërave nëntokësorë.

Zvogëlimi i ujërave në përrua padyshim që do të cenojë ujërat nëntokësorë pasi furnizohen nga përroi”.

Sa i përket elementit social, Spase Shumka informon se Kurdaria, fshat i afërt me zonën e projektit, prodhon një nga varitetet e rrushit që është shumë i varur nga ujërat e këtij përroi, edhe ato nëntokësore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *