Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përdorimi i aseteve publike në fushatë elektorale; KQZ gjobit kryebashkiaken e Durrësit

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako u gjobit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shumën prej 100 mijë lekësh pasi përdori burime publike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 marsit 2022.

Asokohe, kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë Durrës kishte bërë fushatë në godinën e shkollës 9-vjeçare “Armath”.

Ky vendim i komisionit Qendror të Zgjedhjeve erdhi pas kallëzimit të organizatës Qëndresa Qytetare për shkelje të Kodit Zgjedhor.

“Në këtë rast hapësirat e shkollës u vunë në dispozicion të kandidates për të kryer fushatë me dijeni dhe leje të drejtorit të shkollës, duke shkelur nenin 91 të kodit zgjedhor. Ne e përshëndesim vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe shpresojmë që edhe KAS të mbajë të njëjtin qëndrim sa i takon abuzimeve me burimet shtetërore”,-tha Rigels Xhemollari, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.

Bashkë me kryetaren tanimë të bashkisë Durrës u gjobit edhe drejtuesi i shkollës 9-vjeçare “Armath”, Vlash Doda në shumën 5 mijë lekë.

Vendimi i KQZ-së

Sipas Rigels Xhemollarit pranë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve janë dorëzuar në total 11 raste të shkeljes së Kodit Zgjedhor nga kandidatët gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 marsit.

“Qëndresa Qytetare gjatë monitorimit të burimeve shtetërore në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, kallëzoi 11 raste të shkeljes së kodit zgjedhor nga kandidatet për kryetar bashkie si edhe nga zyrtarë të lartë të administratës publike për përdorim të burimeve, aseteve, postit apo funksionit në favor të një subjekti zgjedhor. Aktualisht janë në proces administrativ 10 kallëzime”,-përfundon Xhemollari.

Neni 91 i Kodit Zgjedhor përcakton se ndalohet përdorimi i burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Në pikën 2 të tij shtjellohet se:

“Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore”.

Shkelje të tilla të kodit zgjedhor janë vërejtur edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

Takimi në shkollën “Abdulla këta” kryer nga deputetja socialiste Elona Gjebrea si dhe vizita e deputetit të Partisë Socialiste asokohe Ervin Bushati në shkollën 9-vjeçare “Misto Mane” teksa mbante veshur bluze me siglën e PS-së kanë qenë po ashtu raste të pikasura dhe të denoncuara nga Qëndresa Qytetare mes shumë rasteve të tjera të mos respektimit të politikave për Covid-19 gjatë fushatës zgjedhore përgjatë pandemisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *