Foto ilustrim: Pleurad Xhafa

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e shpalli shtetin shqiptar fajtor për shkeljen e Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut, pasi segregoi fëmijët romë dhe egjiptianë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Korçë.

Sipas vendimit, shteti shqiptar ka shkelur nenin 1 të protokollit të 12 të Konventës, i cili ndalon diskriminimin për shkak të përkatësisë etnike. GJEDNJ urdhëroi shtetin shqiptar që të dëmshpërblejë secilën familje që e ka paditur me shumën 4,500 euro, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë.

Pesë familje të komunitetit rom dhe egjiptian kishin ngritur padi në vitin 2017 ndaj shtetit shqiptar nëpërmjet Qendrës Evropiane për të Drejtat Rome, pasi në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë 89% deri në 100%  e nxënësve i përkisnin këtyre komuniteteve gjatë viteve 2012-2019.

Ky konstatim ishte kryer më herët edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga diskriminimi,  që në 2014 urdhëroi Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që të ketë parasysh raportin mes nxënësve rome/egjiptianë dhe atyre të maxhorancës, me qëllim që të shmangin krijimin e shkollave vetëm për nxënësit e këtyre komuniteteve.

Edhe Avokati i Popullit reagoi për këtë çështje.

Më 12 gusht 2015, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë të ndërmarrë veprime proaktive për t’i dhënë fund diskriminimit të nxënësve në fjalë. Gjithashtu, Avokati i Popullit rekomandoi gjithashtu që Ministria të krijojë një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të masave të desegregimit në të gjitha shkollat”,-thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas vendimit të gjykatës, qeveria shqiptare “parashtroi se ndarja ishte rezultat i ndryshimeve demografike në zonat përreth shkollës ku shumë banorë jo-romë/egjiptianë ishin shpërngulur nga zona dhe shumë banorë romë/egjiptianë ishin shpërngulur aty”. 

Për juristin Gentian Serjani, i cili ka qenë palë e tretë në gjykim bashkë me një sërë organizatash të tjera, ky rast është një precedent i rëndësishëm.

“Është hera e parë që është precedent edhe për mos ezaurimin e gjykatave të brendshme, sepse gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka zgjidhur këtë çështje pa ezauruar shkallët e brendshme të gjykimit”, -shprehet Serjani.

Sipas tij, fillimisht çështja është nisur për tu zgjidhur në mënyrë administrative, por për shkak të mos marrjes zgjidhje u ndoq në rrugë gjyqësore.

Gentjan Serjani, avokat

“Çështja ka vite që është ndjekur nga një sërë organizatash. Ne jemi marrë fillimisht me procedurën administrative dhe jo gjyqësore. Procedurat administrative ku u ndoqën ankesat e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe të Avokatit të Popullit dhe dokumenteve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Duke parë që nuk pati asnjë ndryshim në situatën e segregimit në atë shkollë u ndoq me pas edhe në një proces gjyqësor”,-tha Serjani.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u shpreh për Citizens Channel se deri më sot nuk është marrë asnjë masë për të realizuar rekomandimin e Komisionerit.

“Autoritetet shqiptare kanë dështuar të ndërmarrin hapa për të shmangur përqendrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë në këtë shkollë, megjithë vendimin e Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që Minisitria e Arsimit dhe Sportit të merrte hapa të menjëhershëm për ta përmirësuar situatën”. 

Krahas rastit të shkollës në Korçë, ka dhe shkolla të tjera ku është verejtur segregim për fëmijët romë dhe egjiptianë.

“Ne kemi mbledhur të dhëna atëherë edhe në disa shkolla të tjera, dhe bëhet fjalë për disa qytete të tjera që kanë shkolla drejt segregimit. Është Elbasani, është Berati, është Shkodra, por edhe në Tiranë është një shkollë që është drejt segregimit”-përfundon Gentjan Serjani.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu