Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: “Shëndeti seksual dhe riprodhues i adoleshentëve në Shqipëri”

Edukimi seksual në shkolla, mungesa e komunikimit në familje si dhe burimet njerëzore të kufizuara në institucione publike, janë disa nga shkaqet kryesore që privojnë adoleshentët nga shëndeti seksual dhe riprodhues.

Shoqata “Together for Life” prezantoi sot një raport analitik mbi këtë problematikë. 

Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësuese të Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtoresha shkolle, psikologë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. 

Në tryezë u diskutuan gjetjet e studimit dhe u vendos theksi tek rëndësia e edukimit seksual në shkolla, gjë e cila mungon sot. Po ashtu u diskutua nevoja për edukimin e mësuesve për këtë temë. U dakordësua se roli i shoqërisë civile në edukimin e fëmijëve por dhe të prindërve është i rëndësishëm. 

Arlinda Shehu, hartuese e raportit tha për Citizens Channel se diskutimi për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues “vijon të shkaktojë debate në shoqërinë shqiptare”.

Shehu tha se ndër problematikat kryesore janë mungesa e informacionit dhe paragjykimi për këto çështje.

Të rinjtë janë të papërgatitur për të ardhmen sepse brenda familjes nuk diskutohet për të tilla çështje, duke shkaktuar një zinxhir problemesh”, tha Shehu.

Arlinda Shehu, Together for Life

Shehu thekson se mungesa e informimit u vu re tek rezultatet që nxori studimi: “Në fakt, analiza tregoi që adoleshentët jo vetëm që nuk përdorin kontracepsionin në masë, por edhe nuk e kuptojnë termin kontracepsion”.

Ajo shton se temat e edukimit seksual vijojnë te jenë një tabu në familje, duke shtuar se “mungesa e informacionit nuk sjell dobi për askënd, as për prindin, as për fëmijën dhe as për shoqërinë”.

Disa nga pasojat kryesore me të cilat përballen adoleshentët, ndikuar nga shkaqet e mësipërme janë: Shtatzënitë e padëshiruara, aborti në moshë të hershme,  dhuna me bazë gjinore dhe bullizmi.

“Shtatzënitë e padëshiruara dhe aborti tek adoleshentët”

Të dhënat e Institutit të Shëndetit publik ADHS, tregojnë se vetëm 2.8% e vajzave dhe grave të moshës 15-49 vjeç dhe 0.4% e grave të moshës 15-19 vjeç përdornin ndonjë metodë moderne mbrojtjeje gjatë marrëdhënieve seksuale.

Tendenca e abortit në grup moshat 15-19 ka ardhur në rënie nga viti në vit.

Sipas INSTAT-it, numri i lindjeve në adoleshencë në Shqipëri nga viti 2018-2020 ka pësuar një ulje me 2.6%. Përqindja e vajzave që lindin në moshë të vogël është më e lartë në zonat rurale, me 5%.

Numri i aborteve dhe lindjeve sipas moshes se gruas, TFL

Përqindja e adoleshenteve që kanë filluar lindjen e fëmijëve është në përpjesëtim të zhdrejtë me nivelin arsimor”, thuhet në studimin e TFL.

Të dhënat tregojnë se rrënjët e këtij problemi gjenden tek situata ekonomike në të cilën ndodhen këto vajza ose familja e tyre.

Niveli i ulët ekonomik gjithashtu ndikon në rritjen e gjasave për një fillim të hershëm të lindjes së fëmijëve”, thotë studimi. 

Shtatzënia dhe amësia në adoleshenë sipas nivelit të pasurisë, TFL

Sipas të dhënave, 6% e adoleshenteve që kanë lindur fëmijë kanë një nivel më të ulët pasurie, ndërsa 1% të atyre kanë një nivel më të lartë të pasurisë.

“Dhuna me bazë gjinore i ka rrënjët tek sistemi patriarkal”

Shifrat e dhunës në familje tregojnë se gjinia më e prekur janë gratë dhe vajzat.

Shqiptarët priren ta konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore e familjare”, thuhet në studim.

Si pasojë e trajtimit të dhunës si diçka private dhe familjare, shpesh ajo nuk diskutohet dhe viktimat nuk e raportojnë dhunën. Në vitin 2020 në Shqipëri raportuan dhunë në familje 3,333 gra.

Numri i grave të vrara për shkak të gjinisë së tyre është një tjetër problem që rrënjët i ka të njëjta si dhuna.

Imazh nga protesta kundër femicidit në Tiranë/ Foto: Erisa Kryeziu

Në vitin 2020 nga 52 vrasje me dashje, rreth 13,5 % e tyre kanë qenë brenda marrëdhënieve familjare.

Për vitin 2020 gjithashtu deklarohet se 90 fëmijë kanë qenë viktima të dhunës në familje, prej tyre 43 djem dhe 47 vajza. Ndërsa në 2021 u vranë 20 gra.

Sipas studimit  “Dhuna e partnerit intim në adoleshencë në Shqipëri”,  22% e djemve dhe vajzave të intervistuara kanë përjetuar një formë të dhunës nga partneri i tyre. Përqindja më e lartë e kësaj dhune ishte tek vajzat.

Rreth 10% e adoleshentëve mendojnë se detyrimi për të kryer një marrëdhënie seksuale është “ i pranueshëm”.

Edhe në llojin e dhunës së ushtruar, të dhënat tregojnë se vajzat janë ato të cilat vuajnë pasojat më të mëdha.  Vajzat kërcënohen, poshtërohen (20% përkundrejt 8%) ose keqtrajtohen fizikisht (18% përkundrejt 6%) nga partnerët e tyre, pothuajse tri herë më shumë sesa djemtë.

“Mungesa e edukimit dhe komunikimit si shkaqe të situatës”

Analiza e kryer nga TFL rendit disa shkaqe që kontribuojnë në situatën me të cilët përballet Shqipëria sot, me shifra të larta dhunë ndaj vajzave, me gra të vrara, me adoleshente shtatzanë dhe aborte në mosha të vogla.  Mungesa e informimit është një nga faktorët që ndikon në situatën.

Sipas raportit, “gratë dhe vajzat duket se kanë pak ose aspak njohuri për kuadrin ligjor shëndetësor dhe të drejtat e tyre për të aksesuar shërbimet shëndetësore”.

Pankartë gjate protestes kunder dhunes seksuale ne Rrëshen/ Foto: Citizens Channel

Analiza tregon se sistemi shqiptar ka mangësi në mbrojtjen e fëmijëve, ku përmend burime të kufizuara njerëzore dhe mangësi në njohuritë profesionale. 

Në aspektin e edukimit dhe informimit, analiza përmend dhe mungesën e raportimit etik në media. Raporti thekson se mungojnë mekanizmat e monitorimit dhe ndëshkimit për këto raste.

Një tjetër faktor që ndikon në situatë është mungesa e besimit tek psikologu dhe mjekët. Raporti i TFL-së tregon se 76% e të rinjve në rrethe nuk janë të sigurt ose mendojnë që mjeku nuk e ruan privatësinë e bisedës përkundrejt 62% të të rinjve në Tiranë.

Edhe mungesa e komunikimit në familje është një tjetër shkak i pasojave që vuajnë sot të rinjtë. 

Studimi i TFL-së tregoi se një në tre gjimnazistë në Tiranë dhe një në katër gjimnazistë në rrethet e përfshira në studim, nuk komunikojnë kurrë me prindërit për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues.

Banderolë në protestën kundër dhunes seksuale në Rrëshen

Të dhënat e studimit tregojnë dhe mungesën e njohurisë që kanë të rinjtë për përdorimin e kontracepsionit.

Situata më e rëndë paraqitet në periferi. Në rrethe një në pesë të rinj janë përgjigjur që nuk e kuptojnë fare një term të tillë, ndërkohë që në Tiranë situata është pak a shumë e njëjtë duke marrë parasysh se një në shtatë të rinj deklaruan se kontracepsioni nuk është as e drejtë dhe as përgjegjësi.

Analiza tregon se roli i shkollës është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt.  Megjithëse në 10 vitet e fundit, organizata të shoqërisë civile kanë punuar së bashku me Ministrinë e Arsimit për të ndryshuar kurrikulat mësimore, nuk ka pasur ende efekt në këtë aspekt. Sot nuk ka lëndë me detyrim në shkolla për edukimin seksual, përpos orëve mësimore në orën e biologjisë.

Raporti nënvizon se orët e biologjisë, apo orët e lira dhe konsultat me psikologun kryhen me grupe gjinore të veçuara djem-vajza, “çka është e gabuar si për edukimin seksual, shëndetin riprodhues ashtu edhe për trajtimin e problemeve të ngacmimeve seksuale”.

Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore deklaroi në vitin 2020 se shkollat dëshmojnë të jenë të mbyllura ndaj informacionit që duhet t’u jepet nxënësve për fenomenin e dhunës me bazë gjinore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *