Bordi i çmimeve prestigjioze Pulitzer ka nderuar gazetarët ukrainas për “guximin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj raportimit të vërtetë”, mbi pushtimin e vazhdueshëm të vendit të tyre nga Rusia.

Bordi u dha një “citim të veçantë” gazetarëve të Ukrainës ndërsa Universiteti “Columbia” i Nju Jorkut shpalli të hënën fituesit e çmimeve vjetore të gazetarisë për vitin 2022.

“Bordi i Çmimit Pulitzer është i kënaqur t’u japë një citim të veçantë gazetarëve të Ukrainës për guximin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj raportimit të vërtetë gjatë pushtimit të pamëshirshëm të Vladimir Putin ndaj vendit të tyre dhe luftës së tij propagandistike në Rusi”, tha administratorja e çmimit Marjorie Miller.

“Megjithë bombardimet, rrëmbimet, pushtimet dhe madje edhe vdekjet në radhët e tyre, ata kanë këmbëngulur në përpjekjet e tyre për të ofruar një pamje të saktë të një realiteti të tmerrshëm, duke i bërë nder Ukrainës dhe gazetarëve në mbarë botën”, shtoi ajo.

Të paktën shtatë gazetarë, duke përfshirë tre nga Ukraina, janë vrarë që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të fqinjit të saj më 24 shkurt, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

CPJ gjithashtu thotë në faqen e saj të internetit se po heton vdekjen e pesë gazetarëve të tjerë në Ukrainë “për të përcaktuar nëse ato ishin të lidhura me punën”.

“Shumë të tjerë janë përballur me bombardime, të shtëna dhe ndalim teksa punojnë për të siguruar informacion jetik rreth pushtimit. Gazetarët rusë janë arrestuar dhe kërcënuar gjatë goditjes së Moskës ndaj mediave të pavarura ruse dhe shumë janë larguar nga vendi”, thotë grupi i CPJ – së.

Pulitzers vjetor janë çmimet më prestigjioze në gazetarinë amerikane, me vëmendje të veçantë që shpesh i kushtohet çmimit të shërbimit publik.

Këtë vit ai çmim shkoi për Washington Post për mbulimin e rrethimit të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në janar 2021, kur një turmë mbështetësish të ish-presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën për të ndaluar Kongresin të certifikonte fitoren zgjedhore të Joe Biden.

New York Times mori më shumë “Pulitzer” të lajmeve këtë vit, plot tre çmime.

Gazeta fitoi kategorinë e raportimit ndërkombëtar për ekspozimin e një numri të madh të civilëve nga bombardimet e udhëhequra nga SHBA në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë Irakun, Sirinë dhe Afganistanin.

New York Times mori gjithashtu çmimin për raportimin kombëtar për hetimin e saj në ndalesat vdekjeprurëse të trafikut të policisë nëpër SHBA.

Ndërkohë, bordi Pulitzer vuri në dukje “kohët sfiduese dhe të rrezikshme për gazetarët anembanë botës”, duke theksuar se tetë gazetarë meksikanë u vranë këtë vit, pa harruar  gjithashtu raste të sulmit dhe frikësimit kundër gazetarëve në Afganistan dhe Mianmar.

Lexoni shkrimin e plotë: http://shorturl.at/lAUY4

Burimi: Al Jazeera

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu