Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Dhuna si përgjegjësi individuale dhe kolektive”

Mirela Ruko dhe motra e saj Albina u dhunuan në rrugë teksa po bënin pazarin në 26 mars të këtij viti. Ky episod nuk ishte i papritur për policinë, pasi dhunuesi kishte 8 kallëzime penale nga vajza të tjera që kishin qenë viktima të sulmeve së tij. Dy motrat e denoncuan rastin në organet shtetërore ndërsa aktivistët reaguan me një proteste përballë Drejtorisë së Policisë për të dënuar jo vetëm dhunën e ushtruar ndaj tyre por edhe indiferencën e institucioneve.

Ato iu drejtuan organeve të drejtësisë duke i kutjuar faktin se kishin firmosur për të lënë të lirë dhunuesin duke shtuar se “ua bëjnë rrugët të pasigurta”.

Për të risjellë në vëmendje rastin në fjalë por dhe dhunën që ndodh në hapësira private dhe publike, “Tek Bunkeri” organizoi një event ku u diskutua mbi “Dhunën si përgjegjësi individuale, institucionale dhe kolektive”.

Eventi erdhi si “domosdoshmëri, nisur nga shtimi në rastet e fundit i dhunës në ambiente publike”.

Eventi “Dhuna si përgjegjësi individuale, institucionale dhe kolektive”

Mirela ndau historinë e saj dhe tregoi se ky rast i dhunës nuk është individual, sepse shumë vajza të tjera ishin dhunuar më parë nga i njejti dhunues. Përtej rastit Mirela shton se gjatë viteve të saj si aktiviste ajo është përballur me dhunë të formave të ndryshme, nga policia në protesta apo dhe nga eksponentë partiak.

Ajo shprehet se të flasësh publikisht “është ndonjëherë e vështirë, është e vështirë që të transmetosh një video që do ta shohin familjarët e tu”.

Mirela Ruko, aktiviste

Për dhunën si koncept në raport me realitetin në Shqipëri, Mirela e lidh me mirëqenien.

Ajo çfarë unë mendoj për sa i përket dhunës, unë e lidh atë domosdoshmërisht me mirëqenien, se sa një popull ka mirëqenie dhe mireqënia lidhet me disa element, lidhet me aksesin në shëndetësie, aksesin në arsimin, aksesin në ushqim dhe strehim. Nëse këto komponent janë të dobët në shoqëri, sigurisht që kemi të bëjmë me një shoqëri të dhunshme”, i tha Ruko Citizens Channel.

“Mungesa e besimit çon drejt mosdenoncimit”

Mirela tregoi se pasi bëri publik rastin e saj dhe e denoncoi jo vetëm në polici por edhe në media, shumë vajza e kontaktuan duke i treguar se kishin pasur të njejtin fat. Por vetëm 8 prej tyre kishin marrë guximin për ta denocnuar në polici. Këtë e lidh me mungesën e besimit tek institucionet. 

Problemi kryesor në Shqipëri është mosfunksionimi i institucioneve shtetërore qoft edhe për të parandaluar rastet e dhunës”, i tha Ruko Citizens Channel.

Rezarta Agolli, avokate dhe pjesë e “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” tregoi për Citizens Channel se nga rastet që ato kanë trajtuar në gjykata ka pasur raste suksesi.

Ajo inkurajon vajzat që t’i denoncojnë rastet dhe shton se “mund t’i drejtohen Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri për ndihmë ligjore falas”.

Rezarta Agolli “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri”

Mbi pengesat që hasin në proceset gjyqësore ajo u shpreh:

“Pengesa e parë është vetting-u sepse në këtë kohë, sikur prokuroria edhe gjykata në vend që të merren me rastet, merrem me si të kalojnë vetting-un e tyre. E dyta është hetimi shumë i dobët, si nga prokuroria sepse është prokuroria që ndjek hetimin në republikën e Shqipërisë”.

Gjatë vitit 2021 denocnimi i rasteve të dhunës u rrit.  Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, në janar-qershor u denoncuan 683 raste të dhunës në familje, 169 më shumë se në 2020.

“Pasojat psikologjike të dhunës”

Irena Karaja, psikologe i tha Citizens Channel se pasojat që ka një viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike janë të shumta.

Ajo që duhet të kuptojmë është që dhuna është një event traumatik dhe personi që dhunohet ndjen frikë, ndjen poshtërim, ndjen pasiguri dhe ndjen edhe një mungesë vetëbesimi edhe për në vazhdim”, tha Karaja.

Irena Karaja, psikologe

Ajo shton se përtej gjendjes së vet psikologjike, gjendjes traumatike, dhuna ndikon edhe në vendimmarrjet që merr në vazhdim ky person.

Duke qenë nën frikë, duke qenë nën kërcënime, bën që ky person i dhunuar të mos e raportojë dhunën sepse trauma dhe post-trauma është e vazhdueshme, po ashtu edhe frika se mos dhuna përsëritet është sërish në mendjen e personit të dhunuar dhe është diçka që e përndjek”, shprehet Karaja.

“Dhuna ndaj grave dhe urdhri i mbrojtjes”

Përgjatë vitit 2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë shkuar 122 kërkesa për “Urdhër Mbrojtjeje”, prej të cilave 47 janë pranuar. Ndërsa kërkesat për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje” për 2021 kanë qenë 693 prej të cilave 339 janë pranuar.

Gjykata e rrethit Durrës përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021 ka dhëne 236 vendime për “Lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes”.

Gjykata e rrethit Vlorë deri në muaji nëntor 2021 ka dhënë 103 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 9 urdhra mbrojtjeje. Ndërsa sipas Drejtorisë Vendore të Policisë ne Durrës nga vitit 2015 deri më 2021 numri i kërkesave për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes është 3536.

Në Drejtorinë e Policisë së Fierit nga vitit 2015 deri më nëntor të vitit 2021 janë evidentuar 1299 kërkesa për udhër mbrojtjeje, ndërsas janë kryer 937 denoncime për dhunën në familje.

Shumica dërrmuese e kërkesave për urdhëra mbrojtjeje që paraqiten në gjykatë pushohen ose rrëzohen, pasi viktimat tërhiqen ose nuk paraqiten në seancë pas kallëzimit fillestar në polici.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *