Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Aktivistet feministe shprehin solidaritet me vajzën e re në Librazhd”

Dje Grupimi Feminist zhvilloi një aksion simbolik në Librazhd, për të shprehur solidaritet ndaj të resë e cila u filmua në një moment intim nga të afërm dhe më pas u shpërnda në media.

Në shkallët e Bashkisë së Librazhdit, aktivistet lanë parullën “Nderi i gruas është shpikje patriarkale” dhe më pas mbajtën një komunikatë për median, ku pohuan se secili individ duhet të ketë autonomi mbi trupin e vet.

Gratë janë qenie të lira dhe ato gëzojnë të drejta njëlloj si burrat në shoqëri. Ne kemi autorësi mbi trupat tanë dhe jetën tonë. Mbi të gjitha, ne e zgjedhim vetë dashurinë dhe kënaqësinë së cilës duam t’i falemi”,- tha Luana gjatë leximit të komunikatës për median.

Ndoshta nuk na takon ne t’i themi që s’ka bërë asgjë gabim që jeton jetën e vet, por mendoj që është e domosdoshme që të vihet theksi që të jetosh nuk është turp”, – shprehet më tej aktivistja Aurora Birbilaj për Citizens Channel.

Aktivistët dënuan mënyrën joetike të të raportuarit rreth rastit në fjalë, duke e konsideruar median palë me dhunuesit e tjerë të cilët e filmuan vajzën e re.

Ajo që më ka bërë shumë përshtypje është fakti që në prime-time në televizionet kombëtare është diskutuar çështja e të resë, duke pasur panele me persona që janë pro ose kundër kësaj ngjarjeje”, – ngre shqetësimin Blerta Lata, një tjetër aktiviste.

Ajo e cila e konsideron këtë lloj raportimi “një gjyq publik”.

Ajo është një grua për të cilën nuk kemi asnjë informacioni për jetën që ajo kishte me bashkëshortin e saj, për mënyrën si jetonte, për familjen e burrit të saj. Pra, ne i bëjmë gjyqin publik një individi për të cilin nuk kemi absolutisht asnjë lloj informacioni dhe asnjë lloj kompetence”, tregon Lata.

Eskpertë të medias: “Rasti i Librazhdit nuk përmbush asnjë kriter për t’u konsideruar lajm”

Emiljano Kaziaj, studiues i medias, renditi disa nga shkeljet e Kodit Etik që kanë bërë mediat që e kanë transmetuar materialin e filmuar në një hapësirë private.

Sipas Kaziajt, janë disa nene të Kodit Etik të Gazetarit që janë shkelur, siç është “Ndërhyrja në jetën private”, “Interesi Publik” dhe “Krimi dhe dhuna”.

Gjykoj që kjo ngjarje është transmetuar vetëm për efekt sensacionalizmi, nuk ofron informacion qe është jetik për publikun dhe nuk ka asnjë vlerë për t’u quajtur ose justifikuar si lajm”, – u shpreh më herët eksperti Kaziaj për Citizens Channel.

Edhe Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) në një deklaratë për media e dënoi ripublikimin e videos online dhe ftoi median ta fshijë materialin.

AMA e konsideroi publikimin e një ngjarjeje familjare një “ushqim zbavitës dhe argëtues” për publikun, që bëhet shkas për trajtime antinjerëzore dhe theksoi se sipas ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, operatorët janë të detyruar të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private dhe të mos lejojnë transmetime që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *