Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Minatori 52 vjeçar humb jetën në galeritë e kromit në Bulqizë

Një minator 52 vjeçar humbi jetën sot në një nga galeritë e minierës së Bulqizës.

“Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasi S. D., rreth 52 vjeç,(minator)”,-thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes”, -vijon më tej Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, ndërsa nuk bëhet ende me dije emri i kompanisë minerare ku ndodhi ngjarja.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar: “Organizim sindikal për të drejta”

Sindikata e Minatorëve të bashkuar të Bulqizës ka reaguar mbi ngjarjen duke kujtuar kushtet e rënda në të cilat punojnë minatorët. Ata kërkojnë hetim për aksidentin.

“U shprehim familjarëve të kolegut dhe shokut tonë Sazan Deda ngushëllimet për humbjen e rëndë. Kërkojmë nga organet shtetërore hetime për aksidentin dhe përgjegjësit për ndodhjen e tij, si dhe kontrolle të rrepta në çdo minierë për kushtet e sigurisë në punë”.

Në përfundim të komunikimit sindikata bëri thirrje për organizim të punëtorëve për kushte më të mira në punë e të drejta.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë minatorëve që të organizohen sindikalisht për të drejtat e tyre. Raste të tillë e theksojnë edhe më shumë nevojën e organizimit për të siguruar kushtet e domosdoshme dhe, mbi të gjitha, jetën!”-përfundon SMBB.

Miniera, burim aksidentesh në Bulqizë 

31 maj të 2022 minatori Besim Toska u aksidentua në nivelin e 20-të të minierës së Albchrome në Bulqizë. Ai plagosi këmbën gjatë punës dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e traumës në Tiranë.

19 prill minatori Arben Stafa u aksidentua në minierën Albchrome. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar denoncoi faktin se u mbajt i fshehtë.

“Lajmi nuk është bërë publik as prej policisë së shtetit, as prej mediave. Kjo praktikë e vazhdueshme e zhvlerësimit të shëndetit dhe jetës së punëtorëve, është e dënueshme”.

Në mars të 2022, në minierat e Bulqizës mbeti i plagosur minatori 40-vjeçar Rasim Laçi.

Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në 2021 në sektorin e minierave janë aksidentuar 23 minatorë dhe kanë humbur jetën 6.

Ndërsa të dhënat të Policisë së Dibrës, tregojnë se në 10 vitet e fundit strukturat e Komisariatit të Policisë Bulqizë “kanë kryer veprime hetimore dhe referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në 108 raste të evidentuara si aksidente gjatë punës në minierat e kromit në territorin e Bulqizës”.

Sipas policisë në 10 vitet e fundit janë aksidentuar në minierat e Bulqizës 115 shtetas dhe kanë humbur jetën 18 minatorë.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera të siguruara përmes një kërkese për informacion gjatë periudhës 2008-2022 (qershor) janë regjistruar 6 aksidente me humbje jete në subjekte të palicensuara në minierën e Bulqizës.

Ndërsa në subjekte të licencuara, prej vitit 1997 deri më qershor 2022 ka pasur 39 aksidente me humbje jete.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *