Pamje nga Vila e Zogut, Foto : Pleurad Xhafa

“Vila nuk kuptohet pa Durrësin dhe Durrësi nuk kuptohet pa vilën”, – kështu e komenton arkitekti Indrit Hamiti vilë historike të mbretiti Zog në qytetin bregdetar.

Vila mbretërore është një prej godinave më ikonike të Durrësit, e ndërtuar në vitet 1920-1930, objekti i ka kushtuar rreth 1.5 milionë franga ari. Prej kohësh objekti qendron i mbyllur dhe i pa aksesueshëm për turistët dhe qyetarët e interesuar për ta eksploruar nga brenda. Për ta vizituar turistët gjejnë mënyra alternative si pagesa nën dorë.

“Patëm një kontakt që na dha akses për në pallat. Është një godinë e mrekullueshme, me origjinë italiane, dhoma të mëdha. Është në kushte shumë të këqija”, – tregon një tursit amerikan jashtë vilës.

“Vila e Zogut nuk ka pasur kurrë status monument”

Eksperti Indrit Hamiti vlerëson se duhet të merret një vendim për ta shpallur godinën monument kulture.

Indrit Hamiti

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ku nga përgjigja e tyre u konfirmua se godina është pronë private dhe ato nuk kanë kompetenca mbi të.

“Duhet gjetur një formë nëpërmjet formulave të bashkëpunimit publik – privat që vila të rikuperohet, në mënyrë që mos të humbë vlerat që ka”, – thekson arkitekti.

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës i thanë Citizens Channel se nuk ka pasur asnjë tentativë për ta shpallur vilën Monument Kulture ndër vite, edhe pse ligji “Për Trashëgiminë Kulturore” nuk e pengon shpalljen monument të objekteve private, që përbëjnë pjesën më të madhe të fondit të monumenteve.

Eksperti Indrit Hamiti shpjegon se godina ka vlera arkitekturore, historike dhe të peizazhit. Vlerat arkitekturore eksperti i lidh me grupin e arkitektëve të mirënjohur që kanë punuar për godinën, konkretisht Kristo Sotiri i cili punoi për fazën e parë të vilës, ndërsa zbatimi i projektit u ndoq më pas nga arkitekti italian Florestano di Fausto.

“Në pikëpamjen historike, vila ka qenë vilë presidenciale dhe më vonë vilë mbretërore ku në luftën e dytë botërore ka funksionuar si qendër për ushtritë pushtuese dhe më pas si vilë pritjeje”, – shton ai.

Ndërsa nga pikëmpamja e peizazhit, vila është pjesë përbërse e çdo fotoje historike të qytetit, përfundon Hamiti.

Zef Çerri

“Tani është shkatërruar, ka vetëm muret, vinë njerëzit kur kanë një dasmë, ai roje, i marrin leje, bëjnë ca filmime”, – rrëfen një nga banorët, Zef Çerri.

Vila e Zogut jashtë guidave të operatorëve turistikë

Arjana Isaku

Arjana Isaku, operatore turistike dhe përfaqësuese e “Dea Lines”, tregon se ajo grupeve turistike ua prezanton vilën vetëm nga jashtë, pjesën arkitekturore në dukje dhe kaq, edhe pse interesi është i lartë.

“Turistët fokusohen në fotot që bëjnë nga peizazhi duke parë nga jashtë Vilën e Zogut, por edhe nga pamja që të ofron vila në pjesën e sipërme, ku shikohet deti, shikohen edhe shumë godina sepse Durrësi është transformuar plot me godina”, – konfirmon Isaku.

Ajo gjithashtu tregon një rast kur një autobus i madh, 50 vendësh, me turistë nuk mundej të kthehej për shkak të infrastrukturës rrugore.

” Ne nuk e dimë të ardhmen e Vilës së Zogut, se nga kush do menaxhohet, apo si do jetë fundi i saj, por shpresojmë t’i rikthehet një lloj shkëlqimi dhe të kthehet në një pikë të vizitueshme atraktive”, – përfundon Isaku.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu