Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Një tjetër i plagosur në minierën e Bulqizës; Sindikata: “Deri sot janë rritur veç aksidentet, jo pagat”

Një minator është aksidentuar dje gjatë orarit të punës, në nivelin 20 të minierës së Albhcrome në Bulqizë. 

Minatori 51-vjeçar, u dërgua të martën në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ka marrë dëmtime në këmbë.

Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi në orën 12:00, por nuk ka dhënë detaje të tjera mbi ngjarjen, njofton media lokale “Bulqiza ime”. 

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, SMBB ka reaguar mbi ngjarjen duke i kërkuar kompanisë Albchrome “të mbajë përgjegjësitë që i takojnë sa i përket shpenzimeve mjekësore dhe kompensimit monetar për dëmin e shkaktuar”.

Ata kanë bërë të ditur dhe identitetin e minatorit, i cili është 51-vjeçari Besim Toska.

Sindikata kërkon që të merren masa të menjëhershme “për përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë, për të shmangur aksidentet në vazhdim”.

Kërkojmë prej institucioneve shtetërore që të vihen seriozisht në lëvizje, si për kushtet e sigurisë në punë, ashtu edhe për kërkesat e tjera të punëtorëve”, thuhet në deklaratën e SMBB.

Ndër të tjera sindikata njofton se katër ditë më parë i janë drejtuar Ministrisë së Financave dhe Inspektoratit të Punës që të nisin sa më shpejt procedurën e ndërmjetësimit mes Sindikatës së tyre dhe kompanisë Albchrome.

Ata i kërkuan më herët kompanisë që të riste pagat për minatorët, të cilët janë ndikuar nga kriza ekonomike.

Në reagimin e tyre minatorët shprehen se: “kompanisë i kërkojmë rritjen e pagës, por deri më sot janë rritur vetëm aksidentet”. Minatorët shprehen se prej disa javësh kanë tentuar që të komunikojn me kompaninë për këtë çështje dhe për përmirësimin e kushteve të punës por “përgjigjja e vetme që kemi marrë ka qenë heshtja dhe aksidentet në punë”.

Që prej dhjetorit 2021, Kompania Albchrome zotërohet nga kompania turke Yildirim International Mining Investments B.V, pas largimit të Balfin Group nga minierat e Bulqizës.

“108 Aksidentet në minierat e Bulqizës”

Sipas të dhënave të Policisë së Dibrës, në 10 vitet e fundit strukturat e Komisariatit të Policisë Bulqizë  “kanë kryer veprime hetimore dhe referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në 108 raste të evidentuara si aksidente gjatë punës në minierat e kromit në territorin e Bulqizës”.

Sipas policisë në 10 vitet e fundit janë aksidentuar në minierat e Bulqizës 115 shtetas dhe kanë humbur jetën 18 minatorë. 

Në 19 prill të 2022 minatori Arben Stafa u  aksidentua në minierën Albchrome. SMBB reagoi atëherë duke u shprehur se “ky aksident është tentuar të mbahet i fshehtë”.

Në mars të 2022, në minierat e Bulqizës mbeti i plagosur minatori 40-vjeçar Rasim Laçi.

Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në 2021 në sektorin e minierave janë aksidentuar 23 minatorë dhe kanë humbur jetën 6. 

Kompania nuk ka reaguar për aksidentin. Citizens Channel i kërkoi një koment mbi ngjarjen kompanisë, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *