Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Me shezllon tek Ministria e Turizmit, aktivistët nisin peticionin për plazhe publike

Aktivistë të Nismës Thurje hapën sot përballë Ministrisë së Turizmit një çadër plazhi, një shezllon dhe një tabelë që shkruan “Plazh publik”, në shenjë proteste për privatizimin e bregdetit shqiptar.

Meqenëse Ministria e Turizmit ka vendosur që t’ia japë të gjithë vijën bregdetare privatit dhe investitorëve strategjikë, vendosëm që “plazhin” sot ta bëjmë pranë derës së këtij institucioni”, – thanë ata në një komunikatë për median.

Ky aksion vjen pas vëzhgimeve në terren, ku kanë konstatuar se pjesa dërrmuese e vijës bregdetare është e privatizuar. Konkretisht, ata kanë mbikëqyrur zonën e Shëngjinit, Velipojës, Vlorës, Durrësit dhe Dhermiut.

Kemi vënë re se hapësirat publike nuk ekzistojnë, janë thërrime, të papërfillshme, kundrejt privatizimit masiv”, – shkruhet më tej në deklaratë.

Nisma Thurje i është drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit rreth menaxhimit të hapësirës bregdetare, por kërkesa ka mbetur në pritje të përgjigjes.

Një peticion për plazhe 100% publike

Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, në nenin 4, përcakton se 80% e vijës bregdetare do të menaxhohet nga privati, ndërsa 20% e saj është publike.

Duke parë situatën në terren, ata kanë nisur një peticion dhe kërkojnë 100% plazhe publike në Shqipëri. Deri tani janë mbledhur 3900 firma.

Kemi mbledhur firma në disa pika në Tiranë, në bregdetin e Shëngjinit dhe në Durrës. Do te jemi ne terren për mbledhjen e firmave në Vlorë dhe Sarandë në ditët në vijim”, – tha për Citizens Channel Amel Pervizi.

Amel Pervizi, Nisma Thurje

Plani i tyre është që ta dërgojnë si propozim në Parlamentin Shqiptar. “Në varësi të firmave do të dërgojmë një projektligj në Parlament për plazhe 100% publike ne fund te korrikut ose ne fillim te shtatorit”, – përfundon Pervizi.

Nisma Thurje ka postuar në vazhdimësi video nga bregdeti, ku shfaqen pamje të  bregdeteve në qytete të ndryshme, ku mungojnë hapësirat publike.

Shëngjin

Jam duke kërkuar për hapësira publike, se këtu në Shëngjin është kthyer gjithçka në private”, – shprehet Marseli në një video të xhiruar në Shëngjin, ku mungojnë plazhet publike për qytetarët.

Durrës

Unë kam lindur dhe jam rritur në Durrës. Kur isha fëmijë e mbaj mend që mbushej plazhi nga njerëz me çadrat e tyre. Sot për të ndenjur në plazh më duhet të paguaj një shezllon”, – thotë Egriselda në një video të publikuar nga Nisma Thurje, ku shfaqen pamje të bregdetit pa hapësira publike për pushuesit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *