Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat ndërkombëtare dënojnë vendimin e Ramës për të “riedukuar” gazetarët

Vendimi i fundit i kryeministrit Edi Rama për të dërguar “në riedukim” një tjetër gazetar, është kundërshtuar të mërkurën edhe nga 7 organizata ndërkombëtare të medias.

Shtatë organizatat pjesë e grupit “Reagimin e Shpejtë mbi Lirinë e Medias” i dërguan kryeministrit një letër, ku i kërkojnë të tërhiqet nga vendimi që e cilësojnë si arbitrar.

Rama i tha gazetarit të A2 CNN gjatë një konference se do ta dërgonte në riedukim, pasi ai e pyeti nëse ministrja Olta Xhaçka kishte takuar bashkëshortin e saj, duke shkelur kodin etik të qeverisë, ku ndalohet takimi i anëtarëve të kabinetit me sipërmarrës. 

Reagimi i kryeministrit u cilësua si shkelje e të drejtës për informim nga ekspertët e medias, të cilët u shprehën se nuk ka asnjë nen në Kodin Etik për “respektin”.

Po ashtu veprimi i kryeministrit u ndoq edhe nga një protestë e gazetarëve ditën e hënë, të cilët dënuan sjelljen e tij dhe kërkuan tërheqjen e menjëhershme të “masës” së vendosur nga kryeministri. 

Protesta e gazetareve kunder vendimit te Rames

“Organizatat ndërkombëtare “dënojnë” Ramën”

Në letrën dërguar kryeministrit Rama, organizatat ndërkombëtare e cilësojnë vendimin si ndalim të njëanshëm.

“Organizatat tona janë të shqetësuara se këto kufizime arbitrare ndikojnë seriozisht në aftësinë e shtypit për të kryer rolin e tyre mbikëqyrës dhe për të kërkuar përgjigje për çështje sfiduese”, thuhet në letër. Ato shprehen se sjellja e Ramës është emblematikë “e problemeve më të thella në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe pengimin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur në Shqipëri”.

7 organizatat e medias përmendin dhe renditjen më të ulët historike të Shqipërisë në Indeksin e Lirisë së Medias, e cila në 2021 u rendit në vendin e 103.

Ndër të tjera, vlerësojnë se pyetja e gazetarit Klevin Muka “përfshinin një çështje legjitime me interes publik mbi Kodin e Etikës të Këshillit të Ministrave të sapokrijuar dhe konflikte të mundshme interesi që përfshijnë ministren në fjalë, dhe për këtë arsye justifikonin një përgjigje”.

Por gazetari tani është ndaluar për tre muaj të bëjë pyetje në konferencat për shtyp të kryeministrit “gjë që do të ndikojë seriozisht në aftësinë e tij për të kryer siç duhet detyrat e tij profesionale”.

Për organizatat është shqetësues fakti që kjo nuk është hera e parë që një vendim i tillë vjen nga kryeminsitri. Ato sjellin në vëmendje rastin i gazetares Ambrozia Meta, e cila gjithashtu u dërgua “në riedukim” duke u ndaluar kështu të bëjë pyetje në konferencat e kryeministrit për 60 ditë. 

“Nuk ka sanksion administrativ që ndalon gazetarët në mënyrë të njëanshme”

Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se nuk ka asnjë sanksion administrativ zyrtar që lejon që gazetarët të ndalohen “në mënyrë të njëanshme të marrin pjesë në konferencat e shtypit të qeverisë”.

“Prandaj mendojmë se masat e vendosura si ndaj Klevin Mukës ashtu edhe ndaj Ambrioza Metës ishin arbitrare dhe të pajustifikuara”, thuhet në letër.

Organizatat shprehen se nuk është roli i zyrtarëve të zgjedhur që të vendosin personalisht masa disiplinore ndaj gazetarëve si individ mbi ato që ata konsiderojnë si shkelje të pretenduara të etikës. 

Ashtu si gazetarët edhe organizatat i kanë kërkuar kryeministrit që të heqin menjëherë kufizimin ndaj Klevin Mukën dhe të përmbahen “nga vendosja e masave të tilla ndaj të gjithë anëtarëve të shtypit në të ardhmen”.

“Kufizimi si ilustrim i problemeve më të thella”

Kufizimi i ardhur nga kryeministri, në vlerësimin e organizatave është ilustrim i problemeve më të gjera që kanë të bëjnë me aksesin në informacion të gazetarëve.

Sipas raportit “E drejta e Informimit” në vitin 2021 zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit shënoi përkeqësim.

Vetëm 60% e kërkesave për informacion marrin një përgjigje të plotë pas kërkesës, ndërsa 23% nuk marrin asnjë përgjigje. 

“Vëmë re gjithashtu protestën e organizuar nga gazetarët në Tiranë më 4 korrik 2022, e cila kritikoi kufizimin  emblematik të përpjekjeve më të gjera të forcave politike për të diktuar se çfarë pyetjesh mund dhe nuk mund të bëhen nga gazetarët në konferencat për shtyp”, thuhet në letër.

Letra u firmos nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), OBC Transeuropa (OBCT), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SJN).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *