Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Profesionistët kundër “importimit” të urdhrit italian të inxhinierit në Shqipëri

Profesionistë të fushës së inxhinierisë dhe arkitekturës u mblodhën sot në Universitetin Polis për të diskutuar mbi iniciativën e qeverisë për krijimin e “Urdhrit Profesional të Inxhinierëve”.

Projektligji u diskutua në datën 22 qershor në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese Tregtisë dhe Mjedisit në Kuvend, ndërsa ka hasur dhe më parë kundërshti nga profesionistët.

Deputetja e Partisë Socialiste Luljeta Bozo, e cila ka dërguar këtë projektligj në Kuvend, u shpreh optimiste mbi këtë iniciativë. “Urdhri do të rregullojë këtë profesion në çdo drejtim, duke nisur nga statusi e të drejtat e inxhinierëve, te kodi etik, licencimi, përgjegjësitë për shkaktimin e dëmeve, e deri te masat disiplinore”, argumentoi Bozo gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të pak ditëve më parë.

Momente gjate diskutimit kunder Urdhrit te Inxhinierit ne Universitetin Polis

Bozo theksoi se projektligji është konsultuar me 17 shoqata të inxhinierëve, por për profesionistët e pranishëm në takimin e sotëm këto shoqata janë problematike për sa kohë nuk bëhen publike emrat dhe numri i anëtarëve që ato kanë.

“Diskutimet kundër urdhrit”

Ledian Bregasi, arkitekt dhe dekan në Universitetin Polis u shpreh gjatë diskutimit se mënyra si po importohet ky ligj i marrë nga jashtë është problematik.

Ledian Bregasi, arkitekt dhe dekan i universitetit “Polis”

“Modelet e importuara, të vjetra, të huaja që sillen pa arsye, ku argumenti i vetëm është do bëhet më mirë”, u shpreh Bregasi.

“Nëse miratohet ky urdhër inxhinieria vdes”,  tha deputeti i opozitës, Lefter Gështenja i cili e ka kundërshtuar projektligjin edhe në Kuvend. 

Sipas tij urdhri prek shumë studentët dhe është problematik për ata sepse “nuk i lejon  të ushtrojnë profesionin duke ju shtuar hallka buroktratike”. 

Një tjetër problem që ngriti Gështenja është asambaleja e parë që do të mbaj Urdhri i Inxhinierit, ku do të jenë pjesë 10 shoqatat të cilat do të zgjedhin drejtuesit. 

“Nuk besoj që 10 shoqata inxhinierësh që s’kanë lidhje me profesionin duhet të vendosin për fatin tonë, por duhet diskutuar me të gjithe grupet”, u shpreh ai. 

Sipas tij kjo po ndodh me qëllimin e vetëm “për të uzurpuar, për të kapur një nga fushat e ekonomisë, ndërtimin”.

Foto gjate diskutimit ne Universitetin Polis

Inxhinierja Dëshira Mena bëri një historik të diskutimeve që kanë ndodhur dhe kërkesave që ajo kishte dërguar në ministri dhe tek komisioneri për të marrë informacion mbi çështjen.

Ajo u shpreh e gatshme për ta kundërshtuar ligjin në sistemin e drejtësisë: “do ta çoj në Gjykatë, edhe në Gjykatë Kushtetuese nëse është nevoja edhe në gjykatat europiane”.

Mena u shpreh se ka një problem thelbësor me mënyrën e diskutimit, pasi sipas saj ndryshe është shkruar në letër dhe ndryshe interpretohet.

Ajo u ndal edhe tek argumenti i hartimit të urdhrit sipas atij italian.

Si deputetja Bozo ashtu edhe të tjerë inxhinierë që janë pro urdhrit shprehen se modeli i ndjekur është ai italian.

Ndërkohë që Mena dhe profesionistët e tjerë shprehen se ky urdhër është i vjetër dhe problematik për tu aplikuar në Shqipëri.

Së pari, Italia ka traditën dhe e ka hartuar këtë urdhër që në 1923 në kohën e Musolinit.  

“Kjo nga nevoja për të mbrojtur veten por se di nëse ne duhet ta ndjekim këtë shembull”, u shpreh Mena.

Rektori i Universitetit Polis, Besnik Aliaj gjithashtu mbështeti idenë se urdhri italian nuk mund të sillet në Shipëri. Sipas tij, Italia e ka dhe nevojë për arsye se është shteti që prodhon më shumë arkitekt (në rastin e urdhrit të arkitektit) e për pasojë ka nevojë për rregullator. 

Merita Guri, inxhiniere ndertimi

Merita Guri, inxhiniere ndërtim tha se “urdhri kundërshton ligjin aktual për profesionet e rregulluara me ligj”.

Ndërkohë që hartuesit e saj shprehen se ligji për profesionet e rregulluara e ka të parashikuar hartimin e urdhrave.

“Studentët kundër urdhrit”

Ardita Kasa studente e arkitekturës në Universitetin e Tiranës u shpreh për Citizens Channel se nuk ka pasur informacion për projektligjin dhe është njohur së fundmi.

Kasa tha se ua prezantoi një pedagoge dhe se menjëherë pasi dëgjoi iu zgjua interesi për të ditur më tepër. 

“Ky urdhër ndikon gjithë studentët e fakultetit të inxhinierisë dhe arkitekturës. Unë si brez i ardhshëm prekem direkt nga ky ligj i cili mendoj se është diskriminues për ne studentët”, tha Kasa.

Ajo u shpreh se fakti që duhet të përballen edhe njëherë me një provim është problematik.

“Ne testohemi nga këta pedagog, pse duhet të na testojnë edhe njëherë po të njejtët”, u shpreh ajo.

“Është presionuese, frikësuse, të ben të mendosh të mos e vazhdosh këtë profesion”, shton studentja e cila mendon se nuk është e nevojshme për të krijuar një hendek të tillë mes brezave.

Ilda Suka, gjithashtu studente e arkitekturës shprehet kundër këtij ligji.

“Për ne që jemi student prekemi më shumë, sepse ata që kanë eksperiencë kanë avantazhe nga urdhri kurse ne duhet të kalojmë stazhe, provime e prova”, tha për Citizens Channel Suka.

“Argumentet pro”

Në një artikull të mëparshëm, Citizens solli edhe argumentet pro të hartuesve të ligjit. 

Disa nga këto argumente të renditura nga Lulejta Bozo janë

  1. Në gjithë vendet e Evropës këto profesione rregullohen me anë të urdhrave profesional. “Përderisa Shqipëria aspiron të hyj në Evropë, legjislacioni duhet të jetë i përshtatur me atë të vendeve të BE”, sqaron Bozo. 
  2. Tregu jashtë kontrollit ku ligjin e bën konkurrenca e pandershme.
  3. Kontrollimi i aftësive të profesionistëve. “Kontrollohen me dy kushte, kushti i parë që të ketë mbaruar arsimin e lartë sipas ligjit, 3+2. Pasi të jetë regjistruar në Urdhrin e Inxhinierit, do të kaloj në provën nëse është i aftë apo jo. Dhënia e diplomës nuk do të thotë që ti je në gjendje të ushtrosh profeisonin”.
  4. Licencat aktuale kanë një problem, sqaron Bozo “sepse është një komision në të cilin nuk janë të gjithë profesionist dhe nuk e bëjnë kontrollin e kësaj pune“. Urdhri do të rregullojë profesionin e inxhinierit duke bërë një kontroll, pasi nuk mund ta ushtrosh profesionin sapo ke dal nga banka e universitetit. 
  5. Provimi shtetëror. Pas regjistrimit te urdhri i ushtrohesh një provimi shtetëror. Provimi ka dy pjesë kryesore, pjesën teknike/profesionale dhe atë etike.
  6. Urdhri është konsultuar me Italinë dhe Holandën, të cilët kanë dhënë dhe ekspertizën e tyre ne hartimin e draftit
  7. Urdhri do të krijojë projekte informimi falas për inxhinierët, ku do të infromohen në lidhje me të rejat në fushën e tyre. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *