Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Vjosë-Narta, një pasuri evropiane që kërcënohet nga ndërtimi i aeroportit të Vlorës”

Organizata “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) organizoi një tryezë diskutimi me ekspertë të mjedisit dhe aktivistë, për të diskutuar rreth Vjosë-Nartës, si një ndër territoret më të rëndësishme sa i përket botës së egër.

Vjosa-Narta mban aktualisht statusin “Peizazh i Mbrojtur”, kategoria e pestë, por nga ana tjetër, qeveria shqiptare e ka propozuar Akërninë, territor brenda zonës së mbrojtur, si hapësirë të përshtatshme për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Propozimi i Ministrisë për “Peizazhin e Mbrojtur” Vjosë-Nartë

Megjithëse Vendimi i Këshillit të Ministrave ende nuk është miratuar, faza e parë e punimeve ka nisur.

Aty ka filluar procesi i nivelimit të pistës së aeroportit, çka është një punim që kryhet ne zonë dhe me statusin aktual që ka zona është një vepër në kundërshtim me ligjin”, – thotë Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Vjosë-Narta strehon mbi 200 lloje shpendësh, të cilët pushojnë ose folezojnë atje, për të migruar më pas deri në Afrikë.

Vjosë-Narta është pikërisht një nga ato stacionet e rifurnizimit me energji të shpendëve migratorë, të cilët ndalojnë aty, ushqehen, rifitojnë energji dhe e vazhdojnë rrugën për të migruar”, – shpjegon Trajçe.

Aleksandër Trajçe, PPNEA

Një ndërtim i tillë do të shkatërronte habitatin e tyre, pohon Trajçe, duke dëmtuar shpendët që ndalojnë në Shqipëri.

Pra, është shumë e rëndësishme që zinxhiri i pushimeve të ruhet i paprekur, pasi përndryshe ne kemi cenuar gjithë vijueshmërinë e kësaj autostrade të gjatë”.

Nga ana tjetër, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se në Vjosë – Nartë nuk ka faunë dhe se punimet e aeroportit nuk do të kryhen brenda zonës së mbrojtur.

Organizatat ndërkombëtare: “Iu drejtuam qeverisë shqiptare, asgjë përgjigje”

Në këtë takim mori pjesë Gabriel Schwaderer nga organizata gjermane mjedisore EuroNatur. Ai u shpreh se Vjosë-Narta ka rëndësi ndërkombëtare, teksa e konsideron planin e ndërtimit të aeroportit të paligjshëm dhe në shkelje të konventave evropiane që Shqipëria i ka ratifikuar.

Laguna e Nartës dhe delta e Vjosës janë me të vërtetë ligatina me rëndësi evropiane, që mbështet një numër të madh të shpendëve shtegtare dhe gjithashtu popullatat folezuese të shpendëve”, – shprehet Schwaderer.

Ndërtimi i aeroportit do të ketë një ndikim i tmerrshëm në një nga ligatinat më të vlefshme përgjatë bregut të Adriatikut”, – thotë Schwaderer për Citizens Channel, teksa shpjegon se qeveria shqiptare nuk ka qenë bashkëpunuese rreth shqetësimit të përbashkët të organizatave mjedisore.

Gabriel Schwaderer, EuroNatur

Ne i kemi dërguar një sërë letrash qeverisë shqiptare kundër ndërtimit të këtij aeroporti, së bashku me shumë organizata nga Shqipëria në fakt, dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, – pohon ai.

Edhe Bashkimi Evropian është shprehur kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, publikuar në tetor të vitit 2021, thuhet se aeroporti i Vlorës është planifikuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar për mbrojtjen e diversitetit.

Vjosë-Narta është kandidate për rrjetin “Emerald”, i cili ofron strehim për më shumë se 62 lloje shpendësh të listuar në direktivën e BE-së”, – shkruhet në raport.

Vjosë – Narta e parë në sfondin antropologjik

Antropologu Nebi Bardhoshi ka kryer një studim antropologjik rreth Vjosë-Nartës. Komuniteti, pohon Bardhoshi për Citizens Channel, heziton të shprehet rreth marrëdhënies që ata kanë me mjedisin përreth.

Me natyrën ke fragmente që ata janë shumë të lidhur, kanë besime që lidhen me shpendët, me mjedisin, por është një territor pak i vështirë për t’u hulumtu sepse nuk kanë shumë dëshirë me folë sepse është zonë intime, emocionale”, – pohon ai.

Gjatë ndërveprimit me komunitetin, Bardhoshi ka konstatuar se banorët kanë një sens përkujdesi ndaj botës së egër dhe një lloj përjetimi emocional për shfrytëzimin e saj.

Dominon ideja që njerëzit duhet të gjuajnë apo të peshkojnë aq sa kanë nevojë, por jo ta teprojnë, të abuzojnë me natyrën. Madje mendohet që zogjtë kanë mbrojtësin e tyre”.

Nga ana tjetër, studimi i tij ka nxjerrë në pah se komuniteti beson që do të përfitojë ekonomikisht nga ndërtimi i aeroportit dhe se qindra prej tyre do të punësohen.

Komuniteti ka dilemën si kudo: ka dyshimet nëse sjell të mira ky aeroport, ka dhe dëshirën që të ndodhin investime sepse kanë një farë shprese për punësim”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *