Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Avokati i Popullit: Në 2021 u konstatuan probleme në të drejtat e komunitetit LGBT+ dhe barazisë gjinore

Të drejtat e komunitetit LGBT dhe barazia gjinore u karakterizuan nga problematika të shumta gjatë vitit 2021, përcjell raporti i Avokatit të Popullit. 

Për të drejtat e grave dhe vajzave, raporti vlerëson se pati probleme “në drejtim të pësimit të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, aksesit në drejtësi, punësimit dhe ofrimit të shërbimeve sociale”.

Avokati i Popullit shprehet se në Shqipëri ende nuk ekziston një kulturë e shoqërisë që të orientojnë individët që të adresojnë problemet e tyre në lidhje me mosrespektimin apo shkeljen e të drejtave për shkak të gjinisë.

Viti 2021, si një vit ku pandemia vijoi të ishte prezente në mënyrë agresive, pati ndikim në të gjithë jetën ekonomike e sociale të shoqërisë, por me një problematikë më të shtuar për grupet vulnerable të saj, një nga të cilët janë edhe gratë e vajzat”, -thekson raporti. 

“Dhuna me bazë gjinore mbetet një plagë e hapur”

Problematikat kryesore me të cilat janë përballur gratë dhe vajzat gjatë 2021 sipas raportit janë: 

  1. humbja e vendit të punës; 
  2. vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve sociale e juridike;
  3. rritja e fenomenit të dhunës nga  partnerët apo pjesëtarët e tjerë të familjes, e manifestuar kjo si dhunë në të gjitha format, fizike psikologjike e seksuale

Sipas ankesave të regjistruara në 2021, problematikat kryesore në nivel individual konsistojnë në mospërfitimin e ndihmës ekonomike, mospunësim ose mohim për pension pelqërie, sigurim i aksesit në drejtësi për gratë dhe vajzat; ekzekutimin e vendimeve gjyqësore si dhe sigurimin e strehimit përmes bonusit të qirasë.

Raporti i Avokatit të Popullit përmend edhe përfshirjen e grave dhe vajzave në procesin zgjedhor. 

Përfaqësimi i grave në politikë mbetet ende një detyrim i papërmbushur”, thotë raporti duke shtuar se gratë dhe vajzat edhe në 2021 ishin të dekurajuara për të marrë pjesë në politikë. 

Gratë edhe pse përbëjnë 50% të elektoratit e të popullatës, sërish duhet të bëjnë llogaritë me “kuotat gjinore” të cilat nuk reflektojnë me besnikëri përqindjen e tyre në shoqëri”, thekson raporti. Ndër të tjera raporti përmend faktin që fushta elektorale u karakterizua nga një gjuhë seksiste dhe diskriminuese ndaj kandidateve gra.  

Institucioni i Avokatit të Popullit, vendosin theksin tek dhuna me bazë gjinore, duke u shprehur se “mbetet një plagë e hapur në jetën dhe në shoqërinë tonë”.

Ajo shfaqet jo vetëm në format më tradicionale por edhe në forma të reja, më të fshehura dhe sofistikuara dhe prek të gjitha shtresat e shoqërisë. Prandaj dhe lufta e përpjekjet për ta parandaluar atë duhen akoma dhe më të forta dhe më gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët e shoqërisë”, thotë raporti.

“Komuniteti LGBT+ u përball me sfida në 2021”

Për të drejtat e komunitetit LGBT+ raporti thekson se përpos faktit që Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë themelore të çdo personi, “komuniteti LGBTIQ vijon të përjetojë diskriminimin dhe intolerancën, të cilat ndeshen brenda familjes, për t’u përshkallëzuar më tej në shoqëri, ambjentet e punës, shkollës, e jetën publike në përgjithësi”.

Problematika më e shprehur e  komunitetit është vështirësia e të kuptuarit të diversitetit nga shoqëria dhe niveli i njohurive mbi komunitetin LGBTI+, vlerëson Avokati i Popullit.

Nga monitorimi i kryer nga ky insitucion, rezulton se situata e personave që janë pjesë e komunitetit LGBT+ është më e favorshme në qytete të mëdha dhe veçanërisht në kryeqytet. 

Vërehet një tendencë e personave të rinj anëtarë të komunitetit, që të zhvendosen prej qyteteve të vogla drejt qyteteve të mëdha me qëllim gjetjen e mbështetjes në persona, grupime apo komunitete në situatë të ngjashme, për më shumë siguri, mundësi punësimi, mjedis fizik dhe kulturor më përfshirës”, thotë raporti.

Një nga problemet që vijon të mbetet i pazgjidhur për këtë komuniteti dhe që adresohet nga Avokati i Popullit është mosvlerësimi në mënyrë korrekte dhe me bazë ligjore nga ofruesit e shërbimeve publike, në fushat e arsimit, shëndetësisë apo zbatimit të ligjit.

“Për pasojë, ky komunitet vijon të jetë objekt i trajtimit jo të duhur në terma të marrjes së shërbimeve publike në kohën dhe në cilësinë e duhur”, përcjell raporti. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *