Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: “Ndihma ekonomike nuk shkon tek të varfërit”, shkak mungesa e informacionit

Një familje e varfër në Shqipëri e ka të vështirë të përfitojë ndihmën ekonomike, për shkak të mungesës së kapacitetit të institucioneve dhe aksesit të munguar në informacion.

Një studim për ndihmën ekonomike ka nxjerrë në pah këto vështirësi që kanë kategoritë në nevojë, qoftë familje me ndihmë ekonomike apo gra të dhunuara me urdhër mbrojtje.

Në shumë raste këto kategori nuk arrijnë të përfitojnë ndihmën për shkak të mungesës së kapaciteteve në strukturat publike.

Avokati i Popullit në bashkëpunim me Komisionerin për mbrojtjen nga Diskriminimi, UNDP dhe Ambasadën e Austrisë organizoi një tryezë në lidhje me studimin.

Studimi rekomandon se ka nevojë një për një përmirësim të aksesit në programet e mbrojtjes sociale.

Sipas përfundimeve, vlerësohet se informacioni në lidhje me mbështetjen e ofruar për kategoritë përkatëse është i pamjaftueshëm.

Strukturat përkatëse duhet të përfshijnë në planin e tyre të punës aktivitete që ofrojnë informim për “mbi pagesat cash , programet e mbrojtjes sociale dhe ku duhet të drejtohen qytetarët në nevojë për mbështetje”.

“Njësitë vendore duhet të publikojnë në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë listën e plotë të pagesave të asistencës sociale”, thuhet në studim.

Më tej, rekomandohet nga hartuesit e studimit, përmirësimi i regjistrit elektronik që merret me analizën e profilit të aplikuesve dhe përfituesve.

Një pikë e rëndësishme është forcimi i kapaciteteve të strukturave publike.

“Është e nevojshme të hartohet një plan për ngritjen e kapaciteteve për të gjithë bashkitë mbi të drejtat dhe udhëzimet lidhur me aksesin dhe aplikimin në pagesat e asistences sociale të kategorive të ndryshme”, thuhet më tej. Sipas hartuesve, kjo do të ndihmonte në krijimin e njohurive dhe rritjen e qartësisë.

Fuqizimi i mëtejshëm të kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm që janë pjesë e sistemit të asistencës sociale, shihet si faktor i rëndësishëm për përmirësimin e situatës.

Një problem i ngritur në studim është edhe vështirësia që hasin gratë me urdhër mbrojtje për të përfituar bonusin.

Për përmirësimin e kësaj rekomandohet “është e nevojshme të fuqizohet bashkëpunimi mes policisë dhe koordinatorit të dhunës që në momentin e vlerësimit të riskut”.

“Histori njerëzore”

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ka sjellë përmes këtij studimi disa histori duke e bërë problemin më të prekshëm.

Anisa* (emri është ndryshuar) është 38 vjeç dhe është nënë e një vajze dy vjeç e gjysmë. Ajo ka kontaktuar për herë të parë gjatë kohës së karantinës Linjën e Këshillimit. Anisa ka qene viktimë e dhunës në familje. Gjatë bisedës ajo ka dëshmuar se karantina përkeqësoi dhunën. Ajo i frikësohej përfundimit të urdhrit të mbrojtjes pasi ai ishte shumë i shkurtër dhe prandaj kërkonte ndihmë.

Ajo u mbështet nga Linja me përfaqësim në gjykatë për përcaktimin e kujdestarisë së vajzës dhe detyrimin ushqimor. Më pas ajo përfitoi një bonus qiraje për 7 muaj. Gjatë kësaj kohe kontaktonte bashkinë rregullisht dhe nuk merrte përgjigje, ndërkohë gjendja ekonomike e saj vështirësohej.

Anisa, nënë e vetme, e papunë, pa të ardhura, aplikoi dhe për ndihmë ekonomike dhe nuk e përfitoi menjëherë deri sa arriti të rinovojë urdhrin e mbrojtjes.

Një tjetër histori njerëzore e referuar në studim është ajo e Lorit, emri i së cilës gjithashtu është ndryshuar.

Lori 40 vjeç me 3 fëmijë, është përfituese pranë Linjës së Këshillimit prej më shumë se një viti. Edhe Lori ka qenë vitkimë e dhunës në familje. Ish bashkëshorti i saj u dënua me burg si dhunues pas denocimit të saj.

Sikurse kanë ndodhur vrasje të grave pasi bashkeshorti i tyre dhunues ka dal nga  burgu, duke marr hak, viktimat e dhunës i tremben kësaj.

Në kohën që Lori kontakton me Linjën, ish-bashkshorti ishte në përfundim të dënimit dhe për dy ditë do të dilte nga burgu, si pasojë Lori ishte shumë e frikësuar.

Nisur nga vlerësimi i detajuar i këshilluesve të Linjës, pa patur një dhunë konkrete në momentin që gruaja u paraqit pranë Linjës, u bë e mundur të sigurohej një Urdhër i Menjëhershëm i Mbrojtjes për një vit.

Në pamundësi ekonomike ajo aplikoi në programet e strehimit e përfitoi bonus qiraje. Më tej, kontaktoi sërisht me Linjën me shqetësimin se kishte dy muaj që nuk po merrte dot bonusin e qirasë. Kjo situatë i kishte sjellë probleme me qiradhënësin, i cili e kishte paralajmëruar se do t’i prishte kontratën dhe do ta nxirrte nga shtëpia.

“Mospërfitimi dhe vonesat e rëndonin tej mase gjendjen në nivel mbijetese për të dhe familjen së saj”, thuhet në studim.  Lori kërkonte mbështetje për ndihmë ekonomike nga Linja. Ndërkohë nga ana e bashkisë nuk i bëhej e qartë arsyeja e vonesës së bonusit të qirasë.

Sipas informacionit të mundësuar përmes koordinimit të stafit të Linjës me bashkinë, u informua se fondet kishin patur një vonesë, që ka rezultuar në një praktikë të përsëritur.

Këto janë vetëm dy nga shumë rastet të cilat janë përballur me këto vështirësi.

“Varfëria dhe minimumi jetik”

Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, rreth 33% e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Sipas Bankës Botërore nga viti 2021  deri në  vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit.

Të dhënat e fundit të Matjes së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri (INSTAT, AANJ 2019) tregojnë se individët thellësisht të privuar materialisht përbëjnë 37.1% të popullsisë.

Rreziku për të qenë i varfër është më i lartë për femrat në nivelin 23.8%, kundrejt meshkujve me 22.2%. Po ashtu, niveli i individëve në rrezik varfërie është më i larti në familjet me fëmijë në varësi, rreth 27.2% e individëve, kundrejt 14.2% që verifikohet në familjet pa fëmijë në varësi.

Ndërkohë që varfëria është tepër e lartë, Avokati i Popullit dhe struktura të tjera politike kanë ngritur zërin për nevojën e miratimit të minimumit jetik.

“Deri më sot nuk është gjykuar e përshtatshme të përcaktohet minimumi jetik në Shqipëri”, thotë studimi.

Vlera e minimumit jetik për person është 17,875 lekë. Është një shifër 9.9 % më e lartë sesa pensioni rural, 37.5 % më e lartë se pagesa e papunësisë edhe gati tre herë më e lartë se pagesa e ndihmës ekonomike.

Sipas studimit për transfertat e mbrojtjes sociale (UNICEF, 2019), ku janë listuar kategoritë e shpenzimeve për familjet e varfëra, ushqimi zë pjesën më të madhe të shpenzimeve (rreth 96%) duke kufizuar fort hapësirat për shpenzime që lidhen me aktivitete të zhvillimit njerëzor si shëndeti apo edukimi, apo edhe aktivitete të tjera zhvilluese si transporti, komunikimi, çlodhja dhe kultura.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *