Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Avokatët protestojnë para KLGJ-së kundër hartës së re gjyqësore

Avokatë nga i gjithë vendi, protestuan sot përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor në kundërshtim të hartës së re gjyqësore. Protesta erdhi pas grevave të vazhdueshme që nisën në 14 qershor dhe kulmuan me vendimin për bojkot pa afat dhe pezullimin e masave të sigurisë për 20 ditë. Sipas avokatëve, kjo hartë cenon aksesin e qytetarit në sistemin e drejtësisë duke e thelluar edhe më tej burokracinë.

Gjovalin Laska

“Nëse një person do të ankimojë një vendim, një gjobë pesë mijë lekë në Shkodër përshembull, për pesë mijë lekë nuk ja leverdis të shkojë e të ankimojë në Gjykatën Administrative në Tiranë. Nëse i mohohet këtë lloj drejtësie, atëherë për çfarë është drejtësia, për të marrë rrogën disa gjyqtarë”, tha për Citizens Channel Gjovalin Laska, nga Dhoma e Avokatisë Lezhë.

Cënim i aksesit në drejtësi

Harta e re gjyqësore propozon uljen e gjykatave të rretheve nga 22 në 13,mbajtjen e vetëm dy gjykatave administrative (nga 6 ekzistuese) dhe vetëm një gjykatë apeli për të gjithë vendin.

Elona Mone

“Propozimi ynë, përpos të gjithë ndryshimeve që do bëheshin, ishte që të paktën të kishim tre ose katër Gjykata Apeli në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të gjithëve, në mënyrë të njëtrajtshme t’ju garantohej e drejta për një pjesëmarrje aktive në procese gjyqësore dhe për të realizuar të drejtat e tyre”, analizon avokatja Elona Mone nga Vlora.

Ajo shpjegon se sipas vendimit të  KLGJ-së do të ketë një Gjykate Apeli për të gjithë Shqipërinë, në kryeqytet dhe një gjykate administrative në qytetin e Lushnjes.

“Individi do të ketë zero mundësi për t’ju drejtuar këtyre gjykatave, qëkurse koncepti kohë do të jetë në dëmin e qytetarëve , për sa kohë një çështje për tu gjykuar sot në një Gjykatë Apeli në një qytet të zakonshëm kërkon dy deri në tre vjet”, përfundon Mone.

Më 1 Korrik Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë vendosi të bojkotojë pa afat seancat, në shenjë protesta ndaj hartës së re gjyqësore.

Sipas avokatëve, kjo hartë cenon aksesin e qytetarit në sistemin e drejtësisë duke e thelluar edhe më tej burokracinë.

Solvega Topulli

“Kostot dyfishohen, trefishohen dhe kjo gjë do bëhet pengesë që qytetarët të mos i drejtohen më sistemit të drejtësisë, por ti zgjidhin çështjet në mënyrat e tyre”, thotë Solvega Topulli nga Dhoma e Avokatisë Lushnje.

Në përfundim të protestës kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, lajmëroi për zhvillime në fillim të javës.

“Që në ditët e para të javës do mblidhet Këshilli i Përgjithshëm për tu shprehur përfundimisht për ecurinë e këtij qëndrimi që ka mbajtur Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë”, përfundoi ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *