Foto ilustrim: Pleurad Xhafa

Më 17 maj 2020, godina e Teatrit Kombëtar u shemb pavarësisht rezistencës prej më shumë se dy vitesh. Sot shënohen dy vite që kur u shemb teatri, por dhe 725 ditë pa përgjigje ndaj një kërkese për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë për procedurat e ndjekura për vendimin e Këshillit Bashkiak që çoi në shembjen e godinës.

Kërkesa për informacion e dokumentuar në platformën Publeaks.

Ligji Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” detyron institucionet publike të kthejnë përgjigje brenda 10 ditëve pune. Në të kundërt, procesi i marrjes së informacionit vijon me ndërhyrjen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Në këtë rast, kërkesa ka thuajse dy vjet pa përgjigje, duke dëshmuar refuzimin për të bërë transprarencë.

Sipas avokates Irena Dule nga Qendra Respublica, procesi tanimë është në pritje, deri në marrjen në shqyrtim nga gjykata e Apelit.

“Çështjen e çuam në gjykatë. Fituam, por bashkia e apeloi dhe çështja pret Gjykatën e Apelit. Më pas mund të ekzekutohet. Në apel sapo ti vijë radha mbaron në një seancë, mandej. Puna është që radha i vjen pas 4 vjetësh me sa po shohim ritmin. Sot apeli po gjykon çështje të vitit 2017”, -u shpreh avokatja Dule.

Informimi, një e drejtë e mohuar në rastin e Teatrit Kombëtar

Ky nuk është rasti i vetëm kur institucionet kanë refuzuar të japin informacion, kur bëhet fjalë për çështjen e shembjes së godinës së Teatrit.

Në 18 tetor të vitit 2019, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit me anë të platformës Publeaks, i nisi Bashkisë Tiranë një kërkesë për informacion ku kërkonte:

Kopje të dokumenteve të dorëzuara nga kompanitë që kanë aplikuar për projektin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe zonës urbane përreth sipas njoftimit të shpallur në Buletinin nr. 29.datë 22 korrik 2019 të APP”.

Kërkesa për informacion e dërguar pranë Bashkisë Tiranë, nuk mori përgjigje brenda afatit të parashikuar me ligj. Për këtë arsye platforma “Publeaks” i drejtohet me ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Më 15 qershor 2019, Qendra Respublica dërgon ankesë pranë komisionerit, ku i kërkon të veprojë sipas ligjit për të detyruar Bashkinë të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar.

Më 20 nëntor 2019, Komisioneri i drejtohet Bashkisë Tiranë, ku i kërkon vendosjen në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar, përndryshe zyra e Komisionerit do të ndjekë procedurën në përputhje me nenin 18 dhe 24 të ligjit.

Gjatë kohës që kërkesat për informacion nuk morën asnjë përgjigje, shumë gazetarë me logot e televizionit ku punonjnë, por edhe individualisht dërguan kërkesat e tyre për informacion në lidhje me Teatrin Kombëtar.

Shumica e tyre nuk mori përgjigje, ndërkohë që edhe ai informacion që u mor nga gazetarja Fatmira Nikolli e gazetës Shqiptare, kryesisht administrativ, u publikua në një artikull që qëndroi publik për shumë pak kohë për tu fshirë më pas nga media përaktëse. Në shkrim thuhej se Bashkia nuk kishte informacion për procedurën e tenderimit për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Shkrimi me dokumentat e dhëna nga Bashkia Tiranë si përgjigje e kërkesës për informacion nuk gjendet më në gazetën Shqiptare.

Më datë 25 nëntor të vitit 2019, Citizens Channel me anë të Publeaks i kërkon sërish informacion Bashkisë Tiranë për këto pika:

1.Cilët janë autorët e komisionit vlerësues të projekteve të propozuara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar?

2.A është shpallur fituesi për ndërtimin e këtij projekti? Cila është shoqëria fituese?

3.Kopje të informacioneve (korrespondencës së Bashksië Tiranë me institucionet e tjera lidhur me projektin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar?

Por edhe pse kaluan 10 ditë pune, sërish nga ana e Bashkisë nuk kishte asnjë reagim për të dhënë informacion.

Publeaks, më 27 dhjetor të vitit 2019 , iu drejtua sërish Komisionerit për të Drejtën e Informimit me anë të një ankese duke i kërkuar ndërhyrje për të marrë informacionin e kërkuar.

Kërkesa për informacon e Citizens Channel

904 ditë më vonë, kjo kërkesë për informacion ende nuk ka marrë një përgjigje.

Referuar ligjit për të drejtën e informimit, përkatësisht nenit 18 të tij, mos respektimi i ligjit sjell përgjegjësi administrative. Refuzimi i dhënies së informacionit në kundërshtim me parashikimet e ligjit dënohet me gjobë prej 150 000-300 000 lekë.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu