Në vitin 2016 vetëm 67 infermierë ishin pajisur me dokumentacion për t’u larguar ndërsa në 2021, 1073 infermierë janë pajisur me një dokumentacion të tillë, thekson raporti i përpiluar nga Stiven Shala.
Qëndresa Qytetare zhvilloi një anketë me 165 studentë nga vite të ndryshme studimi, si dhe të diplomuar në Universitetin e Shkodrës dhe të Vlorës.
52% e të anketuarve ishin të kënaqur me cilësinë e studimeve që po ndjekin si dhe vetëm 5% e studentëve shprehin pakënaqësi.
“Studentët shprehen pozitivë për cilësinë e studimeve, është absurde, kjo vjen si pasojë e faktit që ata nuk duan t’ia dinë për studimet, i intereson thjesht diploma për të ik jashtë”, – shprehet Stiven Shala për Citizens Channel.
Të pyetur për të ardhmen e tyre si infermierë në Shqipëri, vetëm 14.5% e të anketuarve e shikonin të ardhmen në Shqipëri.
“Një infermierë kur ikën në Gjermani i nënshtrohet një kursi të ri, zakonisht tre deri në gjashtë muaj, sikur e fillon studimin nga fillimi”, – shton eksperti Shala.
Në lidhje me arsyet e largimit, 35 % e studentëve pohojnë se një nga motivet që i shtyn të zhvendosën janë financat. Pas financave, 25.5% e studentëve vlerësojnë cilësinë më të lartë të jetesës në vendin ku do të emigrojnë, e 23.6% vlerësojnë kushtet më të mira të punës.
“Tregohet trendi që universitetet punojnë për të furnizuar tregun e huaj dhe jo tregun shqiptar, se ne po na largohen aq sa diplomohen”, – përfundon Shala.
Shqipëria ka sot 23.866 infermierë të licencuar. Mosha mesatare e infermierëve në Shqipëri është 43 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e mjekëve specialistë është 50 vjeç.
Eksodi i infermierëve nuk është ndaluar as në pandemi, duke vendosur në krizë sistemin shëndetësor për përballimin e Covid-19.
Blerina Duka, drejtoreshë e Urdhërit të Infermierëve të Shqipërisë, (UISH) konfirmoj se vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2020 UISH ka shpërndarë gjithsej 618 vërtetime të lëshuara për punë jashtë vendit, ku për infermierët janë shpërndarë afërsisht 313 vertetime.
“Ështe evidente, eksodi i infermierëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është bërë masiv që nga viti 2018 e në vazhdim, ku nuk janë larguar vetëm të sapodiplomuarit por edhe profesionistët me experiencë disa vjecare” , – përmbyll ajo.