Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reagime: “Riedukimi i Kryeministrit ndaj gazetarëve, shkelje e të drejtës për informim”

Konferenca për shtyp e thirrur nga Kryeministri Rama për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në 1 korrik, çoi në “riedukim” gazetarin e A2 CNN, Klevin Muka.

“Do kalosh në riedukim për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirë se ardhur në asnjë konferencë shtypi”-iu përgjigj kryeministri Rama gazetarit.

Shkak u bë pyetja e gazetarit Muka drejtuar ministres së jashtme Olta Xhaçka, lidhur me respektimin e kodit etik të vendosur së fundmi për Këshillin e Ministrave sa i përket takimin me biznesmenë. Nisur kjo nga shpallja e bashkëshortit të saj si investitor strategjik nga qeveria shqiptare.

“Në 29 prill të këtij viti ka hyrë në fuqi kodi i ri etik për këshillin e ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largimin nga detyra për të gjithë ministrat qe e shkelin. Një ndër pikat e këtij kodi etik është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm me praninë e dy punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni zbatuar këtë pikë? A e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nën shoqërinë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin etik?”-iu drejtua gazetari Muka ministres Xhaçka.

Mirëpo në vend që të merrte një përgjigje nga ministrja sipas adresimit, pas pyetjes ndërhyri kryeministri Rama, i cili e konsideroi në shkelje të kodit etik të gazetarit dhe konferencës.

“Për pyetje të përsëritura, pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, tre muaj. Kështu që përgjigjen e radhës ti do ta marrësh mbas tre muajsh. Në tetor, në konferencën e tetorit hajde je i mirëpritur, shpresoj edhe i riedukuar për të marrë përgjigjen”,-ia gjegji Kryeministri Rama, ndërsa theksoi më pas se “në kodin etik të gazetarit dhe të konferencës së shtypit ka një normë shumë të thjeshtë që quhet respekt”.

Kodi etik i gazetarëve nuk ka asnjë nen për “respektin” 

Kodi etik i gazetarit, si një instrument vetërregullues per të përmirësuar cilësinë e gazetarisë rendit një sërë nenesh që adresojnë problematika të ndryshme, me qëllim orientimin e gazetarëve dhe mediave per ti pasur kujdes gjatë punës së tyre.

Saktësia, paanshmëria, pavarësia editoriale, e drejta e replikës, gjuha e urrejtjes, interesi publik dhe konflikti i interesit janë disa nga shumë fusha të tjera që ceken dhe prej të cilave orientohet gazetari në punën e tij.

Mirëpo në asnjë nen të tij kodi etik i gazetarit nuk nënvizon si nen të tij respektin si normë shoqërore.

Elvin Luku, pedagog në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës argumenton se pyetja e gazetarit nuk ishte jo etike.

Elvin Luku, pedagog UT

“Në fakt, pyetja e gazetarit, jo vetëm që nuk cënonte asnjë normë të etikës profesionale, por unë do ta cilësoja një pyetje inteligjente që “shkërrmoq” teknikën populiste për miratimin e rregullave të reja të kodit etik të ministrave, për të zbehur akuzat në media për favorizime e lidhje të ngushta të tyre me biznesmenë të caktuar”,-shprehet pedagogu Luku.

Sipas tij, “nëse ka një shkelje etikë në atë komunikim vjen nga ana e kreut të qeverisë, i cili me aktin e përjashtimit cënon lirinë e medias dhe nuk respekton pushtetet e tjera”.

Reagime: “Kryeministri të respektojë të drejtën e gazetarëve për të bërë pyetje dhe për të marrë përgjigje”

Përfaqësuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri e konsideron sjelljen e Kryeministrit Rama si cenim të lirisë së gazetarëve për të bërë pyetje dhe për të marrë përgjigje.

“Bërja e pyetjeve specifike për tema me interes publik si për shembull konflikti interesit të funksionarëve të lartë si ministrat apo për afera korruptive që e vendosin me vështirësi kryeministrin apo ministrat apo për të cilat ata nuk duan të përgjigjen, nuk është mungesë respekti ndaj institucionit sic pretendon kryeministri. Kjo është detyra bazë e cdo gazetari që bën gazetari profesionale dhe në shërbim të publikut”-u shpreh Bino për Citizens Channel.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

Për këtë komunikim të Kryeministrit Rama me gazetarët ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë duke kërkuar refuzim të këtyre penalizimeve.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtyre masave që pengojnë gazetarin për periudha të caktuara kohe për të marrë pjesë në konferencat e kryeministrit. Kjo bie ndesh me legjislacionin shqiptar për të drejtën për informim dhe për t’u informuar. Kjo bie ndesh me parimet e komunikimit publik të një kryeministri, i cili duhet të përballet me gazetarët për pyetje dhe çështje që shqetësojnë opinionin publik”,-thuhet në deklaratën e Unionit.

Fushata kundër medieve e Kryeministrit Rama: “Riedukimi” si vijimësi e termit “kazan”

Që prej vitit 2019, kryeministri Rama ka përdorur një gjuhë denigruese ndaj medias dhe gazetarëve në veçanti, kryesisht ndaj atyre kritikë. Referimi i medieve si “kazanë” u pa me shqetësim asokohe edhe nga përfaqësues të rrjeteve ndërkombëtare mediatike.

Ajo çfarë po shohim në rajon është se ka një rritje të gjuhës denigruese që përdoret nga liderët politikë. Por kemi parë që në Shqipëri, kjo po ndodh më shumë, dhe kjo gjuhë denigruese mund të çojë në pasoja për gazetarët”,-u shpreh gjatë një vizite në Tiranë Sarah Clarke përfaqësuese e Artikulli 19.

Fill pas ezaurimit të kësaj gjuhe ndaj mediave dhe gazetarëve, tanimë në konferencat për shtyp që janë të pakta në numër, kryeministri Rama po përdor gjithnjë e më shumë termin “riedukim” për gazetarët që drejtojnë pyetje ndaj të cilave Kryeministri nuk është përgjigjur.

Nisur kjo fillimisht me gazetaren Ambrozia Meta, e cila e pyeti kryeministrin për rastin e Alqi Bllakos dhe përgjegjësisë në përzgjedhjen e kandidatëve që akuzohen për korrupsion. Pas ndërhyrjes me pyetje të gazetares Meta, Rama i ndaloi të drejtën e pyetjeve për tre muaj, duke e “dërguar per riedukim”.

Rast ky i përsëritur tanimë me gazetarin Klevin Muka. Pedagogu Elvin Luku e shikon termin “riedukim” si filozofi e kësaj qeverisjeje.

“Komunikimi i kryeministrit për “riedukimet e gazetarëve” është pjesë e filozofisë qeverisëse në mënyrë vertikale. Edhe draftet antishpifje në thelb ishin të mbështetura mbi këtë filozofi kontrolli për “ti riedukuar mediat online dhe gazetarët” përmes gjobave të larta me pretekstin e shpifjeve”,-përfundon Luku.

Ndërsa për Blerjana Bino, përfaqësuesja e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri”, edhe marrja përsipër për tu përgjigjur ndaj një pyetjeje që nuk i përkiste Kryeministrit tregon qasjen e tij ndaj ministreve gra.

“Është e patolerueshme që edhe në ato pak raste që bën konferencë për shtyp kryeministri nuk pranon pyetje të vështira dhe mohon të drejtën gazetarëve. Në këtë rast më keq akoma, ai nuk la ministren të përgjigjet, tregues tjetër i qasjes së patronizimit të kryeministrit ndaj ministreve gra, pyetja ishte për të dhe ajo duhet të përgjigjej”,-përfundon Bino.

Thirrje për protestë

“Riedukimi sot=Internim dje”, është mesazhi që gazetarët kanë shpërndarë në rrjetet sociale duke njoftuar protestë ditën e hënë , më 4 korrik.

“Duhet të kundërshtojmë fort të gjithë bashkë, këtë metodë komunistë të Ramës, bërë ndaj medias. Ndryshe ky standard, mund të aplikohet nga ministra, drejtora, deputetë etj, në momentin që u bëhet një pyetje e vështirë”,-thuhet në deklaratën që lajmëron protestën.

Posteri qe lajmeron protesten

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *