Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kronika e “Vjosës Park Kombëtar”, 10 vite aktivizëm dhe beteja gjyqësore

Qeveria shqiptare dhe kompania amerikane “Patagonia” nënshkruan dje një marrëveshje për krijimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës. Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi se parku do të përfshijë të gjithë rrjedhën kryesore të Vjosës (nga kufiri grek deri në Adriatik), duke përfshirë dhe tre degëzimet e tjera: Bënçën, Shushicën dhe Drinosin.

Kjo është diçka që nuk është bërë kurrë më parë në Evropë”, – deklaroi EcoAlbania, organizatë shqiptare e angazhuar prej një dekade së bashku me rrjetin RiverWatch dhe EuroNatur në mbrojtjen e këtij lumi.

Gjatë takimit të djeshëm, Kumbaro dhe drejtori ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert nënshkruan një memorandium dhe brenda 30 ditëve do të krijojnë një grup pune për të filluar planifikimin për ngritjet e Parkut Kombëtar.

Ajo që ne vendosëm, mbas muajve të gjatë diskutimesh, është që të punojmë së bashku, duke i shtuar grupit të punës së ngritur në Ministrinë e Mjedisit që në nëntorin e kaluar edhe ekspertë ndërkombëtarë”, – tha ministrja Kumbaro për Citizens Channel.

Ryan Gellert, drejtuesi i Patagonias u shpreh shumë i emocionuar për marrjen e këtij hapi, të cilin e konsideron shumë te rëndësishëm për fillimin e një procesi pune të gjatë dhe të vështirë.

Patagonia, në mënyrë shumë specifike, do të ndihmojë në identifikimin e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Jemi të gatshëm të financojmë dhe t’i bëjmë bashkë këto ekspertë”, – u shpreh Gellert për Citizens Channel.

Ryan Gellert, Patagonia

Olsi Nika, drejtuesi i organizatës EcoAlbania, tha se firmosja e një marrëveshjeje të tillë nënkupton çeljen e një kapitulli të ri.

Është fundi i një kapitulli përplasjesh apo mospajtimi mes nesh dhe qeverisë dhe tani fillon një kapitull i ri ku të dyja palët mundohemi të ndërtojmë marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi”, – pohon Nika për Citizens Channel.

“Dyzimet” e qeverisë shqiptare për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar

Në organizimin e djeshëm ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk kurseu ironinë për aktivistët ndërkombëtarë që kërkuan shpëtimin e lumit të fundit të egër në Evropë e as për mediat, teksa u shpreh se ishte vullneti i qeverisë së tij që çoi në hapa konkrete në mbrojtjen e lumit Vjosë.

Se kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Evropë, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër”, – tha Rama gjatë fjalës së tij, teksa vijoi me kritikat ndaj medias kombëtare e ndërkombëtare, që sipas tij, kanë krijuar një “terror artikujsh”.

Dhe neve e kthyem në një zonë të mbrojtur për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve”, – vijoi më tej Rama.

Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën për nënshkrimin e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me kompaninë Patagonia

Megjithatë, gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, Vjosa është gjendur vazhdimisht nën kërcënimin e veprave të mëdha hidrike, si ajo e Poçemit dhe Kalivaçit, që ishin planifikuar të ndërtoheshin në zemër të lumit.

Në vitin 2016, qeveria shqiptare hapi tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, duke rrëzuar zotimin e vitit 2015 të Kryeministrit Rama se do ta shpallte Vjosën Park Kombëtar, “që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale”.

Më tej, në vitin 2017, qeveria shqiptare anuloi kontratën koncensionare për ndërtimin e veprës tjetër hidrike, atë të Kalivaçit, pas konflikteve me Francesco Becchettin, për t’i rihapur sërish procedurat e tenderimit.

Kompanitë e interesuara mund të aplikonin për përfundimin e asaj vepreje deri në korrik të vitit 2017.

Komuniteti u organizua kundër ndërtimin të HEC Kalivaçit dhe zhvilloi disa protesta, krahas betejes ligjore, ku 38 prej banorëve ngritën një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjykata e shpalli të pavlefshme kontratën koncensionare në vitin 2017, pasi kishte parregullsi në zhvillimin e dëgjesave publike.

Sipas Olsi Nikës, Vjosa nuk do të preket nga hidrocentralet për meritë të komuniteteve dhe e organizatave kombëtarë dhe ndërkombëtarë që rezistuan.

E gjithë fushata për mbrojtjen e lumenjve ka qenë nxitja, nisja që qeveria të ndryshonte mendjen”, – saktëson Nika. Ai rrëfen se komunikimi ka qenë tërësisht i çalë, deri në fund të vitit 2021.

Nuk ka pasur bisedime deri në  fund të vitit 2021. Dhe në vitin 2022, qeveria ka ndryshuar kurs, ka pasur bisedime intensive mes nesh dhe qeverisë, Ministrisë së turizmit dhe mjedisit”.

Qeveria ka ndryshuar kurs edhe sa i përket statusit të Vjosës. Më herët në prill të vitit 2021, Rama u shpreh në një emision prime-time se ata nuk mund ta shpallin luginën e Vjosës Park Kombëtar pasi do të dëmtonte agroturizmin.

Hidrocentralet asnjëherë, por nuk mundemi dot që gjithë atë luginë të madhe ne të frenojmë për shembull agroturizmin, përkundrazi agroturizmi duhet të jetë pjesë e asaj historie”.

Shushica, një tjetër degëzim i rrezikuar nga hidrocentralet

Në qershor të vitit të shkuar, 30 shkencëtarëve të ardhur nga Austria, Italia, Gjermania dhe Shqipëria organizuan javën shkencore në lumin Shushicë dhe mblodhën të dhëna shkencore që do të përdoreshin për të argumentuar rëndësinë e ruajtjes së degëzimeve të Vjosës, krahas rrjedhës qendrore.

Ndonëse deklaratat e ditës së djeshme pohojnë të kundërtën, qeveria aktuale, në fakt dha disa leje për ndërtim hidrocentralesh në degëzim të Vjosës. Konkretisht, “Shushica Hydropower Sh.p.k” mori lejen mjedisore për ndërtimin e HEC Drashovicës, HEC Koten, HEC Gjorm dhe HEC Brataj.

Shoqërisë i mbaroi afati kohor për të nisur punimet në terren në vitin 2020 dhe aktualisht, kompania “Shushica Hydropower” ka rinisur me procedurat ligjore dhe ka zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në muajin nëntor të vitit 2021 në fshatin Lepenicë.

Çështja po ndiqet dhe në rrugë gjyqësore. Në muajin maj të këtij viti 28 banorë të fshatit Brataj të Vlorës që jetojnë përgjatë lumit Shushicë, së bashku me organizatën mjedisore “EcoAlbania”, kanë depozituar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë akt-padinë kundër katër hidrocentraleve.

Lajmin se Vjosa do të shpallet Park Kombëtare, së bashku me degëzimet e saj, banorët e pritën me gëzim të kontrolluar.

Ky është një hap që ne e mirëpresim, vetëm kemi mendimin që mos vendimi, kushedi anulohet” – shprehet e moshuara Zoica Zahoaliaj, e cila druhet se ky lajm është një premtim i radhës nga qeveria.

Të njëjtin mendim ndan edhe i shoqi, Sotiri. “Lajmi i djeshëm patjetër që është një lajm shumë i mirë, por jo i mjaftueshëm sepse deklarata të tilla janë dhënë dhe më përpara”.

Të tjerë banorë që janë rritur pranë lumit Shushicë, shprehen të emocionuar nga lajmi i fundit, të cilën duan ta besojnë që është i vërtetë. “Ky lajm është jetë për ne!”, – thotë i qeshur Elidon Kamaj nga Brataj.

Unë kam një grup lab, polifonik dhe sa e mora vesh, u thashë djemve që do bëjmë një këngë për këtë gjë”, – pohon Kamaj.

Elidon Kamaj, banor në Brataj

E pyetur nga Citizens Channel rreth Shushicës dhe zhvillimeve të fundit, Ministrja Kumbaro tha se si anëtare e Këshillit Kombëtar i Territorit, do të shprehet ligjërisht.

Vullneti im si ministër, por edhe si pjesë dhe iniciatore e këtij projekti, është që të mos ketë zhvillime HEC-esh në pellgun e Vjosës”.

Sa i përket hidrocentraleve të tjerë, Ministrja Kumbaro u shpreh se, ndonëse në pozitat e shoqërisë civile në të cilat ajo ka qenë vetë, është e lehtë “të ëndërrosh”, ama, në terma ligjorë, anulimi i kontratave do t’i sillte shtetit shqiptar dëme financiare.

Dhe kur ka angazhime kontraktuale, nuk mjafton thjesht të ëndërrosh siç e kam bërë edhe unë vetë kur kam qenë në shoqërinë civile, sepse përgjegjësitë ligjore dhe përgjegjësitë financiare në raport me ligjet janë shumë më të mëdha”, – përfundoi ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *