Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Podcast: Zëra nga Parku i Butrintit…

Kuvendi i Shqipërisë votoi të hënën miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Dëgjo podcastin e plotë: 

Marrëveshja e miratuar nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 – 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

Deputetët kërkuan transparencë për procesin ndërsa Ministrja Margariti deklaroi se marrëveshja klasifikohej si sekret për të shmangur keq interpretimet.

Më 12 Maj ministrja Margariti deklaroi në Kuvend se në Butrint po sjellim menaxhimin përmes fondacioneve, një formulë e vjetër e provuar në shumë vende ndaj dhe po përfitojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera, argument që kundërshtohet prej si nga ekspertët ashtu edhe nga deputetët e opozitës në Parlament.

Por si u arrit deri në këtë vendimmarrje?

Më 15 tetor 2019, në një ceremoni simbolike të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, AADF, Michael Granoff i dorëzoi Ministres së Kulturës, Elva Margariti draftin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrint. Sipas marrëveshjes së Administrimit, Ministria i jep fondacionit të drejtën dhe detyrimin e administrimit të pasurisë kulturore për një periudhë 10 vjeçare me të drejtë rinovimi, nëse modeli rezulton i suksesshëm.

“Ka një histori më të gjatë para këtij ligji, që lidhet me shkrirjen e të gjitha atelieve të restaurimeve, dobësimin e Institutit të Monumenteve, dobësimin e Institutit të Arkeologjisë dhe kalimin e të gjitha punimeve të restaurimit me tendera, me kompani private“, thotë arkitekti Kreshnik Merxhani.

Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

“Këto forma njihen por nuk janë parësore dhe kjo do ti hapte rrugë një precedenti të rrezikshëm. Nesër një fondacion mund të marr Krujën, Gjirokastrën. Janë disa tempuj të rëndësishëm të identiteti kombëtar që ne si komb duhet ti menaxhojmë vetë, të kesh pasqyrën tënde të trashëgimisë kulturore“, shpjegon për Citizens Channel eksperti Auron Tare.

Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

“Shteti do humbi kontrollin mbi të gjithë mirëfunksionimin e Parkut Kombëtar, pra nuk do të jetë më shteti që e kontrollon, sepse në këtë bordin e ri që është krijuar është vetëm minstria një votë, katër votat e tjera janë vota private, pra janë dy anëtarë të AAFD që është një fond privat, është një arkeolog anglez  të cilën gjithë klasa arkeologjike shqiptare e konteston, është edhe një juriste e cila përfaqëson studion e vetë ligjore dhe nuk përfaqëson publikun“, thekson Tare.

Pro apo kundër?

Një ndër aspektet që nuk është pritur mirë nga specialistët shqiptarë është mos përfshirja e asnjërit prej tyre në këtë plan të ri menaxhimi.

“Arkeologët shqiptarë nuk e shesin prodhimin e tyre për pesë lekë. Është shumë më kollaj të vjedhësh para me një të huaj sesa me një studiues shqiptarë“, shprehet për Citizens arkeologu Neritan Ceka.

Pasojat e ngrohjes globale janë shqetësuese sipas ekspertëve dhe nuk jepet asnjë alternativë menaxhimi brenda këtij plani.

“Deri në 2040 pritet që Butrinti të mbulohet në të paktën plus 1.5 metër ujë, pra n.q.s. e përkthejmë në terma fizikë do të thotë që sot shikojmë skenën e teatrit, deri në 2040, 8 vjet pasi ta lërë ky fondacion Butrintin, t’jua kthej shtetit nëse nuk e rinovojnë kontratën, 3 shkallët e para të teatrit nuk do duken më, do jenë nën ujë. Dhe brenda planit nuk merret asnjë masë që adreson këtë çështje“, analizon Kreshnik Merxhani.

Ekspertë të tjerë mendojnë se i duhet dhënë kohë planit përpara se ta gjykojmë.

“Është opsioni administrimit shtetëror dhe një formë administrimi tjetër. Cila është forma më e mirë? Mbetet prova, por nuk ka provë pa rrisqe. Po nuk e pamë në provë nuk e paragjykojmë dot“, përfundon arkeologu Olsi Lafe.

E ndërsa ekspertë të pavarur kanë deklaruar se do ta apelojnë ketë forme menaxhimi ne Gjykatën Kushtetuese, përfaqësues institucional shprehen se do ta aplikojnë ketë forme menaxhimi dhe ne pasuri të tjera kulturore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *