Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tirana shënon rekordin e radhës në ndërtime; Po paratë nga vijnë?

Tirana shënoi një tjetër rekord ndërtimesh. Në tre-mujorin e parë të vitit 2022, Bashkia e kryeqytetit miratoi 112 leje të reja ndërtimi me një sipërfaqe prej 800,375 m2, thuajse dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 Arkitekti Arnel Çela tregon se shtimi i vrullshëm i ndërtimeve nuk përbën një tejkalim të planit Urbanistik Tirana 2030. “Nëse Tirana ndërtohet e gjitha sipas planit 2016 – 2030, po të bësh një llogari do të ketë dyfishin ose trefishin e banorëve që ka sot”, sqaron Çela.

Sipas tij ndërtimet e shumta lidhen me hapjen e zonave xhentrifikuese, si ajo e Pazarit të Ri. “Aty u dyndën të gjithë ndërtuesit të merrnin leje ndërtimi sepse filloj të shitej shtrenjtë, pra ndodh orientimi i tregut dhe përfitim më i madh nga çmimet e larta të apartamenteve”, sqaron arkitekti Çela.

Ndërsa viti 2021 shënoi një rekord për sa i përket sipërfaqes së ndërtimit në Kryeqytet me mbi 1.6 milionë metra katror që ju dhanë ndërtuesve në 267 leje të miratuara.

Treguesit e tre-mujorit të parë tregojnë se ky ritëm nuk do të ndalojë, ndërsa është vetë plani urbanistik që lë hapësira që jo rrallë herë rezultojnë në mbi-shfrytëzim të territorit.  "Ka abuzime me lartësitë p.sh. aty ku lejohen nëntë kate mund të jenë ndërtuar edhe 12, ku shfrytëzohen nenet e rregullores për ecjen në lartësi siç është instrumenti i intensitetit me kusht etj.”, shprehet Arkitekti Çela.

“Ndërtimi nuk po ndalet në gjithë Shqipërinë; Cili është burimi i parave?”

Shifrat tregojnë se edhe në nivel kombëtar ka një dyfishim të ndërtimeve. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të 2022 u miratuan leje për një sipërfaqe 72% më të lartë ndërtimesh, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021. Edhe vlera e investimit thuajse u dyfishua duke shkuar në 26,6 miliardë lekë në vetëm 3 muaj.

“Bumi ndërtimit nuk vjen nga zhvillimi. Në të gjitha vendet ndërtimi është derivat i numrit të popullsisë dhe rendimentit të punës. Janë rritur pagat në Shqipëri që njerëzit të vrapojnë të zgjerojnë sipërfaqen e banimit? , shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Një sërë raportesh ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin mbi burimet e financimit të kësaj industrie. Iniciativa Globale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zbuloi se në vetëm dy vite (2017-2019) u pastruan rreth 240 milionë euro përmes industrisë së ndërtimit në Shqipëri. Media të rëndësishme ndërkombëtare si “The Economist” theksuan se rritja me më shumë se 67% e vlerës së transaksioneve imobiliare dhe dyfishimi i çmimeve, ngre alarmin e pastrimit të parave në Shqipëri.

“Ndërtimi shërben edhe si një pedanë për tu futur në infrastrukturën publike, i investojnë me burime të pista pastaj fitojnë tendera publik sepse plotësojnë kriteret që kërkon volumi qarkullimit etj. pra në rrugë tunele etj.“, shton Preçi.

Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)

Përsa i përket mekanizmave të kontrolli Preçi thekson se janë lënë qëllimisht të tilla, pra evazion i liçensuar nga shteti.

“Ne na ndodh që ndërmarrje me dy punëtorë bëjnë investime që kalojnë dhjetëra miliona euro. Tjetër është ai që merr lejen tjetër është ai që zbaton, ndryshon porosia rrugës“, analizon eksperti Preçi.

"Në Shqipëri ndërtohet dyfish më shume se në Bashkimin Evropian"

Sektori i ndërtimit në Shqipëri zë dyfishin e peshës ekonomike në raport me mesataren e vendeve të Rajonit dhe Bashkimit Evropian. Ndërtimi zuri 9,9 % të Vlerës së Shtuar të ekonomisë së Shqipërisë më 2019.

Ndërsa Tirana në raport me qytetet e tjera shënon një rekord sa i përket lejeve të ndërtimit me71% e totalit të dhënë për të gjithë Shqipërinë në vitin 2021.

Sipas të dhënave të publikuara në Raportin e Financave Publike Vendore 2020, publikim i Co-Plan, në total në vitin e pandemisë, bashkia mblodhi nga dhënia e lejeve të ndërtimit 6.4 miliardë lekë, ose rreth 51 milionë euro.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *