Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ne jemi familje”; Marshimi i Krenarisë LGBTI+ në Tiranë

Qindra anëtarë të komunitetit LGBTI+, aktivistë e mbështetës mbushën sot sheshin “Nënë Tereza” në marshimin festiv të Krenarisë.

Slogani “Ne jemi familje”, i përzgjedhur për këtë vit, bashkoi të gjithë organizatat që mbrojnë të drejtat LGBTI+ dhe mbështetësit e kauzës, në një festë krenarie për jetën, lirinë dhe solidaritetin.


Kleandra, një prej anëtareve të komunitetit LGBTI+ shpreh lumturinë që ndjeu sot si pjesëmarrëse e marshimit.

Nuk e di pse ndjehem kaq shumë e lumtur. Se me kujtohet vetja ime kur kemi dalë në Pride-in e parë para 10 viteve dhe kemi qenë vetëm 10 veta. Tashi siç e shikon edhe ti duket qartë që jemi bashkuar tamam një familje e fuqishme dhe e fortë”, -rrëfen Kleandra.

Sipas saj, sot lumturia është edhe më e madhe se koha kur shumë vite më parë doli hapur për identitetin e saj gjinor.

Për fat të mirë ‘coming out’ e kam bërë shumë më herët se të bëhej parada e parë. Nga kur kam bërë “coming out-ing” dhe deri më sot akoma 10 fish më e lumtur se para se të bëja “coming out”. Unë do ti thoja të gjithë të rinjve dhe të gjithë pjesëtarëve te komunitetit që nuk kanë dalë hapur, se clirohesh nga një mankth i vërtetë që ti e vret veten avash avash që në momentin që ti nuk tregon se çfarë je, çfarë ndjen”,-përfundon Kleandra. 

Marshimi nisi në sheshin “Nënë Tereza”, përshkroi rrugët kryesore të qendrës së Tiranës, e më pas u mbyll sërish në shesh.

Për Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës Kundër Diskriminimit të LGBT+, slogani “Ne jemi familje” vjen në një kohë të rëndësishme për komunitetin.

“Tematika, slogani i sivjetshëm i Pride u zgjodh me qëllim për të targetuar si vetë komunitetin dhe për të dhënë mesazhin që edhe pse ndonjëherë familjet biologjike nuk janë aty për ne, ne jemi familje dhe ne e kemi treguar këtë duke qenë solidarë me njëri-tjetrin sidomos gjatë periudhës së Covid-it ku shumë persona të komunitetit edhe pse humbën punën, filluan të hapnin dyert e shtëpisë së njeri-tjetrit. Filluan të mbështesnin njëri-tjetrin”.

Ajo shton se ky slogan shërben edhe si një mesazh për të githë:“Slogani targeton dhe pjesën tjetër të shoqërisë që mendojnë se familjet LGBT nuk duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me familjet e tjera. Nuk duhet të konsiderohemi një familje në vendin tonë. Për ti dhënë mesazhin se familjet LGBT janë një realitet në Shqipëri. Familjet LGBT nuk janë qytetare të dorës së dytë, por duhet të trajtohen si qytetare të dorës së parë dhe të kenë të drejta të barabarta, të cilat i jepen edhe nga konventa që Shqipëria i ka ratifikuar siç është Konventa për të Drejtat e Njeriut”.

Grupi i aktivistëve ndaloi për disa minuta para Kryeministrisë, ku shpalosi flamurin shumëngjyrësh të komunitetit. Aktivistët e konsideruan flamurin e vendosur në shkallët e Kryeministrisë si një instalacion më të rëndësishëm se sa kërpudha që qëndron përbri institucionit, pasi tregon shtypjen e përditshme që dhjetëra të rinj të komunitetit hasin në shoqëri.

Shpalosja e flamurit në shkallët e Kryeministrisë

Ndër të tjera, aktivistët i kujtuan Kryeministrit Rama premtimin e pambajtur që prej 10 vitesh për t’ju bashkuar marshimit dhe për të folur për të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Marshimi i krenarisë është një ditë e shënuar për komunitetin, ku kushdo mund të dalë pa frikë në hapësirat publike për të festuar dhe shfaqur identitetin gjinor dhe orientimin seksual.

“Mbi të gjitha për mua është një çështje e të drejtave të njeriut dhe është një çështje e fitimit, gëzimit të të drejtave të plota për një komunitet që është akoma i diskriminuar, i stigmatizuar, i shtypur”- u shpreh për Citizens Channel, aktivistja e të drejtave të njeriut, Deni Sanxhaku.

Sipas Sanxhakut, parada e Krenarisë është edhe një demonstrim i formave të ndryshme të familjes.

“Nga ana tjetër është gjithashtu nëj mënyrë për të cmësuar ato format e caktuara të të qenit si familje, sepse çdo lloj familje është legjitime për sa kohë ka dashuri, ka respekt, ka komunikim edhe po, ka përkujdesje me njëri tjetrin dhe kjo është familja jonë e madhe, familja e komunitetit LGBT, mbështëtës të komunitetit dhe persona që i duan të drejtat e njeriut”. 

Të pranishëm në marshim ishin edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të huaja në Tiranë, të cilët shprehën mbështetjen për të drejta të barabarta për personat LGBTI+.

Qytetarët në rrugët e Tiranës ndoqën me kureshtje marshimin, duke filmuar nga baret dhe lokalet përbri rrugëve.

Për aktivistin Ilir Lico çfarë është e rëndësishme në vijim është ndryshimi i qasjes së politikbërësve për të drejta të barabarta mes komuniteteve.

“Të jep një ndjesi çlirimi. Domethënë nga ajo ku kemi qenë më herët patjetër që ka një hov cilësor përpara. Ajo që është e rëndësishme që të shohim që këtej e tutje është se sa e mundur do të jenë ndryshimet në legjislacion, në politikbërje në mënyrë që të reflektohet barazia efektive e tërë individëve të komunitetit LGBT në Shqipëri”- tha Liço.

Marshimi i Krenarisë u mbyll me festime, me pjesëmarrjen e këngëtarëve që dolën në mbështetje të komunitetit LGBTI+.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *