Hapësira bosh e Teatrit Kombëtar

Dy vite më parë, në orët e para te mëngjesit të 17 majit 2020, godina e Teatrit Kombëtar u shemb, ndërsa qindra forca policie u përplasën me qytetarët dhe aktivistët që kishin më shumë se dy vite në mbrojtje të tij.

Teatri u shemb në kushtet e pandemisë, kur lëvizja e lirë e qytetarëve ishte e kufizuar. Ndërsa nxitimi i shembjes justifikohej nga nevoja për të ndërtuar sa më shpejt një godinë të re, “më të bukurin që ka nahija jonë, Ballkani dhe Europa Lindore në 100 vitet e fundit”, shprehej pak pas shembjes kryebashkiaku Veliaj.

Për arkitektin Arnel Çela teatri u shemb pa një analizë të mirëfilltë.

Arnel Çela, arkitekt

“Problematika më e madhe e shembjes së Teatrit Kombëtar nuk është fakti që ka apo nuk ka një projekt për godinën që do ta zëvendësojë, por fakti që është shembur pa një analizë studimore të mirfilltë, analizë shkencore strukturore, analizë historike, analizë trashëgimie, analizë sociale për impaktin që ka në zhdukjen e referentëve si landmarke dhe mjaft analiza të tjera që do duhej të kishin konkluduar në konsuktime të gjera publike”,-shprehet Çela.

Sipas tij, nëse ndërtimi i teatrit të ri do të ishte domosdoshmëri tanimë do të ishte ndërtuar.

“Në këtë pikë nisja e punimeve nuk është më në varësi të projekteve apo procedurave, por është në varësi të vullneteve dhe interesave politike, domethënë që ndërtimi i godinës së re të teatrit mund të nisi në një mot më të volitshëm në funksion të rritjes së pikëve politike”,-tha arkitekti Çela.

Ndërsa shton se ndërtimi i teatrit të ri ndryshe nga ai që ishte do të dendësojë hapësirën aktuale.

“Në truallin e Teatrit Kombëtar nuk mund të ndërtohet më shumë sesa një Teatër Kombëtar siç ishte, jo prej dëshirës, por prej faktit që zona në të cilën ndodhet ky shesh tashmë është shumë e ngjeshur me ndërtime dhe hapësirat e rrugëve, trotuareve, infrastruktura të tjera publike, nuk do ta përballonin fluksin e dëndësisë që do të krijohet nëse ndërtohen kulla apo godina të tjera me funksion të pa përcaktuar”,-përfundon Çela.

Premtimet për Teatrin e ri Kombëtar

Përpos premtimeve të përvitshme për të ndërtuar godinën e re, sot dy vite pas shembjes hapësira ku qendronte teatri mbetet bosh, e rrethuar dhe pa të drejtën e shfrytëzimin si një pronë publike nga qytetarët.

Pasditen e 17 majit, pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjetit social Facebook dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.

“Teksa përgatitemi të nisim punën për Teatrin e Ri, i ftoj të gjithë, që nesër, ta bëjmë edhe më të mirë projektin që kemi në tavolinë. Ai teatër do të jetë për artistët dhe qytetarët, për fëmijët tanë. Ejani ta ndërtojmë së bashku”, – u shpreh Veliaj.


Më 15 gusht 2020, Veliaj njoftoi përfundimin me sukses të sondave gjeologjike në truallin e teatrit, ndërsa lajmëroi nisjen e punimeve në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet.

Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe projektin e miratuar për tu zbatuar, i studios Bjarke Ingels Group.

Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.

Më 5 korrik 2021 pas lajmit se Këshilli Kombëtar i Territorit dha lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar, u shpreh se:

“Do presim zbardhjen e lejes nga KKT, do respektojmë procedurat dhe besoj në 100 ditë do të nisimin punën për Teatrin e ri Kombëtar. Viti i ri do ta gjejë Tiranën të paktën me një kantier teatri të ri”.

Më 25 prill 2022, në konferencën e javëve ndërkombëtare të Kulturës, Kryeministri Rama u shpreh se tërmeti, pandemia dhe tanimë edhe situata në Ukrainë kanë ngadalësuar zbatimin e një sërë projektesh.

“Po merremi me këtë çështje dhe besoj që do gjejmë një zgjidhje dhe Teatri Kombëtar do ndërtohet siç është projektuar e siç jemi zotuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e parashikuara kur mes teje e afatit futet një ngjarje që as parashikohet e as evitohet,” – deklaroi kryeministri Rama.

Megjithatë, përpos premtimeve dhe lajmërimeve për nisjen e ndërtimit të godinës së re, ende sot nuk kanë nisur punimet.

Pamje me dron e hapësirës bosh tanimë të teatrit.

Hap pas hapi: Teatri Kombëtar në dy vite rezistence 

Në shtator të vitit 2018 Qeveria Shqiptare miratoi ligjin special për Teatrin Kombëtar. Ligji i miratuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar i jepte mundësi një pale private të merrte përsipër ndërtimin e godinës së teatrit bashkë me zhvillimin urban të zonës përreth tij.  Kompania e kontraktuar ishte Fusha sh.p.k. Ky ligj synonte krijimin e një komisioni, i cili përbëhej nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Trupa Teatrore. Ky komision kishte si kompetencë kryesore shqyrtimin e propozimeve nga palët e interesuara për të realizuar projektin.

Ligji special për Teatrin u rikthye dy herë në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta, pasi sipas tij ky ligj bie ndesh me parimet kushtetuese të vendit.

Në dhjetor të 2019, Teatri Kombëtar përfshihet në listën e 14 vendodhjeve më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra.

3 qershor 2019 u publikua në Fletoren Zyrtare vendimi i cili autorizon ngritjen dhe funksionimin e një komisioni për vlerësimin dhe negocimin e kontratës me palën private me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.

Nw korrik tw 2019 kryeministri Rama u shpreh se ndërtimi i një godine të re është “operacion me kosto të lartë” dhe për këtë arsye i është besuar privatit.

Është e thjeshtë, ne duam të ndërtojmë teatrin e ri, nuk e ndërtojmë dot me fondet tona, është operacion me kosto të lartë, është shumë herë, shumëfish se i gjithë buxheti për kulturën gjatë një viti.  Atëherë fton privatin, që këtë herë koicidon “, u shpreh Rama.

Në mëngjesin e 24 korrikut 2019, Teatri Kombëtar u gdhi i rrethuar nga forca të shumta policore. Pas shumë orësh qëndresë, forcat policore u larguan.

Në janar të 2020, Europa Nostra, organizatë ndërkombëtare në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, iu drejtua me një letër Kryeministrit Rama, Presidentit Meta dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Hermann Parzinger, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra u bëri thirrje të mënjanohen nga vendimi  për ta ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.

Mw 26 shkurt 2020, Bashkia Tiranw njoftoi twrheqjen  nga plani i shumëdebatuar për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar përmes Partneritetit Publik Privat (PPP). Nëpërmjet një statusi në Facebook, Erion Veliaj njofton se Teatri Kombëtar do të ndërtohet nga vetë qeveria shqiptare dhe Bashkia.

Më 1 korrik 2020 Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) publikoi një deklaratë për shtyp me rezultatet e auditimit të kryer më çështjen e Teatrit Kombëtar. KLSH renditi një sërë shkeljesh ligjore që kulmuan me shembjen si edhe i rekomandoi Institutit të Monumenteve të Kulturës t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës rindërtimin e Teatrit Kombëtar në të njëjtën zonë dhe me të njëjtën pamje arkitekturore që kishte.

Mw 2 korrik 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për të kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë Teatrin Kombëtar, duke e konsideruar këtë vendim si të papajtueshëm me kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërsa la në fuqi vendimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu